.....
Të gjitha pistat për hetimin e vrasjes së Viktor Skejës, të çojnë tek hakmarrja. Ky është konkludimi paraprak për ekzekutimin e pasdites së të dielës në rrugën Riza Cerova në Tiranë, i cili është dhe atentati i tretë që i bëhej prej vitit 1997.
Policia e Tiranës ka shoqëruar 14 persona, që të gjithë nga Kurbini për vrasjen e 47 vjeçarit. Por mes të shoqëruarve, policia e Tiranës, ka hasur në kundërshtimin e një personi, i cili është A. L nga Laçi. Ky I fundit do shoqërohej në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për ngjarjen.
Në momentin e ndalimit A. L, ka qenë i shoqëruar nga një efektiv i repartit Renea, i cili ka reaguar në momentin e parë, por me pas situata është vënë nën kontroll. Skuadra operacionale speciale ka bllokuar edhe automjetin, në pronësi të shtetasit te ndaluar si dhe ka shmangur një përplasje me armë gjatë shoqërimeve për Skejën.
Sipas burimeve, të shoqëruarit pasi janë verifikuar në komisariat, janë lënë në gjendje të lirë. Mësohet se kanë ngritur edhe një padi kundrejt “dhunës” se ushtruar nga efektivet e policisë gjatë shoqërimit. Gjithashtu ata pretendojnë se nuk kanë as një lidhje ose konflikt me personin në fjalë, dhe që arma e gjetur ka qënë me leje.
Sipas burimeve, Skejës i është gjetur dhe një pistoletë në brez, të cilën nuk ka mundur ta përdorë në momentin kur ndaj tij kanë qëlluar plot 10 herë duke e lënë të vrarë në vend.
Burimet pranë grupit hetimor bënë me dije se pista kryesore është hakmarrja për vrasjen e Gjin Gjinit, ngjarje e ndodhur në Laç, në 28 majin e vitit 1997, dhe që dyshohet të jetë porositur dhe paguar nga Skeja. Ngjarja vinte pak kohë pasi Skeja ishte plagosur si pasojë e të shtënave ndaj automjetit të tij në Sanxhak të Kurbinit. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe A.K., që ndodhej me Skejën në makinë. Në 13 marsin po të vitit 1997 Skeja bashkë me 6 persona të tjerë akuzohen të kenë grabitur bankën e qytetit të Laçit.
Pavarësisht të shkuarës kriminale si dhe një dënimi për trafik droge në Itali, Skeja ishte emëruar dhe ka ushtruar detyrën e drejtorit të CEZ Shpërndarje për zonën e Kurbinit të paktën deri në pranverën e vitit të kaluar. Në 12 shtator të vitit të kaluar Skeja u plagos në një sulm me armë në një kazino, të cilën policia e Tiranës e hetoi për grabitje.
Në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë grupi hetimor duke gjetur dhe sekuestruar 10 copë gëzhoja të kalibrin 7.62 mm, dy predha të deformuara, një këmishë predhe. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të viktimës Viktor Skeja, i është gjetur në brez dhe sekuestruar një armë pistoletë.
Nga të dhënat paraprake hetimore konfirmohet se viktima ka qenë me precedentë të theksuar kriminal: Viktor Skeja së bashku me 6 shtetas të tjerë, janë autor të dyshuar të vjedhjes me armë të bankës së qytetit të Laçit, ngjarje kjo e ndodhur më datë 13 mars 1997.
Në Maj 1997 në vendin e quajtur Sanxhak – Laç, janë plagosur armë zjarri shtetasit Viktor Skeja dhe A.,K, të cilët po udhëtonin me automjetin e Viktor Skejës.
Në datë 28.05.1997, në qendër të qytetit të Laçit është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. Gj. Dyshohet se autor është një shtetas, i paguar nga Viktor Skeja për të realizuar vrasjen.
Në 12 shtator 2013 në ambientet e lokal “Triss”, në rrugën “Bardhyl” në Tiranë, viktima Viktor Skeja është tentuar të vritet me armë zjarri, ku nga ngjarja e një viti më parë mbeti i plagosur, autorët e ngjarjes nuk janë arrestuar./Gerti Xhaja/
(Në foto, viktima Viktor Skeja, i cili u vra dje (01.06.2014) pasdite në rrugën Rica Cerona në Kryeqytet) Foto të tjera
Vrasja te djelen
ISH-KREU I CEZ U EKZEKUTUA ME BRESHERI AUTOMATIKU, ATENTATI I DYTE
Ish-kreu i Cez Shpërndarje në Laç, Viktor Skeja është bërë pre e një atentati mafioz në kryeqytet me breshëri automatiku, i cili i ka marrë jetën.
47-vjecari nga Laci me banim në Tiranë është vrarë rreth orës 14:30 të së djelës ndërsa nxirrte nga parkimi automjetin e tij tip Audi A4 me targa AA 363 EM në rrugën “Riza Cerova” në Tiranë. Sipas policisë, dy persona dyshohet se kanë ndjekur itinerarin e lëvizjeve të viktimës dhe kanë zgjedhur pikërisht një lagje të qetë për të ekzekutuar Skejën me një breshëri automatiku. Ata i janë afruar viktimës me një automjet tip Golf 3 ngjyrë e zezë, e kanë bllokuar të dalë nga automjeti dhe e kanë qëlluar Skejën për vdekje me breshëri automatiku. Mësohet se një prej plumbave e ka goditur në kokë dhe të tjerët në organet jetësore.
