Arrest në burg vendosi Gjykata e Durrësit për Fatjon Janina, 39-vjeçarin që akuzohet se vrau fqinjin e tij, Paulin Gila. Ndaj tij rëndojnë dy akuza "vrasje me dashje" dhe "prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje etë armëve të ftohta".
I pyetur nga gjyqtari Rexhep Bekteshi rreth motivit të ngjarjes, Janina mbajti të njëjtin version siç kishte thënë edhe përpara grupit hetimor në momentet e arrestimit të tij.
Sipas tij, viktima, Paulin Gila, i kishte borxh 200 mijë lekë dhe nuk ia kthente. 82-vjeçari jetonte i vetëm në apartamentin e tij, ku edhe u gjet i vdekur në lagjen 16 të qytetit të Durrësit më 30 dhjetor 2024.
Janina e pa 82 vjeçarin në shkallët e pallatit dhe i kërkoi të fliste për borxhin. Më pas u futën në shtëpinë e të moshuarit, ku pas një debati ky i fundit, sipas autorit, tentoi ta godiste me çekiç duke e quajtur dhe ‘drogaxhi’. Fatjoni gjeti një thikë dhe e gjuajti 82-vjeçarin duke i shkaktuar plagë në fyt dhe duke e lënë të vdekur në banesë.
Më pas doli nga shtëpia, duke e mbyllur derën me çelës nga jashtë dhe u largua i qetë, siç shihet edhe në këto pamje që siguroi Shqiptarja.com