Vrojtimi i Bankës Botërore për 2019: Në Shqipëri rritje e dukshme e perceptimit të ndërmarrjeve për korrupsionin

Vrojtimi i Bankës Botërore për 2019: Në Shqipëri rritje e dukshme e perceptimit të ndërmarrjeve për korrupsionin

Rezultatet e Vrojtimit të ndërmarrjeve për Shqipërinë të përgatitur nga Banka Botërore, flasin për një pamje të larmishme të mjedisit të biznesit në të cilën veprojnë kompanitë shqiptare. Vrojtimi bën një renditje të pengesave që has biznesi bazuar në përgjigjet e të intervistuarve, duke përmbledhur kështu sfidat kryesore në mjedisin e biznesit.

Vrojtimi tregon se firmat në 2019 paraqiten më mirë se ato në 2013. Përshembull rritja reale e shitjeve vjetore është shumë më e lartë se në 2013 dhe po kështu rritja e punësimit vjetor.Po kështu, kompanitë janë dy herë më shumë të prirura të investojnë për prona të paluajtshme sesa në 2013, shenjë e rëndësishme kjo e zhvillimit pozitiv të sektorit privat.

Megjithatë, produktiviteti është ende i ulët duke i penguar firmat të rriten e krijojnë më shumë vende pune.

Që nga viti 2013, ekonomia shqiptare ka parë një rritje të konsiderueshme në perqindjen e mallrave që firmat eksportojnë në tregjet ndërkombëtare, theksojnë autorët e studimit. Pesëmbëdhjetë përqind e firmave në 2019 nga nëntë përqind në 2013, eksportuan drejtpërdrejt të paktën 10 përqind të shitjeve të tyre. Shqipëria tani është në mesataren e shifrës së vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore (ECA) për këtë indikator domethënës të veprimtarisë eksportuese.

Me zgjerimin e ekonomisë dhe bizneset sofistikohen në kërkesat e tyre në rritje për një mjedis biznesi me cilësi të lartë. Kjo përfshin qasjen në një gamë më të gjerë të instrumenteve financiare, fuqi punëtore të kualifikuar, sistem gjyqësor të drejtë dhe efikas, cilësi më të mirë të infrastrukturës dhe shërbimeve publike.

Për të kapërcyer mospërputhjen e aftësive me kërkesat, ndërmarrjet shqiptare punësojnë më shumë punëtorë, investojnë më shumë në trajnimin e punëtorëve të tyre dhe rinovimin e produkteve ose proceseve të tyre të biznesit. Të dhënat tregojnë një shkallë më të lartë të inovacioneve për firmat private në 2019 krahasuar me vitin 2013. Tetëmbëdhjetë përqind e firmave prezantuan një proces inovacioni në vitin 2019, përkundrejt 4 përqind në 2013. Dyzet e dy përqind e firmave raportuan prezantimin e një produkti ose shërbim të ri në 2019 në krahasim me 10 përqind në 2013, ndërsa mesatarja e ECA është 29 përqind. Përqindja e firmave që investojnë në Kërkim dhe Zhvillim u rrit nga 1 përqind në 2013 në 15.4 përqind në 2019.

Sipas vrojtimit, tregu i punës është bërë më gjithëpërfshirës: përqindja e firmave me gra sipërmarrëse është rritur nga 13.1 përqind në 2013 në 20.7 përqind në 2019, ndërsa përqindja e grave të punësuara me kohë të plotë në mënyrë të përhershme u rrit nga 45.4 përqind në 2013 në 52.8 përqind në vitin 2019.

Sondazhi gjithashtu tregon se ka përmirësime që nga viti 2013 në lidhje me rregulloret. Menaxheret e lartë të firmave private tani kalojnë vetëm 2.3 përqind të kohës së tyre për t’u marrë me rregulloret e nxjerra nga qeveria, përkundrejt 7 përqind në 2013. Mesatarja e ECA është 11 përqind, dukshëm më e keqe se ajo që ka arritur Shqipëria.

Nga ana tjetër, matësi i përgjithshëm i perceptimit të korrupsionit dhe ryshfetit është rritur dukshëm në krahasim me anketën e mëparshme. Sidoqoftë, sondazhet mbi perceptimet e bizneseve duhet të interpretohen me kujdes dhe rezultatet e përgjithshme duhet të shihen në detaje. Për shembull, pjesa e firmave që e quajnë korrupsionin si pengesën e tyre kryesore nga viti 2013 ka një rritje mjaft të vogël nga 6 në 8 përqind. Gjithashtu, shumë përgjigje sugjerojnë përmirësime. Për shembull, në procesin e sigurimit të kontratave nga qeveria, pjesa e firmave që raportojnë korrupsion u ul nga 40 përqind e firmave në 2013 në 15 përqind në 2019. Përveç kësaj, korrupsioni në procesin e marrjes së lejeve të ndërtimit ka rënë nga 32 përqind e firmave të anketuara në 2013 në 17 përqind në 2019. Matës specifik ku perceptimi i korrupsionit është rritur janë: gjatë ndërveprimit me administratën tatimore, procesi i marrjes së licencave të importit, në vendosjen e lidhjes së energjisë dhe ujit.

Në përgjithësi, siç mbështetet nga gjetjet e këtij studimi, mjedisi i biznesit në Shqipëri mund të përfitojë ndjeshëm duke vazhduar progresin në reformat që lidhen me sistemin e drejtësisë, qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve publike, arsimin, infrastrukturën dhe qasjen në financa.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu