Vuçiç: Zhvillimi i raporteve Prishtinë-Athinë, lajm jo i mirë

Presidenti serb Aleksander Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se Greqia e siguron Beogradin se nuk do ta njohë Kosovën, por sipas tij, zhvillimi i raporteve mes Prishtinës dhe Athinës “nuk është lajm i mirë” për Serbinë.

Kështu u përgjigj ai kur u pyet lidhur me mundësinë e njohjes së Kosovës nga ana e Greqisë.

"Nuk do të doja të flisja para se të dimë diçka. Meqenëse ka pasur disa ndryshime në marrëdhënie, pres që të shoh nëse bëhet fjalë thjesht për një zyrë tregtare apo diçka më shumë midis Greqisë dhe Kosovës, siç thonë ata, domethënë mes Prishtinës dhe Athinë. Do ta shohim", i tha presidenti Vuçiç televizionit Pink.

Greqia dhe Kosova së fundmi kanë thelluar bashkëpunimin kryesisht në sektorin e ekonomisë. Më fund të muajit prill Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) dhe ajo e Greqisë, kanë mbajtur forumin e tretë ekonomik Kosovë-Greqi, me fokus në sektorin e energjisë.

Sipas një komunikate të MPJ-së në Kosovë forumi është organizuar nga dy ministritë në koordinim me Zyrën Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës në Athinë dhe në bashkëpunimin me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odën Ekonomike dhe Industriale të Pireut në Athinë.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.

Më 19 prill ambasadorja Chryssoula Aliferi, udhëheqëse e Zyrës ndërlidhëse të Athinës në Prishtinë, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se pozicioni i Greqisë karshi pavarësisë së Kosovës, "mbetet i pandryshuar”, por Greqia e mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në këtë kontekst, e mbështet edhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Në këtë sfond, Greqia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së", tha Aliferi.

Aliferi po ashtu përsëriti se Athina zyrtare e ka ftuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvallën për vizitë zyrtare në Greqi dhe se “data për këtë do të caktohet me kohë”.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, në një përgjigje për REL ka konfirmuar se Gërvalla do ta vizitojë Athinën.

Më 15 prill, gjatë një takimi me Aliferin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që Greqia t'i bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti beson se ekziston një mundësi e madhe që Greqia së shpejti ta njohë Kosovën dhe ai vlerëson se ky shtet nuk e ka bërë deri më tani një gjë të tillë, për shkak të problemeve që ka me Qipron.

Hoti thekson se është shumë me rëndësi për Kosovën që në këtë kohë të sigurojë njohje nga njëra prej pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Nga këto pesë shtete, unë mendoj se Greqia do të jetë e para që do ta njohë Kosovën”, tha Hoti.

Në anën tjetër, Lulzim Peci, ish-diplomat dhe njëherësh drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, thotë se Kosova nuk mund të bëjë asgjë që të ndikojë në vendimin e Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhe Spanjës për ta njohur Kosovën./ REL 

J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit: si te duket?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Në Shqipëri në kërkim për vrasjen e babë e bir, Florenc Çapja prej ditësh lihet i lirë në Dubai