TIRANE - Dhimbja ka pllakosur familjen e gjyqtares Fildeze Hafizi, 38-vjeçe e cila humbi jetën një ditë më parë nga plumbat e ish-bashkëshortit, Fadil Kasemi. 

Familjarët dhe të afërmit e gjyqtares Fildeze Hafizi rrëfejnë në momentet e fundit të nënës së dy fëmijëve dhe përballjen e saj me ish-bashkëshortin.

Ata thonë se ish-bashkëshorti, Fadil Kasemi e kishte takuar dy herë në 10 ditët e fundit gjyqtaren, ku i kërkonte vazhdimisht të ktheheshin sërish bashkë. 

Sipas tyre, fillimisht ai e kishte kërcënuar dhe i kishte kërkuar që ta lejonte të shkonte te shtëpia për të takuar fëmijët, por që ka hasur në rezistencën e 38-vjeçares. Para 5 ditësh, rrëfejnë familjarë, ish-bashkëshorti i kishte dalë në rrugën pranë shtëpisë dhe i kishte kërkuar që të ribashkoheshin dhe të jetonin bashkë me fëmijët.
 
Kur Fildeze Hafizi kishte refuzuar ai i kishte thënë: “Do pendohesh për këtë që po bën".

Report Tv ka qenë mesditën e kësaj të premte pranë apartamentit ku banonte gjyqtarja Fildeze Hafizi me dy prindërit dhe vajzën e djalin e mitur. Aty dominonte heshtja, ndërsa dhimbja lexohej në sytë e të gjithë familjarëve. Pasi u kryen të gjitha nderimet, trupi i pajetë i gjyqtares u përcoll për në banesën e fundit ku do të prehet përjetësisht.

pallati fildesit
(Në foto apartamenti ku banonte gjyqtarja Fildeze Hafizi)

gjyqtarja
(Gjyqtarja përcillet për në banesën e fundit)

Historia e gjyqtares dhe problemet e saj me ish-burrin, 14 vjet më i madh i cili ishte tregtar, u bënë të njohura dy vite më parë kur ai e kërcënoi për vdekje në plazhin e Golemit. Policia i gjeti Kasemit armën e zjarrit me të cilën ai kishte planifikuar vrasjen e gjyqtares, por edhe pse u arrestua, u dënua minimalisht, duke dalë nga burgu një vit më pas falë amnistisë.

Shqetësimin e saj gjyqtarja Fildes Hafizi ia kishte adresuar edhe ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu, përmes një letre, duke shprehur se ish-bashkëshorti s'po merrte dënimin e merituar nga drejtësia dhe se jeta e saj ishte në rrezik serioz.  

Kushërinjtë: I thamë Kthehu në Shkodër, të mbrojmë ne
Të pyetur nga mediat kushërinjtë e gjyqtares së vrarë shprehen se i kishin kërkuar që të kthehej në Shkodër pasi do të ishte e mbrojtur, por ajo nuk kishte pranuar. Ata theksojnë se shteti duhej të kishte marrë masat. 

"Ka patur një dhunë totale sistematishkt. Këtu duhej të ndërhynte shteti, të vendoste dorë. Ka patur dhunë fizike, tentoi ta vrasë para dy vitesh. Shteti  nuk funksionon, shteti duhej të vendoste dorë. I kemi kërkuar Desit, të lutem hajde në Shkodër, do të ruajmë nga krimet. Na ke ne, dalim ne të shoqërojmë.

Asnjë kujdesje, del në mes të Tiranës e vret me pushkë gruan e vet nuk e di sesi lihet ky njeri në këtë mënyrë”, 
shprehen kushërinjtë e gjyqtares së vrarë.
 
Vajza e gjyqtares: Mami im heroina ime, babai monstër 
Një ditë pas vrasjes së gjyqtares Fildeze Hafizi, nga ish-bashkëshorti i saj, ka qenë vajza e mitur e cila ka bërë një postim prekës në rrjetin social Facebook.

Hafizi u qëllua me armë zjarri pistoletë nga ish-burri i saj Fadil Kasemi në zonën e Xhamllikut në Tiranë, duke humbur jetën në vend. 

Në mesazhin e saj, e bija e gjyqtares Fildeze Hafizi shkruan se e ëma tashmë është një engjëll që i ruan, ndërsa shprehet se i ati i saj është një monstër që nuk meriton as të marrë frymë.

Dje kam humbur personin me te rendesishem ne jeten time . Mami im ishte heroina ime , perendesha ime . Ajo ESHTE njeriu me i mrekullueshem i kesaj bote dhe KURRE ne kte bote sdo te kete njeri si ajo me ne kete bote. Ajo sakrifikoi cdo gje per ne duke perfshire jeten  qe te na hiqte nga ai plera . Pavarsish cdo gjeje ajo fliste mire per te PAVARSISHT CDO KAFSHERIJE QE KEMI JETUAR NE ATE SHTEPI . Ajo ishte shoqja ime e ngushte , motra ime , dashuria ime e pare ne kete bote . Kushdo qe e njihte e adhuronte kurajon forcen inteligjencen dashurine e saj per jeten dhe zemren e saj te paster . Vetem ne e dime se si rrinte me frike kur iknim CDO FUNDJAVE te i ashtuquajturi “babi” qe ka qene dhe  gjithmone do te jete nje monster qe nuk meriton te marri fryme .

Kur te kujtoj mamin tim un nuk do qaj por do jem krenare per personin, heroinen qe me rriti . Dhe sado qe un nuk besoj ne zot un besoj qe ajo tani eshte nje engjell qe na ruan sepse e tille ishte dhe gjalle . Dhe ne do ja dalim do e bejm krenare dhe do behemi te denje qe te quhemi femijet e saj . Sepse ajo eshte forca jone dhe pse nuk esht me mes nesh .

Faleminderit te gjithve qe na u gjendet prane”,
shkruan vajza e gjyqtares. 

melisa hafizi
(Postimi në Facebook nga vajza, Melisa Hafizi)

Majlinda Keta: Fildes, një grua model
Mikja e gjyqtares, Majlinda Keta e cilëson Fildes një grua model për të gjitha gratë që duhet të denoncojnë dhunën

"Përpara se të kishte një karriere në drejtësi Fildes ka qënë një drejtuese e shkëlqyer e parashkollorit në Tiranë. Ne dimë vetëm pjesët e bukura të jetës së saj, dinim edhe ndodhinë, por divorci sot  i ndodh të gjithëve.  Por nuk mendonim që një grua e fortë që nuk u ep nga shumë vështirësi, që po gëzonte dy fëmijë  të shkëlqyer me rezultatet e veta  për më tepër po progresonte për vete të kishte këtë fund.

Mendoj se momenti është përtej Fildes ,për të menduar se çfarë mund të rregullojmë në këto histori, çfarë mund të rregullojmë në rastet kur një mashkull dhunon një grua  sesi ligji duhet të jetë i fortë, dhe sesi duhet të trajtohen këto raste. Sot nuk ka humbur vetëm Fildes është shkatërruar një familje, është shkatërruar  pothuaj e ardhmja e dy fëmijëve që janë të shkëlqyer në mësime, të kemi kujdes për to dhe të respektojmë Fildes si një grua model që arritit të vërë veten në vend, por edhe për të na lënë një model të gjitha grave  që duhet të guxojnë të denoncojnë dhunën", 
shprehet Keta.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com