TIRANË – Është zhvilluar sot seanca në ngarkim të Aldo Hoxhës, i akuzuar si vrasës i Fatbardha Tafës. Gjatë seancës kanë dëshmuar mbesa dhe vëllai i Fatbardhës, të cilët kanë pasur mundësi sot të kenë përballë edhe vrasësin e dyshuar të motrës së tyre.

Avokati mbrojtës i Hoxhës, Sajmir Visha ka kërkuar nga Gjykata, që të japin dëshminë e tyre dhe njëherë dëshmitarët e mëparshëm, por kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata si e pa mbështetur në prova.

Në dëshminë e saj mbesa e Fatbardhës, Miranda Gjana tha për gjykatën se atë ditë kishin dalë shëtitje me tezen dhe mamanë.

Në një moment, pasi kishin krijuar pak distancë nga tezja, ka dëgjuar zhurma, ka parë dy persona, që largoheshin dhe tezen e shtrirë përtokë.

Pas dëshmisë së mbesës, ka dëshmuar dhe vëllai i Fatbardhës Jetmir Bërzhilla.

“Pasi jam njoftuar për ngjarjen, jam nisur menjëherë në spitalin Ushtarak dhe atje kam gjetur fëmijët e motrave, që qanin dhe mjekët më thanë, që Fatbardha kish ndërruar jetë”, - ka rrëfyer vëllai i Fatbardhës.

Më tej Jetmiri ka dëshmuar se ka diskutuar dhe me motrën tjetër, e cila i kishte shpjeguar se gjithçka kish ndodhur shumë shpejt, ku dy persona me motor dhe një i tretë, që vëzhgonte në cepin e rrugës i kishin sulmuar për t’i grabitur dhe më tej kishin qëlluar me thikë ndaj Fatbardhës.

Në përfundim të dëshmive, trupi gjykues ka vendosur të administrojë dëshmitë në fashikullin gjyqësor ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet më 24 prill.


Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)