Apeli i Posaçëm ka vendosur të lirojë nga qelia dhe të kalojë në arrest shtëpie Ilir Selmanin, një prej të dënuarve për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Selmani është i dënuar me 26 vite burg për ekzekutimin e mikut të afërt të Ervis Martinajt.
Në janar, Gjykata e Posaçme dha dënim edhe për Fatmir Hysenin, Aleksadër Maxhakun, Dritan Agën dhe Oltion Lonën, pjesë e grupit të vrasjes, 25 vjet burg për secilin (130 në total). I vetmi që mundi të marrë pafajësi ishte vëllai i Leonard Dukës, Elvis Duka, për të cilin SPAK nuk mundi të gjejë prova për implikimin e tij në atentat.
Vendimi
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,
VENDOSI:
-Pranimin e kërkesës, konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurin I.S të lidhur me masën e sigurimit “Arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr. 145 datë 10.10.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, verifikuar me vendimin nr.43 datë 17.04.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
-Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit I.S duke urdhëruar të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në rrugën “*”, banesë private, nr. * Tiranë.
-Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pa ndërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë për ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”.
-Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditësh nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
-U shpall në Tiranë, sot më datë 19.06.2026.
Lajm në përditësim...
Komente










