Vrasja e Edmond Papës, identifikohet 44-vjeçari me dy emra që mori pjesë në ekzekutim! Dy autorët miq me njëri-tjetrin, foto duke ngrënë dreka bashkë

TIRANË-  Andrew Bode, 44 vjeç, me origjinë nga Berati, dyshohet të jetë ekzekutori i Edmond Papës në 16 dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Andrew është emri i tij i dytë, pasi më herët emri i tij ka qenë Edvin Bode, por për shkak të problemeve me ligjin e ka ndërruar disa vite më parë. 44-vjeçari tashmë është shpallur në kërkim nga policia i dyshuar për vrasjen e Papës, në rolin e qitësit, por akoma nuk është lokalizuar për t’u arrestuar, përtej disa kontrolleve që janë kryer në kërkim të tij.

Andrew alias Edvin Bode, është ndihmuar nga Albano Velo për të ekzekutuar Edmond Papën në një lokal në zonën e Selitës, sapo ishte ulur në tavolinë. Ata e vëzhguan për ditë me radhë, derisa gjetën rastin për t’a vrarë. Bode figuron edhe biznesmen, pasi ka një kompani në Korçë që merret me import dhe eksport, tregtim me shumicë dhe me pakicë të ujit të pijshëm, depozitimin dhe transportin e ujit të pijshëm dhe pijeve të tjera joalkoolike.

Por, në dallim nga sa e kishin menduar dhe përtej përpjekjes për t’u kamufluar, pamjet e kamerave të sigurisë së një biznesi në afërsi arritën të kapin tipare të fytyrës, të cilat çuan në identifikimin e tyre të plotë. Përmes këtyre pamjeve dhe vëzhgimeve të shumta të lëvizjeve të tyre për ruajtjen e viktimës, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes dhe arrestimi i njëri prej tyre, Albano Velos, i cili nuk ka pranuar krimin, edhe pse policia dhe prokuroria kanë në duar prova që i konsiderojnë të pakundërshtueshme.

E gjitha dyshohet të jetë bërë për hakmarrje, për vrasjen në qershor të vitit të shkuar të Aleksandër Sadikajt, mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor i Albano Velos. Zinxhiri i vrasjeve lidhet ngushtësisht me prishjen e pazareve të drogës, teksa policia dhe prokuroria, me zbardhjen e vrasjes së Papës duket se është afër zbardhjes edhe të vrasjes së Sadikajt, teksa prej arrestimit të Velos është shumë e rezervuar në dhënien e detajeve.

Ditën e ngjarjes dy autorët e dyshuar erdhën nga jugu dhe pasi prej ditësh e kishin ndjekur, mundën të ekzekutojnë Edmond Papën, i cili kishte udhëtuar drejt Tiranës me nënën që do e dërgonte për vizitë te mjeku. Papa kishte kryer një dënim për drogë në Greqi dhe ishte i skeduar për po të njëjtat akuza edhe në Britani të Madhe. Ai ishte biznesmen i njohur në Sarandë. Pas zbardhjes së këtij krimi, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka shkarkuar nga detyra babin e autorit, Dilaver Velo punonjës i komisariatit nr.4 në Tiranë.

Si u vra Edmond Papa?
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën "Fadil Bodinaku". 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.  Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri ndërsa në Tiranë ndodhej për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.

Si u vra Aleksandër Sadikaj?
Më 11 qershor, 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj, pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, ishte nisur drejt qytetit të tij, por në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina. Nga shpërthimi Sadikaj humbi 2 gjymtyrët e poshtëm, këmbët, dhe ia doli që të dilte vetë nga makina e të dërgohej në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda.

1672845481_19.00142920.Still005.jpg

Edvin Bode
 

Dokumenti që tregon që Andrew Bode është pronar i biznesit 'Living water Korça'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:07
FOTOT/ Akuzohen për ekzekutimin e Edmond Papës, Albano Veli dhe Edvin Bode shokë me njëri-tjetrin, dreka dhe pushime sëbashku

Albano Velo dhe Edvin Bode, të cilët dyshohet se kanë ekzekutuar Edmond Papën, në zonën e Selitës në Tiranë, duket se kanë pasur miqësi të hershme me njëri-tjetrin. Velo dhe Bode kanë foto sëbashku në rrjetet sociale, në të cilat duken edhe duke ngrënë dreka dhe darka. 

Ora 18:53
U pezullua nga detyra pas arrestimit të djalit për vrasjen e Edmond Papës, efektivi Dilaver Velo është kallëzuar nga PD-ja për shpërdorim detyre

Efektivi i policisë Dilaver Velo, i cili është babai i Albano Velos, rezulton i kallëzuar nga Partia Demokratike për shpërdorim detyre. Shqiptarja.com ka siguruar dokumentin, në të cilin rezulton se Velo është në listën e efektivëve të kallëzuar nga Partia Demokratike për shpërdorim detyre në kallëzimin për zgjedhjet e 25 prillit. Ky kallëzim është bërë më 7 prill të 2021. Efektivi Dilaver Velo është pezulluar nga detyra, pasi djali i tij dyshohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e Edmond Papës.

Në kallëzimin e depozituar, PD ka akuzuar Velon për konsumim të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328, “Korrupsionit pasiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328/b, “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” parashikuar nga neni 329 dhe “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit” parashikuar nga neni 331/a të Kodit Penal.

“Shtetasit e mësipërm kanë shkelur Kodin Penal dhe Kodin Zgjedhor nëpërmjet: Intimidimit me anë të punonjësve të administratës shtetërore të anëtarëve të Partisë Demokratike të zhvillojnë aktivitetet e parashikuara prej tyre në Njësitë Administrative 4 dhe 8, duke i kërcënuar këta të fundit me sanksione administrative/penale. Vizitave dhe intimidimit me anë të punonjësve të administratës shtetërore të pronarëve të bar/kafeve ku Partia Demokratike ka zhvilluar takime, duke i kërcënuar që në rast se lejojnë mbledhje në të ardhmen do të gjobiten nga organet e tatimeve dhe policisë. Kërcënimi me anë të telefonit apo personalisht nëpërmjet punonjësve të administratës shtetërore të aktivistëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të opozitës me qëllim që të largohen nga veprimtaria në këtë parti dhe të mos ushtrojnë të qetë të drejtat e tyre ligjore dhe në rast mostërheqje do të përballen jo vetëm me dënime atyre dhe familjarëve të tyre, por dhe me dhunë fizike.”, thuhet në kallëzimin e PD.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja