Vritet në atentat Artan Santo
Killerat "kapen" nga kamerat

TIRANE –  Vritet në një atentat mafioz Artan Santo, bankier dhe botues i njohur. Ekzekutimi është kryer në mes të ditës rreth orës 09:15 në zonën mjaft të frekuentuar të ish-bllokut në Tiranë, teksa i ndjeri sapo kishte lënë automjetin e tij për t'iu drejtuar si çdo ditë bankës Credins, të cilën e drejtonte prej vitesh. Biznesmeni është qëlluar për vdekje me 6 plumba pistolete, ndërsa një plumb në kokë dyshohet se ka qenë fatal duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
 
Dy persona te maskuar me skafandra në një motor pa targa, të veshur me të zezë, i kanë bërë pritë biznesmenit duke qëlluar fillimisht me një plumb drejt makinës së tij. Mësohet se fillimisht vrasësit e kanë thirrur në emër biznesmenin Santo, për të verifikuar nëse ishte vërtet ai dhe më pas kanë qëlluar drejt tij. Në foto të siguruara nga A1Report, duket edhe plumbi që ka qëlluar automjetin në të shtënat e para. Santo ka tentuar të largohet për t’i shpëtuar plumbave duke u drejtuar për në bankë, brenda së cilës mund të ishte i sigurtë. Por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbërrijë, pasi është qëlluar nga plumbat kur ka hipur në trotuarin para bankës, dhe në sytë e rojes private, është qëlluar edhe 2 herë të tjera sikur autorët të donin të siguroheshin për vrasjen e tij. 

Sipas dyshimeve paraprake të policisë, dyshohet se dy atentatorët të kenë qenë vrasës me pagesë, ndërsa deri më tani uniformat blu kanë listuar emrat dhe fotot e dy personave me banim në Fushë-Krujë, si të dyshuar kryesor për ekzekutimin mafioz. Sipas shoferit të Artan Santos, vrasja ka qenë e mirëstudiuar pasi siç thekson ai motorri i cili kreu atentatin mafioz ndaj biznesmenit kishte ditë që i ndiqte që nga shtëpia.

Ndërkaq, familjarët e të ndjerit kanë bërë të ditur se homazhet për të do të bëhen nesër në "Hotel Sheraton" në orën 10:00, ndërsa varrimi i tij do të bëhet po nesër në orën 16:00 pranë varrezave të Sharrës. Biznesmeni 58-vjeçar, baba i dy fëmijëve, ishte drejtor i bankës Credins, dhe botues i njohur.

Autorët, duket se kanë organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe kanë ndjekur itinerarin e biznesmenit. Ata kishin ardhur me një motor të cilindratës së lartë nga krahu i Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, e kishin pritur në rrugicën midis vilës 30 dhe bankës Credins dhe pasi e kanë qëlluar për vdekje 58-vjeçarin janë larguar për nga drejtimi i Librit Universitar. Kamerat e sigurisë në këtë zonë kanë fiksuar dy atentatorët në motor, me skafandra, me doreza dhe rroba të zeza, dhe pasagjeri, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje biznesmenin Santo, mban një çantë në sup.  Momenti i fundit i filmuar nga kamerat e sigurisë, tregon dy atentatorët menjëherë pas krimit, teksa largohen në kryqëzimin e Librit Universitar. Prej këndej me motorrin dhe me kokoret në kokë, kanë hyrë në zonën e Selitës. Informacionet janë se motorri më pas ka mundur të marrë drejtimin për në Fushë-Krujë. Në këtë drejtim janë dërguar edhe forca të shumta policore të mbështetura edhe nga helikopterët e Ministrisë së Brendshme.
 
Ndërkohë forcat e policisë kanë arrestuar sot dy persona të dyshuar si të përfshirë në krim. Në pranga ka rënë Klodjan Gjozi, pronari i motorrit të vrasësve i cili ka treguar se motorrin e ka shitur 3 muaj më parë në një servis në Rinas. Lidhur me këtë policia ka prangosur edhe pronarin e servisit, Sajmir Gjozin. Policia e shtetit ka vënë në dispozicion 100 mijë euro për këdo që jep informata lidhur me vrasësit e biznesmenit Artan Santo. 

