Aleksandar Vuçiç ka vijuar përplasjet me Listën Studentore edhe në ditën e dytë të Kuvendit të ri të Serbisë, ku ish-presidenti tashmë është deputet i opozitës. Seanca e së mërkurës u përqendrua te zgjedhja e kryetarit të Parlamentit, por diskutimet tepër të  gjata dhe akuzat mes palëve penguan kalimin në votim. 

Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet dhe ka shumicën parlamentare, ka propozuar Aleksandar Çupiçin për kryetar Kuvendi. Përballë tij është Stojan Radenoviç, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiçit.

Gjatë seancës, deputetët e studentëve akuzuan opozitën se po zvarriste procesin. Njëri prej tyre, Slobodan Bubnjeviç, vuri në dukje se Vuçiç kishte marrë fjalën 29 herë, ndërsa përfaqësuesi i Listës Studentore vetëm dy herë.

“Do ta marr fjalën edhe 20 herë të tjera, që qytetarët të dëgjojnë të vërtetën”, iu përgjigj Vuçiç.

Për të përshpejtuar zgjedhjen e kryetarit, Lista Studentore vendosi të hiqte dorë nga fjalimet e deputetëve të saj.

“Siç e shoh, disa këtu ende nuk e kanë kuptuar se Lista Studentore i fitoi zgjedhjet. E kuptoj që e keni të vështirë dhe po kërkoni hapësirë për të vazhduar tiradat dhe trillimet tuaja”, deklaroi përfaqësuesi i studentëve, Jugoslav Gashiç.

Por Vuçiç tha se nuk kishte asnjë detyrim t'i dilte në ndihmë Listës Studentore. Ai paralajmëroi se deputetët e opozitës do t'i përfundonin diskutimet deri të enjten në orën 13:00 dhe se kryetari i Kuvendit mund të zgjidhej pasditen e asaj dite.

Vuçiç kërkon shpjegime për shtatë apartamentet e kandidatit të studentëve

Përplasjet nuk u kufizuan vetëm te kohëzgjatja e seancës. Vuçiç ngriti akuza edhe ndaj Aleksandar Çupiçit, kandidatit të Listës Studentore për drejtimin e Parlamentit.

Ai deklaroi se kishte marrë informacione sipas të cilave Çupiç zotëron shtatë apartamente në një ndërtesë në Beograd dhe kërkoi që ai t'u shpjegonte qytetarëve origjinën e kësaj pasurie.

Deputetë të tjerë të SNS-së pretenduan se Çupiç kishte qenë investitor në ndërtim dhe se nuk e kishte përfshirë këtë fakt në biografinë e tij. Ata vunë në diskutim edhe mënyrën se si ishte prezantuar titulli i tij akademik.

Deputetët e Listës Studentore i kundërshtuan këto akuza. Dejan Shoshkiç kujtoi se çdo deputet ka detyrimin të deklarojë pasurinë pranë Agjencisë për Luftën kundër Korrupsionit.

Shaip Kamberi: Bashkëpunim me pushtetin e ri, por jo në kurriz të shqiptarëve

Në seancën e së mërkurës foli edhe deputeti shqiptar Shaip Kamberi, i cili shprehu gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim me përfaqësuesit e rinj të pushtetit në Serbi.

Kamberi theksoi se ky bashkëpunim nuk do të bëhet në dëm të interesave të pakicës kombëtare shqiptare. Sipas tij, kërkesat e shqiptarëve mbeten të njëjta, me theks te barazia në institucionet shtetërore dhe në jetën e përditshme.

Ai njoftoi gjithashtu, në emër të deputetit Ahmedin Shkrijelj, se Partia e Veprimit Demokratik e boshnjakëve do të mbështesë kandidaturën e Aleksandar Çupiçit për kryetar të Parlamentit.

Mbështetje për kandidatin e Listës Studentore shprehën edhe disa përfaqësues të partive të pakicave të tjera kombëtare.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:52
Studentët rrëzuan Vuçiçin nga pushteti, Koalicioni Shqiptar mbështet kandidatin e tyre për kryetar Kuvendi, Kamberi: Të gatshëm për partneritet, por barazia e shqiptarëve nuk negociohet

Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me pushtetin e ri të dalë nga zgjedhjet e 25 tetorit, por nuk do të heqin dorë nga kërkesat për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Këtë qëndrim e bëri të qartë deputeti Shaip Kamberi gjatë seancës plenare të Parlamentit serb, ku shprehu gatishmërinë për dialog dhe partneritet me autoritetet e reja. Koalicioni Shqiptar ka shprehur gjithashtu mbështetjen për Aleksandar Çupiçin, kandidatin e Listës Studentore për kryetar të Kuvendit.

“Do ta mbështesim çdo nismë dhe jemi të gatshëm për partneritet në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por nuk do të heqim dorë nga parimet dhe kërkesat tona”, deklaroi Kamberi.

Ai theksoi se kërkesat e shqiptarëve nuk janë të reja dhe se shumë prej problemeve me të cilat përballen vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Mes tyre renditi përfaqësimin real të shqiptarëve në institucionet shtetërore, njohjen e diplomave, ndalimin e pasivizimit të adresave, përmirësimin e arsimit dhe sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Kamberi kërkoi gjithashtu zhbllokimin e fondit që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga institucionet e Kosovës.

“Vetë e drejta për barazi nuk është e negociueshme”, theksoi deputeti shqiptar.