SERBI- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka shpërndarë parlamentin që u zgjodh më 3 prill 2022. Ditën e sotme Vuçiç shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare më 17 dhjetor. Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare që mbahen në Serbi në një periudhë kohore prej 3 vitesh e gjysmë.
Teksa nënshkroi dekretin për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, Vuçiç u shpreh se është e rëndësishme që të jenë bashkë për të ruajtur interesat kombëtare të Serbisë, ndërsa po përballen me presione të shumta për shkak të tensioneve me Kosovën.
“Po jetojmë në kohë të vështira për mbarë botën, në kohën e sfidave globale, luftërave dhe konflikteve, në kohën kur është e nevojshme që të gjithë të jemi të bashkuar në luftën për ruajtjen e interesave jetike kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Serbisë, një kohë kur do të përballemi me presione të shumta për shkak të marrëdhënieve me Kosovën dhe çështje të tjera rajonale dhe botërore”, tha Vuçiç.
Zgjedhjet do të mbahen edhe për asambletë lokale në 65 qytete dhe komuna. Kjo u njoftua nga kryeparlamentari, Vladimir Orliç. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, në mënyrë që sipas tij, Serbia si shoqëri të tregojë “kapacitetin e saj të plotë demokratik”.
Më 30 tetor, Qeveria e Serbisë i propozoi Vuçiçit që të shpërndante Parlamentin. Pushteti në Serbi është përballur me trysni në rritje nga opozita pas dy sulmeve masive në pranverën e këtij viti që lanë pas 17 të vrarë, duke nxitur zemërimin e publikut dhe protesta masive kundër qeverisë. Shallja e zgjedhjeve të reja vjen edhe në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë shumë të larta, që pas sulmit në veri ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa ndërkombëtarët po vijojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripëtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.