Pasditen e sotme drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi ka mbledhur në një takim urgjent Drejtorin e Policisë së Tiranës Ardian Çipa si dhe 6 shefat e komisariateve të kryeqytetit ku ka kërkuar shtimin e kontrolleve për personat e dyshuar në vrasjen mafioze të ditës së sotme.

motoristat
(Në foto: Autoret e dyshuar për vrasjen e Artan Santo) FOTO


makina te rogner artan santo
(Në foto, atentatoret ne motorr, ne kryqezimin e Bulevardit Deshmoret e Kombit me ish-bllokun, teksa ndjekin makinen e Artan Santos)....

Didi takim me shefat e policisë Tiranës, kërkon shtimin e kontrolleve për personat e dyshuar

Ora 22:00 Pasditen e sotme drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi ka mbledhur në një takim urgjent Drejtorin e Policisë së Tiranës Ardian Çipa si dhe 6 shefat e komisariateve të kryeqytetit ku në qendër të takimit ka qenë vrasja e sotme e biznesmenit Artan Santo. Mësohet se Didi u ka kërkuar shefave të policisë së Tiranës, për shtimin e masave të sigurisë si dhe kontrolleve për personat e dyshuar në vrasjen mafioze të ditës së sotme.


Zbardhet identiteti i 2 të arrestuarve, pronari i motorrit ishte Klodjan Gjozi
Ora 21:00
Zbardhet identiteti i dy personave të ndaluar sot nga policia si të dyshuar për përfshirje në atentatin mafioz për vrasjen e Artan Santos. Pronari i motorrit me të cilin udhëtonin vrasësit, Klodjan Gjozi është arrestuar ditën e sotme, pasi vetë ai nuk ka ka deklaruar blerësin e motorrit apo një kontratë shtiblejreje.
 
Ai është arrestuar në zonën e Bubqit në periferi të Fushë-Krujës, ndërsa ka pranuar pronësinë e motorrit duke deklaruar se 3 muaj më parë e kishte shitur, në një servis pranë aeroportit të Rinasit. Pas kontrolleve policia prangosi edhe pronarin e servilit, Sajmir Gjozin.


Shoferi i Santos: Motorri na ndiqte prej ditësh nga shtëpia
Ora 20:10
 Vrasja e biznesmenit të njohur Artan Santo duket se ka qenë e mirë përgatitur. Nga dëshmia e shoferit të Artan Santos, bëhet e ditur se sipas tij, kjo motorçikletë e cila ekzekutoi sot biznesmenin, kishte kohë që ishte vënë në ndjekje të makinës dhe ndiqte itinerarin që biznesmeni bënte gjatë ditës. Sipas shoferit personal të Santos, motorri i ndiqte prej kohësh që nga shtëpia e tij e deri në punë  

Qytetarët homazhe në vendin e ekzekutimit
Ora 20:00 Qytetarë të thjeshtë i janë bashkuar  ngushëllimeve për vrasjen e biznesmenit të njohur Artan Santo. Rreth orës 20:00, nën parullat “Mafia po na vret”, qytetarë të ndryshëm kanë vendosur qirinj dhe kurora me lule në vendin ku u ekzekutua në një atentat mafioz mesditën e sotme biznesmeni. Vrasja e bankierit dhe botuesit Santo ka tronditur opinionin publik, për vetë mënyrën e ekzekutimit të tij në mes të ditës dhe në qendër të Tiranës.

ngushellim


Burime nga ekspertiza mjeko-ligjore: Plumbi në tru i shkaktoi vdekjen
Ora 18:30 Në orën 13:00 ka përfunduar edhe ekspertiza mjeko-ligjore e cila ka përcaktuar edhe shkaqet e vrasjes së të ndjerit Artan Santo. Burime për “Shqiptarja.com”, bëjnë të ditur se trupi i pajetë i Santos është tërhequr nga familjarët dhe mësohet se paraprakisht, nga ekspertiza mjeko-ligjore, ka qenë truri i cili ka kapur trurin që i ka shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme të Stanos.

