Vuçiç takim me ambasadorin rus në Serbi, diskutojnë për Kosovën

Vuçiç takim me ambasadorin rus në Serbi, diskutojnë për Kosovën

Aleksandar Vuçiç dhe Aleksandr Botsan-Kharchenko

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua të enjten me ambasadorin e Rusisë në këtë vend, Aleksandr Botsan-Kharchenko, me të cilin, siç tha, bisedoi për situatën në Kosovë dhe mundësinë “e hapjes me forcë” të urës mbi lumin Ibër.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç shkroi se ka pasur “një bisedë të hapur dhe të sinqertë me ambasadorin Botsan-Kharchenko për të gjitha temat me interes për Serbinë dhe për Federatën Ruse, si dhe për qëndrimet e Serbisë në lidhje me zhvillimet aktuale gjeopolitike globale”.

“Unë shpreha shqetësim të thellë për pasojat e mundshme që mund t’i ketë hapja me forcë e urës së Ibrit, si dhe për aktivitetet e tjera të planifikuara të regjimit të Prishtinës, të drejtuara kundër popullit serb në Kosovë”, shkroi Vuçiç, por pa dhënë detaje apo burime informacioni për planet që i përmendi.

Vuçiç, po ashtu, e falënderoi Rusinë për mbështetjen e vazhdueshme diplomatike për Rezolutën 1244 të OKB-së, si garanci të vetme ndërkombëtare për, siç tha, mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Një ditë më herët në Beograd, Vuçiç diskutoi për të njëjtat tema me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, Boris Ruge.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njoftoi qysh në mes të korrikut se synon ta hapë urën kryesore mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse është rënë dakord që të hapet për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, shtetet e QUINT-it - SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia - njoftuan më 2 gusht se nuk e mbështesin hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve tash për tash, duke thënë se një gjë e tillë mund të çojë në tensione të reja në Kosovë.

Rusia dhe Serbia konsiderohen si vende miqësore dhe Beogradi e ka mbështetjen e Moskës në refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse Beogradi zyrtar ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që e kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës, Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pavarësisht presionit nga Perëndimi.

Krahas bashkëpunimit politik, dy vendet po zhvillojnë edhe atë ushtarak dhe ekonomik.REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarjet e fundit në vend ju shqetësojnë për nivelin e sigurisë?



×

Lajmi i fundit

Në Afrikë gjendet një nga diamantet më të mëdhenj në botë! 2 492 karatësh

Në Afrikë gjendet një nga diamantet më të mëdhenj në botë! 2 492 karatësh