Gazment Buçpapaj, i cili u arrestua mbrëmjen e të hënës në Tropojë, si autor i vrasjes së Egli Pashollarit më 20 shkurt te ish-Parku, është marrë në pyetje nga Policia për krimin e ndodhur.
Gjatë dëshmisë së tij para bluve, ai ka pretenduar se vrasjen e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, pasi ka marrë gruan nga puna është nisur për në spital.
"Gjeta rrugën të bllokuar, i rashë borisë, por viktima më shau nga makina", citohet të ketë thënë Buçpapaj.
Më tej ai tregon se pasi kanë ecur edhe rreth 100 metra Pashollari ka zbritur nga makina dhe e ka sharë sërish.
"Aty u zumë me grushte dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e godita me thikë", ka rrëfyer 40-vjeçari.
Ndërkohë edhe në dëshminë e dhënë nga gruaja e tij, Laureta Buçpapaj, sherri mes bashkëshortit të saj dhe viktimës nisi për bllokimin e rrugës.
“Bashkëshorti i ra borisë për t’i kërkuar të hapte, por shoferi na ofendoi me fjalë të rënda nga familja. Nuk e pashë momentin që ai e goditi personin tjetër me ndonjë send, por dyshoj se mund të ketë përdorur një thikë me palosje që e mbante në makinë”, tregoi ajo gjatë marrjes në pyetje.
Egli Pashollari u godit disa herë me thikë pak pas orës 15:00 nga Gazment Buçpapaj, por njëra prej tyre rezultoi fatale, në pjesën poshtë shpatullës, te e cila humbi sasi të madhe gjaku. 31-vjeçari u dërgua në spital nga dëshmitarë në vendngjarje, por mbërriti pa shenja jete. Ndërkohë autori pas ngjarjes u arratis dhe u strehua tek disa të afërm të tij në Tropojë.
Komente








