‘Është rrëzuar një i dehur’, në hetim një polic për vrasjen e Progës në Pogradec! Kushëriri i Eglit i tha se është dhunuar, efektivi: Ik ore andej

‘Është rrëzuar një i dehur’, në hetim një polic për vrasjen e Progës në Pogradec! Kushëriri i Eglit i tha se është dhunuar, efektivi: Ik ore andej

Viktima Egli Proga

POGRADEC- Një efektiv i Policisë së Pogradecit është vënë në hetim pas vrasjes së Egli Progës, i cili u dhunua brutalisht në mes të qytetit më 10 gusht. Efektivi Artur Lilo është vënë në hetim për shpërdorim detyre, pasi sipas Prokurorisë nuk ka marrë masat për të dokumentuar shkakun e vdekjes së 42-vjeçarit.

Skandali thellohet edhe më tej, kur efektivi jo vetëm që ‘ka mbyllur sytë’ për shenjat e dhunës së Progës, por madje ai ka shpërfillur edhe deklaratat e kushëririt të Eglit, i cili i ka thënë që është dhunuar. 42-vjeçari ka mbërritur në spital pa shenja jeta dhe pasi është konfirmuar vdekja e tij nga bluzat e bardha, inspektoi Lilo ka njoftuar sallën operative të Policisë së Pogradecit se është rrëzuar një person i dehur dhe për pasojë ka humbur jetën.

Në spital ka qenë i pranishëm edhe kushëriri i Egli Progës, i cili ka dëgjuar telefonatën e efektivit Lilo dhe ka reaguar në atë moment duke i thënë policit se Egli ishte dhunuar. Por efektivi jo vetëm që s’ka raportuar dhunën, por ka shpërfillur edhe deklaratat e të afërmit duke iu përgjigjur ‘ik ore andej’.

Inspektoi Lilo ka qenë personi kyç për dokumentin e ngjarjes, por ky i fundit ka shpërdoruar detyrën duke mos marrë asnjë masë për dokumentimin e saj dhe shkakun e vdekjes, edhe pse dhuna brutale e Denis Meçes ndaj Egli Progës iu komunikua nga kushëriri i Eglit, për të cilin Prokuroria thotë se ishte dëshmitar okular.

Prokuroria e Korçës po ashtu njofton se rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Se çfarë hapash janë marrë më pas nga policia janë ende të paqarta. Pasi blutë e Pogradecit kanë dalë me deklaratë zyrtare për ngjarjen pas rreth 16 orësh dhe kanë njoftuar se ishte vrasje dhe materialet janë referuar në Prokurori nën akuzën vrasje me dashje.

Këtu nis edhe 'ping-pongu i institucioneve. Prokuroria thotë se ka zbutur akuzën në vrasje nga pakujdesia në bazë të provave që ka referuar policia, ndërkohë Gjykata po ashtu zhvishet nga ‘përgjegjësia’ duke thënë se ka lënë në fuqi masën e kërkuar nga Prokuroria. Gjykata thotë se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe se në këtë fazë gjyqtari nuk mund të bënte ndryshimin e veprës penale dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga Prokuroria. 

Njoftimi

Nuk mori masa për dokumentimin e ngjarjes ku humbi jetën shtetasi Egli Proga Prokuroria e Korçës merr nën hetim Inspektorin për ‘Shpërdorim Detyre’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë merr nën hetim shtetasin A.L. i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Shtetasi në fjalë, me detyrë Inspektor, Trupë Shërbimi, Patrullë e Përgjithshme rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së shtetasit E.P. më 10.08.2024 në Pogradec.

Më datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, u gjet një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale u identifikua si shtetasi Egli Proga i cili u transportua në spital pa shenja jete.

Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M.

Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar.

A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’.

Veprimet hetimore paraprake të cituara më lart, të kryera në funksion të një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të kësaj çështjeje penale, kanë krijuar një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, se nga ana e shtetasit A.L., janë konsumuar elementë të veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, për shkak se ky shtetas me detyrë Inspektor, Trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme, në shkelje të detyrave të tij funksionale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së viktimës edhe pse ky shkak i është bërë prezent nga dëshmitari okular i ngjarjes shtetasi A.B.

Gjithashtu rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit.

Në këto rrethana, shtetasi i sipërpërmendur u mor në përgjegjësi penale për vëprën penale të dyshuar të kryer prej tij, për shkak se si pasojë e veprimeve të tij nuk është bërë i mundur dokumentimi real i ngjarjes së ndodhur.

Njoftimi i Prokurorisë së Korçës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:35
‘Kontradikta’ për kapjen e vrasësit të Egli Progës! Policia: U arrestua! Prokuroria e Korçës: U vetëdorëzua

1723621575_denismece.JPG

Denis Meçe

Prokuroria e Korçës ka reaguar për herë të parë për vrasjen e Egli Progës. Në një njoftim të ndarë për mediat, ku zbardh edhe dinamikën e ngjarjes, Prokrroria thotë se autori i dyshuar i vrasjes, Denis Meçe është vetëdorëzuar në polici

“Pasi u bë identifikimi i shtetasit Denis Meçe, si autor i dyshuar që dëmtoi shtetasin Egli Proga, u kryen veprime operative dhe teknike të tjera me qëllim gjetjen e vendndodhjes së tij, deri në momentin që ai u paraqit vetë pranë Komisariatit të Policisë Pogradec”, njoftoi Prokuroria e Korçës më 14 gusht.

Ndërkohë, vetë Policia në njoftimin zyrtar ku njoftoi se Egli Proga ishte vrarë thotë se e kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

“Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit  i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar. Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi Denis Meçe,  29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin Egli Proga 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik  është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, pas konflikt është larguar  nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për  Krimet  Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:

 Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale "Moskallëzim krimi", dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë”, njoftoi policia më 11 gusht.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç