TIRANË- Në Apelin e GJKKO u mbajt seanca e radhës për kopshtarin e kompleksit ‘Golden’ në Shijak, Festim Bexhdili, i akuzuar si pjesë e grupit që organizoi, rrëmbeu dhe zhduku pa gjurmë trupin e Jan Prengës, më 17 janar 2020. Dritan Rexhepi kishte refuzuar të paraqitej në seancë për të dëshmuar dhe me vendim të Apelit të Posaçëm, forcat e policisë e shoqëruan me forcë.

Gjithsesi, Rexhepi nuk tha asnjë fjalë para togave të zeza, duke u shprehur se “nuk dua të pyetem se nuk kam çfarë të them”.

Ndërkohë, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Ilir Muratit, avokatit të Festim Bexholit, i cili kishte kërkuar që pamjet filmike të kompleksit ‘Golden’ të këqyreshin me ekspert. Seanca u shty për më datë 26 qershor ora 10:00.

Gjyqi për kopshtarin Festim Bexhdili u dënua me burg për jetë nga GJKKO për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, por një vendim i Gjykatës së Lartë vendosi ta kthejë dosjen për rigjykim në Apelin e Posaçëm, teksa ky i fundit pretendon se nuk ka marrë pjesë në krim. Por sipas SPAK ai e di vendin ku u dërgua trupi, pasi ka qenë pjesë.

Çështja e Jan Prengës

Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë, ku u transportua në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.

5 persona akuzohen si rrëmbyesit, Aldo Majnishta, Artan Doçaj, Geraldo Martini dhe Marin Bleta dhe Korado Gështenja, të cilët po gjykohen bashkë me Dritan Rexhepin. Ndërkohë, që urdhrin e ka dhënë Gentian Goçi allias Funiqi, ndërsa porositës dyshohet se është Dritan Rexhepi. Jan Prenga dyshohet se u dhunua dhe u vra brenda kompleksit Golden, më pas trupi i tij është zhdukur dhe sot e kësaj dite ende nuk është gjetur.