TIRANE-“Nënën e dy fëmijëve të mi ma vranë si të ishte një skenë nga lufta e Sirisë, por unë nuk hakmerrem pasi kam dy fëmijë për të rritur.

Kërkoj drejtësi dhe shoferi që shtypi Dhuratën të dënohej më e pakta 30 vite”.

Ishte ky reagimi i parë i Arjan Priftit burrit të Dhurata Priftit e cila korrikun e vitit të shkuar u aksidentua me vdekje nga shoferi 20 vjecar Andrea Manellari.

Këtë reagim Prifti e bëri pas pretencës së 20-vjeçarit, ndaj të cilit prokuroria kërkoi dënim me 10 vite burg.

arjan prifti dhe dhurata prifti
(Dhurata Prifti së bashku me fëmijët e saj dhe burri Arjan Prifti)

Gjyqi
Është zhvilluar sot gjyqi kundrejt Andrea Memollarit i cili aksidentoi me 13 korrik të vitit 2016 sportisten Dhurata Doku, teksa kjo e fundit kalonte rrugën me 2 femijët e saj. Sot u degjua pretenca, ku Prokuroria kërkoi 10 vite burg për të riun. Vendimi për Manellarin i cili kish zgjedhur të mos ishte i pranishëm këtë seancë, do të shpallet më 24 Janar.

I pranishëm në sallën e gjyqit ishte dhe Arjan Prifti, bashkëshorti i Dhurata Dokut. Ai i cilësoi të rënda rrethanat e vdekjes të së shoqes duke i krahasuar me krimet monstruoze në Siri. Babai i dy fëmijëve që sot nuk e kanë nënën gjallë i bëri thirrje trupit gjykues të dënojë maksimalisht Memolllarin.

“Fëmijëve të mi ju vra nëna para syve si në Siri. Jam prind i plagosur por nuk merrem me hakmarrje. Nëse ai nuk dënohet maksimalisht, e drejta në këtë vend ka marrë fund. Çdo shqiptar e çdo prind do dënimin maksimal të Memollarit”.

Bashkëshorti i Dhurata Priftit nëpërmjet avokates kërkoi të ishte palë në proces, por kjo kërkesë u refuzua pasi ishte paraqitur jashtë afateve.

Avokatja e familjes Prifti u shpreh në seancë se ata janë duke përgatitur dhe një padi civile për shpërblim dëmi pasi nënës së dy fëmijëve dhe bashkëshortes së Arjanit iu mor jeta në mënyrë makabre.

Ngjarja vitin e kaluar
Dhurata Doku Prifti, 37 vjeçe, kampione në qitje, bashkë me dy fëmijët e saj po kalonte në kryqëzimin e rrugës "Jordan Misja" në Unazën e kryeqytetit kur një automjet "Benz" CDI 220 ngjyrë gri me targa AA 476 GL vjen me shpejtësi i përplas të tre dhe largohet menjëherë nga vendngjarja.

Pasi përplas fëmijët ai merr para nënën që përfundon nën makinë dhe kur qytetarët i kërkojnë të ndalojë shoferi automjetit shton shpejtësinë.

Nëna e dy fëmijëve u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, me ndihmën e qytetarëve, por pas ndërhyrjes kirurgjikale s'mundi t'i mbijetojë plagëve të marra duke gjetur vdekjen. 

Andrea Manellari pas aksidentit u largua për t’u vetëdorëzuar disa orë më pas në policinë e Tiranës, por për largimin nga vendi i aksidentit ai nuk do të dënohet pasi kjo vepër penale është amnistuar.

Ajo çka mbeti mister nga prokuroria gjatë pretencës ishte fakti nëse Manellari gjatë momentit të aksidentit ishte apo jo nën efektin e alkoolit apo substancave narkotike.
Në rast të dënimit Andrea Manellari do të qëndrojë në burg jo më shumë se 6 vite pasi më parë gjykata i ka pranuar atij kërkesën për gjykim të shkurtuar çka do ti sillte automatikisht uljen e dënimit me 1/3.
andrea
(Manellari gjate nje seance gjyqesore)

Redaksia Online
d.b/Al.N/Shqiptarja.com