Arrestimi i Ballistit dhe anulimi i vizitës së Hashim Thaçit në Elbasan, duket se i kanë hapur rrugën kryeministrit të Serbisë, Vucic që të jetë i pranishëm për të ndjekur ndeshjen e shumëpritur.
 
Mediat serbe kanë zbuluar një pjesë të axhendës së kryeministrit neser, që lidhet me një takim me një zyrtar britanik, Philip Hammond.
 
Por vetë Vucic, apo stafi i tij nuk e kanë përgënjeshtruar zyrtarisht vizitën në Shqipëri, të martën kryeministri serb deklaroi se do të komunikonte me Ramën për t’u njohur me të ftuarit e tjerë dhe më pas do të fliste.
 
Deklarata e serbit ishte presion i hapur pas përgjigjes së Morinës se do të ishte në stadium pas vendimit të FSHF, por arrestimi i tij dhe anulimi i vizitës së Thacit i kanë hapur rrugën kreut të qeverisë së Beogradit.
 
Shanset janë reale që Vucic të jetë në Elbasan, pasi fluturimi me charter pas përfundimit të takimit me zyrtarin britanik nuk do t’i merrte shumë kohë.
 
Ndërsa mungesa do të ishte edhe humbje besimi te europianët dhe sidomos te Merkel, pasi pak kohë më parë deklaroi publikisht pas Samitit të Vjenës se do të ishte në Shqipëri, ndërsa pjesë e kësaj nisme janë edhe 70 studentët që do të jenë në stadium.
 
Tashmë pyetja që ngrihet është, a do ta shkelë Vucic fjalën e tij duke tradhtuar njëkohësisht besimin e Merkel dhe studentët bashkë me kombëtaren që do të jenë në Elbasan?
 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)