Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, u pajtuan që të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca serbe, pas takimit midis Vuçiçit dhe Hillit më 23 maj.
“Bisedimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet e hapura, si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.
Sipas njoftimit, ambasadori Hill theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin me partnerët e BE-së në drejtim të vazhdimit të dialogut, që do të sjellë rezultate konkrete. Ai po ashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për integrimin evropian të Serbisë dhe shteteve të tjera të rajonit dhe pozicionin e Uashingtonit se Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve më 2011. Deri më tani janë arritur mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.
Më 14 maj, Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Presidenca serbe tha se Vuçiç gjatë takimit me ambasadorin Hill ka “theksuar përpjekjet e Serbisë që kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe ka thënë se “Serbia është nismëtare e disa projekteve që lidhin në mënyrën më të mirë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.
“Ne po ashtu mbështesim nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo nismë të zhvillohet më shpejt”, citohet të ketë thënë ambasadori Hill.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Iniciatorët e Ballkanit të Hapur deri më tani nuk ia kanë dalë që t’i bindin edhe tri shtetet e rajonit – Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën – të bëhen pjesë e kësaj iniciative.
Kjo nismë ka për qëllim të lehtësojë lëvizjen e kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor./REL