SHKODER-  ”S’doja ta vrisja. E bëra në gjaknxehtësi e sipër”. Ka qënë kjo deklarata e 29- vjeçarit Ermir Mark Gjergjit përpara togave të zeza në seancën e caktimit të masës së sigurisë, sot paradite në Gjykatën e Shkallës së parë të Shkodrës.

Ndërsa ka pranuar autorësinë e vrasjes së 67- vjecarit Zef Ejlli, përpara trupit gjykues ka deklaruar se policia e kishte arrestuar ndërsa po shkonte për t’u dorëzuar.

Kjo deklaratë është hedhur poshtë nga prokurori i çështjës Vat Stakaj i cili ka deklaruar se vrasja ka qënë e paramenduar pasi autori i krimit i kishte quar fjalë viktimës, 67- vjeçarit Ejlli nëpërmjet të një afërmi të tij, se në rast se nuk ndërhynte për 4 orë për të marrë masa ndaj djalit të tij që i dhunonte të motrën në Amerikë atëherë do e vriste.

Sipas prokurorit Stakaj, pa kryer afati i vendosur, 29- vjeçari e ka qëlluar 67- vjeçarin Ejlli me pistoletë me një plumb pranë derës së banesës së tij, ndërsa pas disa minutash ky i fundit ka humbur jetën.

Pasi ka dëgjuar pretendimin e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë atë të arrestit me burg, dhe kërkesën e mbrojtjes atë të caktimit të një mase më të butë ndaj 29- vjecarit ka vendosur, gjyqtari Hasan Selimi vendosi të pranojë masën e kërkuar nga prokuroria.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)