Presidenti Aleksandër Vuçiç do të mbërrijë ditën e sotme në Tiranë, në kuadër të takimit të radhës për Ballkanin e Hapur. Në lidhje me këtë vizitë kanë reaguar edhe mediat serbe, të cilat i kanë kushtuar vëmendje protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, kundër presidentit të Serbisë dhe nismës ‘Ballkani i Hapur.

Sipas asaj që shkruan media serbe ‘Novost’, ‘ekstremistët shqiptare’ me ndihmën e tre politikanëve shqiptare po përgatiten për një protestë kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç, kur të mbërrijnë në Tiranë.

Media serbe shkruan se sipas burimeve të saj, organizatorë të protestës janë Sait Dollapi, ish-sekretar organizativ i Partisë Demokratike (PD), Agron Kuliçaj dhe Sali Lushaj, ish truprojat e Sali Berishës.

“Berisha ka kontaktuar personalisht me Ramush Haradinajn për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në këtë protestë”, pretendohet se ka thënë një burim i medias serbe.

Lushaj dhe Dollapi thuhet se kanë udhëtuar për në Kosovë për të organizuar ardhjen e “ekstremistëve” nesër dhe pasnesër në Tiranë. Gjithashtu thuhet se protestën e ka përkrahur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Hyrja e “ekstremistëve” në territorin e Shqipërisë pritet që të bëhet përmes Morinës, ”në mënyrë që policia të mos i kthejnë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të jenë në Shqipëri në datat 20 (nesër) dhe 21 dhjetor, në kuadër të samitit për nismën 'Open Balkan'.

Mësohet se punimet do të zhvillohen në ambientet e Hotel MacAlbania (ish-Sheraton) në qendër të Tiranës dhe do të fillojnë në orën 10.00. Ditën e martë, pasdite do të ketë edhe një konference për shtyp të kryeministrit Edi Rama, presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se Zaev do të shoqërohet nga zv.ministri i Financave maqedonas, i cili në ditët e para të Janarit pritet të zëvendësojë Zaev në detyrën e Kryeministrit. Kësisoj duket se vazhdimësia e mbështetjes maqedonase për Ballkanin e Hapur do të ekzistojë edhe pse kreu i qeverisë pritet të zëvendësohet shpejt.

Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës 'Open Balkan' u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet. Për 3 drejtuesit e 3 vendeve "Open Balkan" është një lëvizje që ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës për qytetarët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:34
U përfol në mediat Serbe si nxitës i ‘ektremistëve’ të Kosovës drejt protestës së Tiranës, Dollapi e kundërshton: Një sajesë fund e krye

Një vizitë e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç pritet të ndodhë ditën e sotme në Tiranë në kuadër të Ballkanit të Hapur. Me ardhjen e Vuçiç në Tiranë mediat serbe kanë paralajmëruar edhe një protestë nga Sali Berisha i cili është kundër Ballkanit të Hapur si dhe kundër Presidentit serb. Në mediat serbe theksohen dy emra të cilët do të ishin nxitësit e ekstremistëve të Kosovës drejt Tiranës.

‘Lushaj dhe Dollapi thuhet se kanë udhëtuar për në Kosovë për të organizuar ardhjen e “ekstremistëve” nesër dhe pasnesër në Tiranë’, shkruhet në mediat serbe.

Menjëherë pas këtij shkrimi dhe shpërndarjes nëpër rrjete sociale ish administratori i përgjithshëm i kompanisë CEZ dhe ish sekretari organizativ i PD-së, Sahit Dollapi e ka kundërshtuar tërësisht këtë deklaratë dhe përfshirjen e tij në protestë.

‘Nuk e di, se cilat janë qëllimet që ndjek media serbe me përhapjen e këtij lajmi. Une di se, sa më përket mua, lajmi është sajesë fund e krye.

Unë nuk jam më funksionar politik dhe aktualisht nuk jam i përfshirë në asnjë veprimtari politike, sikurse nuk është e vërtetë që të kem shkuar se fundmi në Kosovë, aq më pak për të organizuar ndonjë tubim.

Përhapja e lajmeve të rreme mund t’i duhet Novostit për të mbajtur gjallë në Serbi “klimën” e përplasjes midis dy kombeve’, shprehet Dollapi.

Ora 22:14
Babai i tij një nga organizatorët e protestës kundër Vuçiç, Stresi konfirmon pjesëmarrjen: Jo kundër mysafirit, por të zotit të shtëpisë

Stresi ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën që ka thirrur Sali Berisha, kundër ardhjes së presidentit Aleksandër Vuçiç nesër në Tiranë, protestë e cila sipas mediave serbe ka si organizator edhe babain e këngëtarit, Sali Lushjan. Stresi thotë se nesër është në protestë, jo kundër mysafirëve, por kundër të zotit të shtëpisë.

‘Nesër do jem në protestë jo për të protestuar kundër mysafirëve, por kundër të zotit të shtëpisë. Kundër të zotit të shtëpisë që nuk përfaqëson dot shumicën e shqiptarëve, ndonëse në zgjedhjet e fundit ishte më i votuar se pengu i tij. Ai nuk u votua nga shumica absolute e shqiptarëve.

I zoti i shtëpisë nuk mund të shpallë mikun e tij personal si mik të Shqipërisë. As të Shqiptarëve. Aq më keq kur ulet në krah të tij dhe përballë Kosovës, shqiptarëve! Ky pozicion politik i qeverisë sonë është i papranueshëm! Kush nuk njeh Kosovën nuk respekton as Shqipërinë!

Mysafirin ta rehatojnë si mysafir, por jo si mik të Shqipërisë e shqiptarëve, të cilët ende nuk i njeh si shtet e as i respekton si komb.  Protesta është jeta e një kombi dhe zemra e demokracisë. Do jem aty si qytetar, patjetër!’- shkruan Stresi.