Burime për "Shqiptarja.com": Policia i ka ndjekur vrasësit deri në hyrje të Fushë-Krujës
Ora 18:25
Burime nga policia e shtetit për “Shqiptarja.com” bëjnë të ditur se pas vrasjes së Artan Santos, policia është vënë menjëherë në ndjekje të tyre, ku një polic rrugor i ka ndjekur vrasësit deri në zonën e Komunës së Parisit, ku edhe i ka humbur. Më pas në afërsi të Rinasit, motorri me dy vrasësit është pikasur dhe është ndjekur nga një tjetër polic rrugor deri në hyrje të Fushë-Krujës, ndërsa atentatorët janë kthyer në Bubq, në zonën e Ishmit. Sipas të njëjtave burime, motorri i vrasësve ka qenë me shpejtësi rreth 200 km/h, ndërsa polici rrugor i ndaluar në hyrje të Fushë-Krujës ka kërkuar për përforëcime.

Familjarët: Homazhet për Santon nesër në orën 10:00, varrimi në orën 16:00
Vrasja e biznesmenit Artan Santo ditën e sotme ka shokuar të gjithë opinionin publik. Familjarët kanë bërë të ditur se homazhet për të ndjerin do të zhvillohen nesër në orën 10:00 në "Hotel Sheraton", ndërkohë që varrimi i tij do të bëhet po nesër në orën 16:00.

Njoftimi i plotë i familjes Santo:

"Familja Santo falenderon te gjithe miqte, te afermit, koleget, te njohurit e Artanit, por edhe te gjithe shqiptaret per solidaritetin dhe ngushellimet e ndjera ne kete moment kaq te veshtire. Diten e neserme, e premte 27 qershor ne oren 10.00 familja do te prese vizita dhe do te kryhen homazhe ne nderim te Artan Santos ne ambientet e Hotel Sheraton, nderkohe qe ne oren 16.00 do te zhvillohet ceremonia funebre prane varrezave te Sharres."

Policia, 100 mije euro shpërblim për informatorët
Policia e Kryeqytetit vendos në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro, për cdo informacion të vlefshëm që do të cojnë në kapjen e autorëve, duke ruajtur anonimatin.
Për cdo informacion të vlefshëm që do të cojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në cdo rast duke ruajtur anonimatin duke ju ftuar të telefononi në numrin 069  41  00003.
Krahas sa lartë, kërkojmë bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe  në numrin pa pagesë 129.
 
Shoqërohet pronari i motorit, e shiti në një servis në Bubq

Ora 14:10 Shoqërohet pronari i motorit me të cilin dy atentatorët vranë në një ekzekutim mafioz biznesmenin Artan Santo. Pronari i motorit ka cuar policinë në një servi ku ka pretenduar se ka shitur motorin. Servisi ndodhet në zonën e Bubqit në Fushë-Krujë. Gjithashtu është shoqruar edhe një person tjetër që policia ka gjetur nga policia në servis, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin mafioz.


fush kruje i ndaluar me logo

(Në foto: Një nga të dyshuarit si i përfshirë në krim duke u shoqeruar nga policia)

Oficeri i Policise Rrugore i ndaloi para atentatit dy autoret, parkuan motorin para bankes
Një oficer i Policisë rrugore është ndeshur me dy autorët e ekzekutimit të biznesmenit Artan Santo, vetëm pak momente para se të kryenin vrasjen. Polici rrugor i është afruar motorit para ngjarje, pasi ishte parkuar në një vend që nuk lejohej, në krah të trotuarit pranë Bankës Credins, ku ndodhet dhe tabela e ndalimit të qarkullimit të automjeteve. Më tej pas këtij momenti autorët kanë kryer atentatin vdekjeprurës ndaj të ndjerit Santo. Oficeri i policisë e ka pasur të pamundur të ndeshet me autorët në kushtet kur ata ishin të armatosur, por ka dhënë menjëherë drejtimin e zutorëve. Dyshohet se ata janë nisur rreth zonës së Selitës, më tej në Kamëz dhe dyshohet se destinacioni i tyre final të jetë Fushë-Kruja.

