TIRANE- “Mos më thoni të dorëzohem. Unë jam Jezu Krishti dhe duhet të dorëzoheni ju para meje”. Këto kanë qenë fjalët e 36-vjeçarit Altin Pirolit në momentin që është përballur me policinë pasi vrau dy vëllezërit tre ditë më parë në një lokal, në qendër të Laçit dhe plagosi dy kalimtarë. Burime nga policia thanë se autori ka bërë rezistencë duke u drejtuar armët efektivave blu. Këta të fundit i bënë thirrje që ai të dorëzohej, por nga ana tjetër edhe Piroli ka bërë thirrje që policia të dorëzohej para tij sepse ishte Jezu Krishti.

“Ai dorëzoi fillimisht një pistoletë dhe në momentin që policia u afrua për ta kapur, autori u drejtoi pistoletën tjetër, por fatmirësisht arma nuk kishte më fishek duke bërë që të kryhej dhe kapja e 36-vjeçarit’ thanë burimet policore. Altin Piroli akuzohet se vrau mëngjesin e së martës dy vëllezërit Andre Cara, 21 vjeç dhe Gentian(Enri) Cara(Duka), 32 vjeç ndërsa plagosi Anton Gj, 47 vjeç dhe Nikoll N, 34 vjeç të cilët janë ndodhur rastësisht në vendngjarje, dhe ndodhen në Qendrën e Traumave Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë, Piroli deklaroi se dy vëllezërit i kishte vrarë pasi ata pengonin rrugën e perëndisë dhe nuk e donin atë. Më tej, ai dëshmoi se njerëzit e thërrisnin budalla dhe kjo gjë e irritonte atë. Policia tha se Piroli kishte bërë një listë me emrat e personave që do të ekzeutonte mes tyre prokuror e gjykatës, por organi i akuzës tha se letra me listën nuk është gjetur.  

Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)