Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate për shtyp pas akuzave për sistemin gjyqësor dhe në veçanti për gjyqtarin e Fierit, Ergys Selmani i cili nuk zbardhi në kohë urdhrin e mbrojtjes për gruan, që më pas u vra nga burri.
 
Shoqata e Gjyqtarëve nuk dënon vonesën, por akuzon se po hidhet baltë mbi sistemin gjyqësor dhe për krimet në familje akuzon edhe policinë e shtetit se nuk ka kryer detyrën.
 
"Pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse policia e shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa, si pasojë e marrjes së masave kundër dhunës në familje" thuhet në reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.
 
Gjithashtu, Shoqata e Gjyqtarëve shprehet se "U kujtojmë funksionarëve ekzekutivë dhe politikë që gjykatat janë të pavarura dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
 
Çdo përpjekje për të cenuar këtë pavarësi vjen në kundërshtim me vlerat më të larta demokratike të cilat synojmë t’i mbrojmë dhe promovojmë
" thuhet në reagimin e tyre.
 
Pak ditë më parë Liljana Ruko u vra nga bashkëshorti, ndërsa urdhri i mbrojtjes nuk ishte zbardhur nga gjyqtari Ergys Selmani, për të cilin ka nisur një procedim.
 
Reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve vjen pas akuzave të ministrit Tahiri se urdhri i mbrojtjes nuk kishte ardhur kurrë në policie dhe të ministrit Manjani, që kërkoi hetimin e gjyqtarit Ergys Selmani, pasi ka shkelur ligjin në zbardhjen e vendimit të urdhrit të mbrojtjes. 

 
Deklarata e plotë