KURBIN- “Djalin e xhaxhait e vrava sepse më denoncoi në polici për prerjen e disa pemëve që ai kishte mbjellë në tokën time”. Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë kriminale, Fatmir Lama, i akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij Ramazan Lama, 56 vjeç, dy netë më parë në fshatin Shullaz të Kurbinit.

Drejtori i Uzinës së Superfosfatit në Kurbin, u ezekutua me 20 plumba, para banesës së tij në momentin që po parkonte makinën. Policia identifikoi dhe arrestoi kushëririn e viktimës si autorin e dyshuar të vrasjes. Fatmir Lama pranoi autorësinë e vrasjes në polici, ndërsa shpjegoi dhe motivet e ngjarjes.

“Qëndrova i fshehur 10 metra poshtë portës së shtëpisë në pritje të kushëririt. Në momentin që ai u afrua pranë banesës, unë hapa zjarr duke e qëlluar me breshëri automatiku. Pasi u sigurova se ndërroi jetë u largova me shpejtësi” ka dëshmuar në polici i arrestuari. Pa shfaqur asnjë shenjë pendese për krimin e kryer, 46-vjeçari u shpreh se djali i xhaxhait kishte mbjellë disa pemë në tokën e tij. “Unë preva pemët e Ramazanit se ndodheshin në tokën time dhe ai më denoncoi.

Për këtë arsye ne u grindëm dhe unë e vrava” tha në polici Lama, duke shtuar se sherri kishte nisur pesë ditë më parë. Burime nga policia thanë se paraditen e së mërkurës, 46-vjeçari kishte marrë një kërkesë për t’u paraqitur, në prokuri pasi kishte nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tij, për dëmtim të pronës me dashje. Ai u paraqit në Prokurorinë e Kurbinit ku u mor në pyetje. Me t’u kthyer në banesën e tij, Lama ka planifikuar vrasjen e djalit të xhaxhait, i cili e kishte denoncuar atë për prerjen e pemëve. Policia ka marrë në pyetje edhe persona të tjerë për të zbardhur shkaqet e konfliktit mes dy kushërinjve, i cili përfundoi dy netë më parë me vrasjen e njërit prej tyre. 

Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)