Sipas policisë së Shtetit, ekzekutimi i Skejës lidhet me veprimtaritë e tij kriminale. 47-vjeçari mësohet se ka qenë i dënuar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndës narkotike.
Pak minuta pas krimit, përvec mbërrtitjes së kreut të Policisë së Tiranës Ardian Çipa në vendngjarje erdhën dhe familjarë të Skejës të cilët patën dhe një konfrontim me forcat blu.
Ky nuk ishte atentati i parë ndaj ish-kreut të CEZ-it të Lacit. Në shtatorin e 2013-ës Skeja fatmirësisht mundi t’i shpëtojë një atentati nga dy persona, nga ku mbeti i plagosur, ndërsa luante në një kazionë në rrugën “Bardhyl” në Tiranë.
SKEMA E VRASJES
Sipas informacioneve nga blutë e Tiranës, autorët dyshohet të kenë ndjekur itinerarin e lëvizjeve të Viktor Skejës dhe kanë pritur momentin kur ish-kreu i Cez-Shpërndarje në Laç është futur në makinën e tij të parkuar në një nga rrugicat e rrugës “Riza Cerova”. Dy persona mendohet të jenë përfshirë në këtë atentat. Një person ka drejtuar automjetin tip Gol 3 me ngjyrë të zezë, ndërsa personi që dyshohet se ka kryer atentatit mendohet të jetë ulur mbrapa, në vendin e pasagjerit, ka ulur xhamin dhe ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj Skejës, i cili ndodhej i vetëm në makinë.
Plumbat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 47-vjeçarit. Mësohet se Skeja është qëlluar me 5 plumba, një prej të cilëve e ka goditur në kokë dhe të tjerët në organet jetësore.
Janë thyer jo vetëm xhamar e automjetit të Skejës, por dy nga plumbat kanë goditur dhe murin rrethues të një banese që ndodhej ngjitur me automjetin e parkuar.
(Në foto: Me rreth të kuq makina e viktimës) Foto të tjera
Trupi i pajetë i Skejës është nxjerrë nga makina rreth orës 16:30 dhe është transportuar me autoambulancën për t'u transportuar drejt morgut të kryeqytetit.
Në vendngjarje ka mbërritur dhe kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa.
(Në foto, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa i cili mbërriti në vendngjarje)
Pak pas vrasjes në vendngjarje mbërritën dhe të afërm të Skejës. Kamera e A1 REPORT ka fiksuar nipin dhe xhaxhain e Skejës të cilët kanë pasur dhe një konfrontim me policinë, pasi kanë tentuar të hyjnë brenda rrethimit të vendit ku ndodhi krimi.
(Në foto, familjarët e Skejës pranë vendit të ngjarjes...me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, nipi i Skejës)
Policia në vendngjarje rrethoi zonën e krimit dhe janë ngritur postblloqe në të gjithë zonën për t'u vënë në ndjekje të autorëve, të cilët ende nuk janë identifikuar.
Nga pamjet e transmetuara Live në televizionin A1 REPORT, në momentin e lëvizjes me karrotrec të automjetit, duken qartë dy xhamat e thyer të makinës nga breshëria e automatikut të qëlluar ndaj 47-vjeçarit Viktor Skeja.
(Në foto, xhamat e thyer të makinës ku u qëllua për vdekje ish-kreu i CEZ Laç, Viktor Skeja)
KRIMI PER KONFLIKTE TE MEPARSHME, SKEJA ME PRECEDENT KRIMINAL
Ora 17:20 Përmes një njoftimi paraprak të Policisë së Shtetit, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për konflikte të mëparshme, pasi viktima ka qënë person me precedentë kriminal. “Aktualisht grupi hetimor po punon intesivisht për identifikimin, dokumentimin ligjor të kësaj vrasje dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
SKEJES IU BE ATENTAT EDHE NE 2013-EN, U QELLUA ME ARME TEKSA LUANTE NE KAZINO
Ky nuk është atentati i parë ndaj Skejës. Në shtator të vitit 2013 ish-kreu i CEZ Laç, i shpëtoi për mrekulli një tentative për vrasje në një kazino në Tiranë, ku ai ishte duke luajtur. Në atë kohë, dy persona hynë në kaziono thirrën emrin e Skejës, për ta identifikuar atë, e më pas e qëlluan me armë tip pistoletë duke e lënë të plagosur.
Sipas informacioneve të polcisë për ngjarjen e shtatorit të një vitit më parë, Skeja u qëllua nga dy persona me veshje motoristësh të cilët sipas dëshmitarëve okularë u larguan në rrugicat midis pallateve në zonën ‘Brrylit” në rrugën Bardhyl.
(Në foto: Pamje nga vendi i ngjarjes ku mbeti i plagosur Viktor Skeja në shtator të vitit 2013)
Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)