TIRANE - Një kamarier i lokalit "Luxury", pronë e të vrarit Admirim Sako, si dhe dëshmia e bashkëshortes, Entela, mund të ndihmojë sadopak policinë për identikitin e vrasësit. Ai ka përshkruar një siluetë të autorit, të cilin e ka parë nga larg, menjëherë pasi qëlloi katër herë me armë. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë shoqëruar shumë persona dhe e para që është pyetur ka qenë bashkëshortja e Sakos, Entela, e cila ka rrëfyer momentet e tmerrit.

DESHMIA E KAMARIERIT
Një nga njerëzit që ndodhej thuajse në vendngjarje dhe që ka vrapuar drejt makinës së Sakos sapo ka dëgjuar krismat, ka qenë një nga kamarierët e lokalit të tij. Ai ka arritur të shohë siluetën e autorit të krimit, pasi "Luxury" ndodhej përballë dhe fare pak metra larg vendit të vrasjes. Sipas dëshmisë së tij, ai ka qënë në lokal, kur është qëlluar me armë zjarri 37-vjeçari, por për shkak të krismave të fuqishme të pistoletës 9 mm, e cila ka tronditur në atë orë të qetë zonën e ekspozitës, edhe kamarieri ka dalë jashtë. "Dëgjova krismat e armës dola të shoh menjëherë jashtë se çfarë bëhej. Ndërsa dëgjoja britmat e gruas së Admirimit, sapo hapa derën e lokalit, para meje ka kaluar një person i vetëm, duke ecur me vrap të lehtë. Nuk e pashë nëse kishte armë apo jo, por u larguar në drejtim të rrugës "Myslym Shyri", shumë shpejt dhe më shumë lehtësi. Ishte i veshur me të zeza, por nuk e vura re mire, pasi britmat e gruas së Admirimit, më tërhoqën vëmëndjen dhe u afrova pranë makinës. Aty pashë se xhami i makinës nga krahu i shoferit ishte thyer, ndërsa dëgjoja gruan që bërtiste, se i kishin vrarë bashkëshortin. Shumë shpejt në vendgjarje kanë ardhur dhe policia, që bërë transportimin e trupit për në spital, ndërsa unë jam shoqëruar në polici", ka treguar kamarieri i lokalit.

Bashkëshortja Entela Sako ka thënë se ekzekutori ishte një djalë i ri rreth 25-30 vjeç, i cili pa maskë është afruar tek makina dhe ka qëlluar 3 herë mbi Admirimin. Të përditshmet shqiptare zbulojnë sot detjare të reja në lidhje me dëshminë e së vesë së Admirinit.
Sipas mediave Entela nënë e një fëmije ka thënë se gjithçka ndodhi në mënyrë të rrufeshme.
“Sapo kishim mbyllur punën në lokalin tonë “Luxury” dhe do të niseshuim drejt shtëpisë. Unë isha duke pritur Admirimin që të nxirrte makinën nga parkimi dhe nuk vura re asgjë të dyshimtë”. Në momentin kur është afruar tek makina një person e ka shtyrë dhe është gjetur jashtë rrezes së armës, dhe pasi ka dëgjuar të shtënat ka bërtitur. Sipas policisë edhe Admirimi nuk ka dyshuar tek atentatori pasi nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u mbrojtur para se të qëllohej për vdekje.

Atentati ndodhi mbrëmjen e 22 janarin, rreth orës 22:00, pas ekspozitës "Shqipëria Sot", pranë Gjykatës së Tiranës. Një person, ende i paidentifikuar, qëlloi me pistoletë Admirim Sakon brenda në makinën e tij. 37-vjeçari sapo kishte dalë nga lokali në pronësi të tij, "Luxury" në afërsi të Gjykatës së Tiranës, në rrugën "Nikolla Jorga" dhe ishte futur në automjetin e tij BMW, me targë AA 975 BR, kur është qëlluar nga një person, i cili ka përfituar nga errësira dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes përmes një rrugice.

Drejtoria e Policisë së Tiranës, ka deklaruar me anë të njoftimi zyrtar se, "hetimet janë përqëndruar në konflikte të mëparshme të viktimës, apo me administrimin e disa pronave të sekuestruara nga strukturat e aseteve kriminale të policisë, lidhje shoqërore të mëparshme të tij".

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)