“O kthehu me mua, ose do ta vras”. Ky është një nga mesazhet që hetuesit kanë gjetur në celularin e Mark Antony Samson, i cili ka pranuar fajësinë për femicidin e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, i ndodhur në mars në Romë. E reja ishte goditur me tre thika në qafë. Trupi i saj, i fshehur në një valixhe, ishte braktisur më pas në një greminë pranë rrugës “via Homs”.

Akuzat dhe ecuria e hetimit – Në dritën e provave të mbledhura, Prokuroria e Romës i ka ngritur të riut akuzën për vrasje me dashje të rënduar nga parapërgatitja, arsyet e kota dhe marrëdhënia afektive me viktimën. Sipas hetuesve, nga analiza e mesazheve të shkëmbyera mes Samsonit dhe disa miqve, del një projekt i qartë për të kryer femicidin. Sot, e hënë 7 korrik, i riu është marrë sërish në pyetje dhe për rreth dy orë ka dhënë përgjigje për pyetjet e prokurorëve. Prokuroria po përgatitet të mbyllë hetimet dhe pritet të kërkojë gjykim të menjëhershëm. Në hetim është përfshirë edhe nëna e Samsonit, e dyshuar për bashkëpunim në fshehjen e trupit.

Bisedat në chat – Sipas hetuesve, Samson ka tentuar gjithashtu të devijojë hetimet duke përdorur bisedat në chat, ku është shtirur si Ilaria dhe ka komunikuar me mikeshat e saj. Në një nga mesazhet thuhet: “Sofi, nuk e di nëse po bëj ndonjë marrëzi, por po shkoj në shtëpinë e një tipi që takova në rrugë” – mesazh i dërguar më 26 prill 2025, pak pas femicidit të studentes. Hetuesit sqarojnë se ky mesazh është dërguar nga Samsoni, duke u shtirur si viktima.

Rrëfimi tronditës – Në një dëshmi tronditëse dhënë përpara prokurorit dhe gjyqtares hetuese Antonella Minnuni, Samson ka treguar me qetësi dhe kthjelltësi detajet e krimit:

“E godita dy herë me thikë nga pas, me të njëjtën thikë që kishim përdorur për të prerë mortadelën. Ilaria nuk e kuptoi gjë, bërtiti pak”.

Pastaj shtoi: “E vendosa në dy qese që kisha në kuzhinë. Pak e nga pak po kuptoja çfarë kisha bërë dhe që ishte një problem më i madh se unë. Atëherë më erdhi në mendje një fjali që më kishte thënë gjyshi para se të vdiste: ‘Për gjithçka ka një zgjidhje, përveç të vdekurve’”./ TGcom24