Vrasja e Lafetajt, shoqërohen 19
persona, policia: Larje hesapesh

Vrasja e Lafetajt, shoqërohen 19<br />persona, policia: Larje hesapesh
TIRANË - Janë shoqëruar deri tani 19 vetë për vrasjen e 37-vjeçarit, Eliton Lafetaj mbrëmjen e së premtes pranë banesës së tij dhe plagosjen e të fejuarës së tij 20-vjeçare. 

Policia po heton në disa pista zanafillën e vrasjes, duke pasur parasysh se viktima Lafetaj ka qenë i implikuar në aktivitete kriminale.

Një pistë e fundit, ku është përqendruar policia është mundësia e ndonjë konflikti të importuar nga jashtë vendit, ku ai ka qëndruar.
 
Të tjera pista fillestare të hetimit të policisë u përqendruan në dy konfliktet e identifikuara në Tiranë, ku Lafetaj ka qenë i përfshirë, një plagosje e vitit 2011 prej 37-vjeçarit dhe një grindje për parkimin 3 muaj më parë.
 
Policia aktualisht ka përjashtuar lidhjen e vrasjes me kompaninë e basteve sportive, ku viktima ka qenë më parë menaxher.
 
Ndërkaq, lidhur me vrasjen e 37-vjeçarit Eliton Lafetaj, policia ka shoqëruar 19 persona, të dyshuar si persona që kishin konflikt me viktimën. 

ORA 22:20 - VRITET ME SILENCIATOR 37-VJEÇARI, PLAGOSET E FEJUARA 20-VJEÇARE
Ekzekutohet me armë zjarri një 37-vjeçar te rruga "Irfan Tomini” në kryeqytet, ndërsa plagoset e fejuara e tij 20-vjeçare, e cila gjendej me të në çastin e vrasjes. 

Siç bëri të ditur mbrëmë gazetari i "A1 Report", Arsen Rusta nga terreni, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 pranë banesës së viktimës Eliton Lafetaj, i cili është qëlluar me silenciator me katër plumba në çastin e krimit, duke mbetur i vdekur në vend, pa mundur t'i jepet një ndihmë mjekësore.

Ndërsa e fejuara e tij ka marrë një plumb në këmbë dhe është transportuar më pas në Spitalin Ushtarak, ku pas një ndërhyrjeje të shpejtë kirurgjikale ka dalë nga rreziku për jetën, edhe pse mbahet ende në reanimacion. 

Bëhet e ditur se viktima dhe e plagosura janë qëlluar nga dy vetë mbi motor, të cilët kanë qenë me kokore në momentin e krimit.

Polica dyshon se ekzekutimi i Eliton Lafetaj është bërë nga vrasës me pagesë, të cilët kanë ndjekur itinerarin e lëvizjes dhe e kanë pritur shenjestrën e tyre te hyrja e pallatit. 
 
Ndërsa një tjetër person dyshohet se e ka pritur 37-vjeçarin në hyrjen e zonën e njohur si "Shijaksburg", në ish-stacionin e fundit të “Tiranës së Re” tek hyrja e pallatit, në katin e dytë të të cilit ai banonte.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, vajza ka kërkuar ndihmë, teksa ka parë që Elitoni vdiq në duart e saj. 

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe po nisi hetimin mbi identifikimin e autorëve, ende të paidentifikuar dhe shkaqeve të vrasjes pranë pallatit ku banonte viktima.

Pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje të gjithë familjarët e viktimës, si dhe të fejuarën, e cila ndodhej me të në momentin e ekzekutimit.
 
Pistat e mundshme të shkaqeve të vrasjes sipas policisë dyshohet se janë një sherr banal, larje hesapesh dhe hakmarrje për një konflikt të para një viti, ku dyshohet se 37- vjeçari ka plagosur një person me armë.

Ndërsa burime ende të pakonfirmuara bëjnë me dije si viktima zotëronte disa kazino në Itali dhe hetimet rreth tyre mund të nxjerrin pista të tjera hetimi. Pajisja me skafandra  e autorëve të vrasjes e bën më të vështirë identifikimin e autorëve, por nga dëshmitë e mbledhura policia ka arritur të krijojë një identikit të tyre.  

Në çastet kur mbërriti karrotreci për të transportuar makinën e viktimës një vajzë e re, me sa u kuptua motra e viktimës, ka kaluar shiritin e rrethimit të policisë dhe ka vrapuar drejt vëllait të vrarë. "Ç'më bëri vëllai mua!", bërtiste me ulërima e motra.

irfan tomini2
(Në foto: Policia dhe ambulanca në vendin e krimit). 

irfan tomini2
(Në foto: Ekspertët e policisë në vendngjarje). 

irfan tomini3
(Në foto: Motra e viktimës, duke vrapuar drejt trupit të vëllait, pasi ka kaluar kordonin e policisë). 


Lajmi u publikua fillimisht në orën 22:40 të datës 23.08.2013 dhe është në përditësim. 

Redaksia Online
(mag/e.s./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Macron: Do të angazhohem personalisht për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! Ftoj popullin serb të zgjedhin paqen

Presidenti Macron: Do të angazhohem personalisht për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! Ftoj popullin serb të zgjedhin paqen