SHKODER - Kujtim Vajushi, njeriu i cili u ekzekutua mëngjesin e djeshëm në tregun e qytetit të Shkodrës njihej si rival i Edmir Koçisë, (i njohur në Shkodër si Mir Koçia) i cili u vra më 28 nëntor 2012 para derës së shtëpisë së tij. Vrasja e këtij të fundit mbetet ende pa autor dhe e pazbardhur, ndërkohë që dhe ekzekutimi i 46-vjeçarit dje, në një zonë të populluar pranë tregut të Zdrales, është i mbuluar me mister për vetë mënyrën si u vra.

HETIMET PER HAKMARRJE DHE KONFLIKT BIZNESI
Policia ka nisur hetimet në 2 pista, atë të hakmarrjes dhe atë për biznesin e tij, ndërkohë që ka shoqëruar afro 15 persona mes të cilëve edhe dëshmitarë në vendngjarje. Pavarësisht dëshmive të marra nga efektivët e policisë, identifikimi i autorëve deri tani është pothuajse mision i pamundur, për shkak se autorët kanë qenë me skafanda dhe përveç syve dëshmitarët nuk kanë mundur të shohin asgjë më tepër. Një tjetër problem për grupin hetimor është edhe mungesa e gëzhojave të armës, pasi në vendngjarje nuk është gjetur asnjë e tillë edhe pse 46-vjeçari është qëlluar 2 herë sipas dëshmitarëve.

Një tjetër pistë ku është duke hetuar policia e Shkodrës është ajo e konfliktit, ku përpara disa muajsh Vajushi u përfshi me dy persona të tjerë në lokalin e tij në Shirokë. Sipas policisë Vajushi ka qëlluar dy personat që gjendeshin brenda lokalit me mjete të forta, ndërsa dyshohet se këto të fundit mund të jenë hakmarrë mbi të duke e ekzekutuar.  Po hetohet edhe aktiviteti i 46-vjeçarit pasi përpara disa muajsh Vajushi ka qenë i përfshirë në një rrjet bixhozi në qytetin e Shkodrës, ndërsa mund të ketë patur probleme apo konflikte me përsona të ndryshëm.

VRASJA E VAJUSHIT
Kujtim Vajushi u qëllua me pistoletë rreth orës 09: 30 minuta ndërsa ka qenë duke blerë pranë një shitësi ambulant. Vajushi ka qenë me shpinë nga rruga, në momentin që i është afruar një motorçikletë me dy persona dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me pistoletë. Sipas dëshmive në polici personi që ka qëlluar mbi Vajushin është afruar rreth 1 metër në afërsi të tij dhe më pas ka qëlluar nga motorçikleta e cila drejtohej nga një tjetër përson. Pas kryerjes së krimit autorët janë larguar me shpejtësi në njërën nga rrugicat e Zdrales, ndërsa 46 vjeçari Vajushit i kanë ardhur në ndihmë kalimtarët e rastit të cilët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, por për arsye të gjakderdhjes ka humbur jetën pa mbërritur në spital.
Sipas dëshmive të tyre identifikimi i autorëve ka qenë i pamundur, për shkak se dy personat që kanë qëlluar në drejtim të Vajushit kanë qenë me kapele.

KONFLIKTI I VJETER MES MIR KOÇISE E KUJTIM VAJUSHIT
Viktima Kujtim Vajushi nuk është person i panjohur për policinë e Shkodrës. 46-vjeçari është arrestuar disa vite më parë pasi në vitin 2002, gjatë një shkëmbimi zjarri me Edmir Koçinë, i cili mbeti i vrarë përpara disa muajsh në Shkodër, u vra aksidentalisht Jetmira Molla 9 vjeçe dhe u plagos e ema e saj. Ngjarja u shënua më 26 prill 2002 pranë Radio Shkodrës, në qendër të qytetit. Vajza ndërroi jetë në spital, ndërkohë që autori i dyshuar si Vajushi, u arrestua nga policia dhe kreu 5 vite burg. Megjithatë pista e kësaj gjakmarrjeje me vrasjen e djeshme, 20 janar,  është përjashtuar, pasi familja e viktimës i fali gjakun, Koçisë dhe Vajushit.

HETIMI SHTRIHET DHE PER VRASJEN E MIR KOÇISE
Efektivët e policisë po hetojnë edhe lidhjen me ekzekutimin e Koçisë përpara dy muajve, ku Vajushi është dyshuar nga të afërmit e Koçisë si person që mund të ketë dijeni mbi vrasjen e të fortit të Shkodrës.
Pavarësisht pistave mbi të cilat po heton policia ajo çfarë mbetet dyshimi kryesor ka të bëjë me ekzekutorët që sipas policisë së Shkodrës, dyshohet se janë profesionistë dhe të paguar për kryerjen e krimit. Kjo bazohet në mënyrën e kryerjes së krimit. Megjithatë familjarët e 46-vjeçarit edhe në dëshmitë e tyre në polici kanë mohuar se kanë patur konflikte apo probleme me ndonjë person. Kjo është justifikuar edhe me faktin se Kujtim Vajushi lëvizte pa probleme në të gjithë qytetin, ndërsa rrinte lirshëm në lokalin e tij në Shirokë.

Redaksia online
(eç/Shqiptarja.com)