TIRANE - Vrasja për të cilën akuzohet deputeti Mark Frroku, Belgjikë në vitin 1999, ka ndodhur për shkak se një klient i një prej femrave që dyshohet se shfrytëzohen nga Mark Frroku, kishte rënë në dashuri me një prej prostitutave.

Sipas kërkesës së prokurorisë dërguar për së dyti kuvendit të Shqipërisë, Frroku akuzohet se me 5 mars të vitit 1999, ka vrarë Aleksandër Kurtin, në atë kohë 24 vjeç.

Kurti u qëllua me thikë për vdekje nga 4 persona, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Sent– Zhille, Bruksel.

Sipas prokurorisë, referuar autoriteteve belge, Mark Frroku, besohet se është autor i përfshirë në këtë ngjarje.

Frroku ishte i identifikuar nga autoritetet belge me emrin Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, apo edhe si njohur si Piro Sfrani (Sofrani). Disa dëshmitarë, i i kanë treguar hetuesve belgë se Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë.

Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve.

Një tjetër version mbi ngjarjen është si hakmarrje ndaj Kurtit, pasi ai kishte nisur të hynte në territoret që zotëroheshin nga Frroku dhe se një prej prostitutave të Frrokut, po largohej në Londër me Kurtin.

Kjo pasi Kurti e kishte kërcënuar se nëse nuk shkonte me të në Angli, ai do t’i tregonte familjes së tij. Pas kësaj situate vëllezërit Frroku kanë komunikuar mes tyre dhe kanë vendosur të ndëshkojnë Kurtin. Kristian Kristian, i njohur si Arjan Bytyci, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve.

Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes. Kjo ngjarje është pikërisht ngjarja për të cilën kryekomisar Dritan Lamaj, në vitin 2012, informonte autoritetet e larta policore në vend. Përgjigja e zyrës së Interpolit në Policinë e Shtetit ishte se nga Belgjika, për Mark Frrokun dhe Arben Frrokun, nuk kishte informacione apo urdhër ndërkombëtar arresti.

Në vitin 2013, Lamaj u ekzekutua barbarisht nga persona të panjohur dhe për këtë krim, akuzohet tashmë Mark Frroku, vëllai i deputetit Mark Frroku.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)