TIRANE - Nis në Gjykatën e Krimeve të Rënda procesi ndaj biznesmenit Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e Kryekomisarit të policisë Dritan Lamaj, ngjarje kjo e ndodhur në 24 shkurtin e vitit 2013.
 
Seanca ka shërbyer për t’ju dhënë avokatëve mbrojtës të Frrokut, pamjet e disa disqeve që ishin unikë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ku rruga që kishte bërë Arben Frroku, mbrëmjen e vrasjes së kryekomisarit, nga Tirana në Korçë.
 
Por seanca zgjati vetëm 15 minuta, kjo për shkak të kërkesës së biznesmenit, që përveç avokatit Tonin Prendi, që ishte prezent në seancë, ai do të përfaqësohet edhe nga avokati Genci Gjokutaj që nuk ndodhej në sallë.
 
Kërkesa është pranuar edhe nga prokurorët Ened Nakuçi, Anton Martini dhe Njazi Seferi, vetëm që ditët e shtyrjes së seancës të mos llogariteshin tek afatet e paraburgimit të Frrokut.
 
Gjyqtari Dritan Allunaj, që kryeson togat e zeza, caktoi datën 26 mars për seancën e ardhshme, si edhe vendosi që seancat të jenë të përjavshme, çdo ditë të mërkurë.
 
Kryekomisari Lamaj u ekzekutua pranë banesës së tij në Selitë mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi dhe arrestoi në Greqi, biznesmenin Arben Frroku për ngjarjen.
 
Kjo  edhe për shkak të një konflikti që ai kishte pasur me Kryekomisarin për shkak të detyrës së këtij të fundit gjatë kontrolleve sipas planeve të masave të drejtorisë së përgjithshme të policisë. Vetë i arrestuari Arben Frroku i ka mohuar këto akuza.

Redaksia Online
(gxh/ec/shqiptarja.com)