Juristi Kreshnik Spahiu e ka cilësuar të drejtë dhe të bazuar në të drejtën ndërkombëtare reagimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pas deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër. I ftuar në Report TV, Spahiu tha se mesazhi i Tiranës i kujton Beogradit detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Spahiu e cilësoi “pafytyrësi” qëndrimin e Vuçiçit, duke e akuzuar se po e përdor çështjen e Ibrit për retorikë nacionaliste dhe për interesa politike. Sipas tij, presidenti serb është toleruar për vite nga faktori ndërkombëtar, ndërsa mosmarrëveshje të tilla duhet të zgjidhen në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe jo me kërcënime.

“Mendoj që qëndrimi i z. Hoxha është koherent dhe një mesazh i drejtpërdrejtë për ata që dinë të lexojnë të drejtën ndërkombëtare dhe gjuhën diplomatike. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka përcjellë një mesazh të qartë dhe një reagim ligjor, duke treguar edhe mjetet me të cilat duhet të mbrohet Kosova, duke i kujtuar Beogradit dhe Aleksandër Vuçiçit se ka disa parime të së drejtës ndërkombëtare dhe disa konventa për mbrojtjen e ujërave ndërkufitare, që asnjë regjim dhe asnjë qeveri nuk mund t’i devijojë apriori pa marrëveshje mes palëve apo shteteve, duke parandaluar një qëllim që mund të jetë shumë çnjerëzor dhe në dëm të interesave të popullit të Kosovës dhe lirive themelore të tij. Mesazhi është i qartë se konflikte të tilla zgjidhen në gjykatat ndërkombëtare, ku shtetet, në mënyrë abuzive, devijojnë burimet ujore në dëm të shteteve kufitare. Reagimi është i drejtë. Vuçiçi e përdori Zelenskin për fushatë elektorale, madje edhe këtë çështje po e përdor për të rritur tonet nacionaliste. Vuçiçi ka treguar se di të notojë në mënyrë spekulative, qoftë në diplomacinë e partnerëve nga Pekini në Uashington, nga Moska në Londër, tani e filloi me Kievin dhe po e mbyll me Ibërin. Është një pafytyrësi e Vuçiçit, që jo vetëm e meriton të largohet nga skena politike, por edhe të braktiset nga faktori ndërkombëtar, i cili e ka llastuar dhe ledhatuar shumë, me idenë se ai mund të bindej për t’u përfshirë në aleancat perëndimore. Ideja e BE-së ka qenë për ta tërhequr dhe bindur Vuçiçin, i cili ka luajtur dhe spekuluar, ka ruajtur marrëdhëniet me armiqtë e BE-së dhe ka ndjekur një politikë antiamerikane, pavarësisht milionave të derdhura nga SHBA”, tha Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: E turpshme përdorimi elektoral që Vuçiç i bëri Zelenskyt kundër Kosovës