Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi analizë me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 44-vjeçari Artan Myrtaj dhe u plagos 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, kalimtar i rastit.

Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara, si dhe një skanim tërësor të situatës operative, nga evidentimi i konflikteve më të mprehta deri te konfliktet më të vogla, identifikimin e personave me precedent, si dhe të kontingjentit kriminal që është në zonë, por edhe atij shëtitës.

Ai kërkoi rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur sot, por edhe për ngjarje të kaluara.

“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale”, tha Hita.

Në lidhje me ngjarjen, po ushtrohen kontrolle edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme në zonën e Sarandës dhe Delvinës, ndërkohë që grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit.


Lajmi kryesor:

Ekzekutohet ‘Tani i Rruzhdiut’ në Sarandë, autorët me motor e skafandra e qëlluan sapo doli nga kafja, i përfshirë në plagosje në 2025-ën! Plumbi kap edhe një kalimtar