Atentatoret qëlluan fillimisht makinen, ja plumbi ne deren e pasme
A1 Report siguron një foto të makinës së biznesmenit të ndjerë Artan Santo, në derën pasme të së cilës dallohet shenja e goditjes nga një plumb. Sipas burimeve nga policia, autorët të cilët kishin mbërritur pranë bankës nga krahu i kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit, kanë qëlluar fillimisht në drejtim të makinës së parkuar ndërsa Santo kishte zbritur prej saj. Në tentativë për t’i shpëtuar plumbave të ekzekutimit, biznesmeni ka nxituar të futet në ambjentet e brendshme të bankës, ku dhe siguria është e lartë. Por fatkeqësisht nuk ka mundur t’ia dalë dot, teksa atentatorët e kanë qëlluar për vdekje me një plubm pistolete në kokë, në trotuarin vetëm pak hapa larg Bankës Credins. 

makina e artan santo me rreth  me logo

Dy atentatoret me motor dhe te maskuar
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga gazetarët e A1 REPORT, autorët e vrasjes së Santos duket se kanë organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe kanë ndjekur itinerarin e biznesmenit. Autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë.

Biznesmeni parkoi automjetin, u qellua teksa i drejtohej bankes
Biznesmeni i ndjerë Artan Stano është vrarë teksa ka lënë automjetin e tij me targa AA 111 AX në anë të rrugës pranë bankës të cilën e kishte ndërtuar dhe drejtuar vetë. 


Dy persona nga Fushe-Kruje, te dyshuar per atentatin
Policia ka listuar dy emra dhe ka dy fotot e personave që dyshohen për atentatin ndaj biznesmenit Artan Santo. Sipas policisë këta persona janë me banim në Fushë-Krujë, ndaj dhe drejt këtij qyteti janë nisur një grup i Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe sektori i krimeve të Rënda.
 
80 oficerë janë në terren duke u marrë me provat material dhe shoqërimet e personave, dëshmitarë në vendngjarje. Arben Melo dhe Dritan Nushi janë prokurorët qe merren me çështjen

Postblloqe per kapjen e autoreve ne te gjithe Tiranen
Policia dhe grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje kanë sekusetruar kamerat e sigurisë në rrugën “Ismail Qemali” në zonën e ish-bllokut, prova e vetme deri më tani për të rindërtuar ngjarjen. Në të gjitha rrugët e Tiranës janë ngritur postblloqe per te mundesuar kapjen e autoreve.
Roja, deshmitari kyç: Santo bisedoi me atentatoret para se ta vrisinin
Roja i sigurisë i cili ka parë të gjithë ngjarjes është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve.
 
Ka qenë e pamundur për të ndërhyrë me ndihmën e parë pasi biznesmeni ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Gazetari ynë Arsen Rusta raporton nga zona ku dhe ndodhi vrasja e Artan Santo



Deshmitarja: Santo ishte i vetem, prane tij vetem roja i sigurise
Një luleshitëse në trotuarin përballë bankës Credins ku u ekzekutua biznesmeni Artan Santo, rrëfen për mikrofonin e A1 REPORT, se e pa të ndjerin Santo t’i drejtohej bankës ashtu sic bënte cdo mëngjes. Ajo tregon se 58-vjeçari ishte i vetëm, dhe se pranë tij, në kabinën në hyrje të bankës ndodhej roja i sigurisë. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati