DURRËS- Një 59-vjeçar, S.M, ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës me grushte nga fqinji. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 18 në Durrës, ku 42-vjeçari Gentian Kraja ka debatuar me fqinjin për pompën e ujit në pallat. Kraja pretendonte se 59-vjeçari nuk kishte paguar 2 mijë lekë për vendosjen e pompës, njëjtë si gjithë fqinjët e tjerë, dhe për këtë arsye ka nisur një sherr në oborrin e pallatit.
Pas përplasjes verbale, Kraja e ka qëlluar fqinjin disa herë me grushte dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Fillimisht, u raportua se 59-vjeçari kishte humbur jetën për shkak të arrestit kardiak, por pas hetimeve nga blutë e Durrësit u zbulua se Markja rezulton të jetë viktimë e dhunës pas këtij konflikti.
Sipas Policisë së Durrësit, 59-vjeçari pasi është goditur me grushte, ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.
"Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në dyshimet e arsyeshme të krijuara pas humbjes së jetës së 59-vjeçarit, shtetasit S.M., ku paraprakisht u dyshua se humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, vijuan veprimet për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës.
Pas veprimeve intensive hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi G.K., 42 vjeç, më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe më pas e ka goditur me grushte, si pasojë shtetasi S.M. ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.
Fillimisht u raportua se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas dyshimeve të krijuara dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas nuk ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak", njofton Policia.
42-vjeçari u vu në pranga dhe akuzohet për veprën penale vrasje nga pakudjesia, ndërsa në dëshminë para bluve ka pretenduar se u largua nga vendi i ngjarjes pasi nuk e dinte që e kishte vrarë fqinjin.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










