TIRANE- Indrit e Xhoana Ndoci, autorët e vrasjes së 58 vjeçarit Ndrec Prendi u arrestuan mëngjesin e djeshëm nga policia e Lezhës në tentativë për t’u larguar nga fshati. Dy të arrestuarit, dy ditë më parë vranë me çifte dhëndrin e xhaxhait të tyre për një sipërfaqe tokë në mal, e mbjellë me gështenja. Konflikti për këtë tokë ka nisur rreth dy vite më parë dhe dy familjet janë në proces gjyqësor, pasi disponojnë secila prej tyre dokumentacionet përkatëse të tokës.

Gjatë arrestimit të dy autorëve të krimit, mësohet se nuk kanë bërë rezistencë ndaj policisë. Gjatë marrjes në pyetje, 29 vjeçari së bashku me motrën e tij më të vogël kanë pranuar se ishin ata autorë të vrasjes, ndërsa Indriti ka shtuar më tej se krimin e ka kryer i vetëm.
 
Dëshmitë
Burime nga policia lokale bënë me dije se 29 vjeçari Indrit Ndoci ka pranuar krimin që ai kishte kryer, teksa është përpjekur të mbrojë edhe motrën e tij, 24 vjeçaren Xhoana Ndocin. Gjatë fjalës së tij, ai ka treguar se ishte konfliktuar disa herë me 58 vjeçarin dhe për çështjen e tokës.

Më tej, Indriti ka sqaruar para oficerëve të policisë se situata i doli jashtë kontrollit në momentin që ka parë Ndrecën në sipërfaqen e tokës së mbjellë me gështenja. “Krimin e kam kryer i vetëm. Motra ime nuk ka lidhje me këtë gjë, pasi gjatë kohës që ajo ishte me mua i kam thënë se armën e mora me vetë sa për të trembur Ndrecën”, mësohet të ketë thënë 29 vjeçari para grupit hetimor.

Gjithashtu, gjatë arrestimit të tyre, policia i gjeti me vete edhe armën me të cilën kryen vrasjen, një çifte dhe disa fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
 
Ngjarja
Konflikt i nisur që prej kohësh midis familjes Ndoci dhe Prendi për një sipërfaqe prej rreth dy dynym tokë me gështenja që gjendet në vendin e quajtur “Lajthiza e madhe”, në fshatin Selitë, i mori jetën 58 vjeçarit. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, ku Ndrec Prendi kishte qenë duke vjelur gështenjat në pyll.

Ndërsa pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes, grupi hetimor gjeti 20 gëzhoja. 58 vjeçari ishte qëlluar me armë nga një largësi e konsiderueshme.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)