Gjykata e Tiranës ka dënuar me 35 vite burg ish-policin e Ludjan Zaimi, i cili mbrëmjen e 23 majit 2022 vrau kolegun e tij në ambientet e komisariatit nr 3 në Tiranë.

Ai u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes me dashje e punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”. 

Ngjarja e rëndë u shënua brenda në ambientet e komisariatit, në zyrën e instruktazhit, pak para se të dy oficerët e Patrullës së Përgjithshme të merrnin turnin. 25 vjeçari, efektiv i policisë qëlloi 6 herë me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, 55-vjeç. 

Saliasi u dërgua me urgjencë në spital, por për fat të keq ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ludjan Zaimi kishte vetëm 1 vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, e ndërsa viktima Çaush Saliasi mbi 20 vite karrierë me uniformat blu. I riu, merrte anti-depresantë por sipas kartelës mjekësore nuk rezulton me probleme të shëndetit mendor, pretendonte se kolegu e bullizonte.