Një armë e dytë zjarri është gjetur nga policia pranë vendit ku mbrëmjen e 9 korrikut u vra Ilir Gjini, në lagjen “Erdogan” te qytetit të Laçit. Arma u zbulua pas një kontrolli të imtësishëm të grupit hetimor, i cili u orientua edhe nga deklarimet e personave të shoqëruar në polici.Arma e sekuestruar është një revolver, i cili është dërguar për ekspertizë balistike. Ekspertiza pritet të përcaktojë nëse arma është përdorur gjatë ngjarjes, kujt i përket dhe nëse ka pasur shkëmbim zjarri.
Hetuesit dyshojnë se në vendin e krimit nuk kanë qenë vetëm autori i dyshuar dhe viktima, por edhe persona të tjerë që mund të kenë qenë të pranishëm ose të përfshirë në konflikt.Për vrasjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e personave te tjerë të përfshirë.
Suti qëlloi 7 plumba drejt Gjinit, 2 prej të cilëve i prekën organet jetësore. Të dy janë me precedent penal, dhe fqinjë me njëri-tjetrin. Shkak i vrasjes, dyshohet të jetë një konflikte të mundshme mes tyre jashtë vendit ku nuk përjashtohet mundësia të kenë pasur aktivitet kriminal.
I dyshuari, Emiljan Suti ka precedentë të theksuar kriminal, i dënuar me 5 vite burg për kanosje për shkak të detyrës, armëmbajtje pa leje, i arrestuar edhe në Belgjikë për vjedhje. 15 vjet më parë Emiljan Suti arriti t’i shpëtojë edhe një atentati para komisariatit të Kurbinit. Ai kishte marrë leje për të dalë nga burgu, kur nga një makinë u qëllua me breshëri plumbash, që për fat nuk e kapën.
Ai është vëllai i Gentian Sutit, i konsideruar “i forti” i Laçit. Mbi 15 vite më parë, dy vëllezërit janë dënuar me nga 5 dhe 4 vite burg, pasi hapën zjarr pas një përplasje pasi policia i kishte ndaluar për kontroll.
Komente








