Vrasja e Julian Çelës, policia
dështoi me mostrën Prrenjasi

Vrasja e Julian Çelës, policia<br />dështoi me mostrën Prrenjasi
TIRANE - Pavarësisht “aktit skenik” të pohimit para kamerave televizive të një vrasjeje dhe fshehjes së trupit të viktimës në plehrat e Sharrës, ku nuk u gjet kurrë, Policia e Berishës ka regjistruar një dështim tjetër të bujshëm me “mostrën” Ardian Prrenjasi. I konsideruar si “mostra i Laprakës”, ai pas pak ditësh pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës, por jo për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të djalit të zv/drejtorit të SHISH-it, por vetëm për abuzimin seksual me komshiun e tij, minorenin me inicialet A.C.

Vendimi, për ndarjen e akteve dhe vijimin e hetimeve në veçanti për vogëlushin Julian Çela, është marrë pak kohë më parë nga Prokuroria e Tiranës, e cila duket se nuk ka provat e mjaftueshme për të ngritur akuzë ndaj Ardian Prrenjasit.
Aktualisht dosja në ngarkim të Prrenjasit është në fazën përfundimtare të hetimeve dhe pritet që në ditët në vijim ajo të dërgohet në gjykatë. Sipas burimeve nga akuza, aktualisht ndaj Prrenjasit është ngritur akuza e “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur” dhe se për momentin janë siguruar prova bindëse që tregojnë se Ardian Prrenjasi është autor i dy veprave penale të sipërcituara.
Por, ajo që nuk është mundur të faktohet deri në këtë periudhë, është vrasja e minorenit Julian Çela.

Vetë Prrenjasi kishte pohuar se është ai autori i krimit, por më pas këtë version e shfaqi me shumë shenja kontraditore. Ndërsa e vetmja dëshmi që lidhet paksa me këtë ngjarje është ajo e të dashurës së tij, e cila ka pohuar se Julian Çelën e kishte parë disa herë në banesën ku bashkëjetonte me Prrenjasin.
 
Kërkimi
Ndarja e akteve hetimore dhe nisja e një procedimi tjetër pas dërgimit të Ardian Prrenjasit në gjykatë, duket se do përqëndrojë të gjitha veprimet hetimore të policisë dhe prokurorisë, vetëm në zhdukjen misteriore të Julian Çelës. Hetimet për këtë çështje kanë pasur të meta të theksuara dhe faji, sipas akuzës, është i gjithë i policisë. Zhdukja e Julian Çelës nuk u hetua si duhet, madje nuk u morën në pyetje as familjarët e tij, por që në ditët e parë, vetë i zhdukuri u trajtuar si kontigjent krimi. Gjithashtu, pati neglizhencë të theksuar në marrjen e provave dhe policia do të deklaronte në atë kohë se Juliani mund të ishte larguar në Kosovë, për të lypur apo për të vjedhur.

Pistat hetimore ishin të gjithanshme dhe zyrtarët e policisë nuk i morën në konsideratë. Ndërkohë, fati ishte me policinë në rastin e dytë, ku sërish një 10 vjeçar u zhduk në zonën e Laprakës. U desh një verifikim rutinë që policia të zbulonte se në zonë banonte një i dënuar më parë për abuzime seksuale me fëmijët. Madje, banesa e Prrenjasit ishte 200 metra në vijë ajrore me banesën e prindërve të Julian Çelës.
 
Autorësia
Megjithëse policia shprehet me bindje se autor i vrasjes dhe më pas zhdukjes së trupit të Julian Çelës, është shtetasi i arrestuar Ardian Prrenjasi, ky i fundit një javë pas krimit ka filluar të shfaqe kontradiktat e para. Vetëm nga dëshmia e tij, policia së bashku me të kanë kontrolluar rreth katër herë zonën e land filldit të Sharrës, aty ku mendohet se është hedhur trupi i Julian Çelës, por që në asnjë rast nuk janë dhënë detaje të sakta dhe se sot e kësaj dite trupi nuk është gjendur, edhe pse u lëvizën me dy eskavatorë tonelata plehrash.

Prennjasi në dëshminë e parë të dhënë në polici, ka treguar se fillimisht e ka mbytur, pasi vogëlushi nuk pranoi të kryente marrëdhënie dhe trupin e tij e kishte hedhur në një kazan plehrash. Një makinë e mbledhjes së mbeturinave e kishte çuar në Sharrë, ku Prrenjasi tha se e kishte parë të nesërmen dhe ishte kujdesur që të mos dilte në sipërfaqe.

Më pas, tregoi disa herë vendin se ku e kishte hedhur, madje dha edhe disa versione.
Duket se Policia ishte “kujdesur” të nxirrte pohimet e tij me dhunë, por mungesa e provave flet për dështimin e saj spektakolar në zbardhjen e ngjarjes së bujshme.Ky nuk është rasti i parë i abuzimit me fëmijët, pasi Ardian Prrenjasi në vitin 2004 dhe në vitin 2008 është dënuar nga drejtësia shqiptare për veprime pedofilie.
 
Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?