Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Hungaria e kupton në mënyrë të përsosur situatën në Kosovë dhe se ka hasur mirëkuptim me Viktor Orban.
Vuçiç është takuar të dielën në Budapest me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
“Do të kemi mirëkuptim më të mirë dhe më të madh se 20-25 vjet më parë dhe ai trend i mirëkuptimit të ndërsjellë do të vazhdojë, sepse ne sillemi si miq të ngushtë dhe të ndershëm”, ka thënë Vuçiç në konferencë për media pas takimit me Orbanin.
Vuçiç është pyetur nga gazetarët për reagimin që ka bërë presidenti i Partisë Socialdemokrate (SD) në Mal të Zi, Damir Shehoviç, që tha se “Serbia po e kërcënon sërish Malin e Zi”.
Shehoviç reagoi në platformën “X” pasi ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, në një intervistë për “TV Pink” tha se “Mali i Zi e Maqedonia e Veriut kanë gabuar në lidhje me Serbinë duke njohur pavarësinë e Kosovës”. Vuçeviq tha se “kjo do t’i godasë në kokë, siç po i godet në Ukrainë të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur, hapën kutinë e Pandorës”.
Shehoviç në reagimin e tij tha se ata që “nuk e kanë të qartë nëse politika e Putinit në Ukrainë është agresore apo çlirimtare, nuk duhet të jenë pjesë e një qeverie pro-evropiane dhe pro-NATO”.
E presidenti i Serbisë, Vuçiç kur u pyet nga gazetarët tha se “janë budallallëqe të mendohet se Serbia po e kërcënon Malin e Zi”. Ai pyeti se kush është Shehoviçi.
“Nëse ndahet Ulqini apo Plava, ne do ta pranojmë menjëherë dhe nëse nuk na dërgoni shampanjë, do të themi se po na kërcënoni? Është sikur kur Kurti shkakton trazira, e ata thonë se Kurti nuk është fajtor, por Vuçiçi që se ka pranuar Kosovën. Ne ta kërcënojmë Malin e Zi? Çfarë budallallëqe janë këto, as që na shkon në mendje kjo. Ne vetëm pyesim se si është pozita e serbëve. Nuk mund të na ndaloni të pyesim se çfarë po ndodh me 30 për qind sa janë serbë në atë vend. Gjermanët në Hungari kanë çdo gjë – nga kopshtet deri te shkollat. E në Hungari ka shumë pak gjermanë. E në Mal të Zi ka 30 për qind serbë e nuk kanë asnjë të drejtë. Është më mirë t’u bëjmë kartolina të veçanta falënderimi për të gjithë ata që e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Vuçiç./koha.net/