Washington Post: SHBA kishte informacione mbi planet e ukrainasve për të sulmuar gazsjellësin ‘Nord Stream’

 Washington Post: SHBA kishte informacione mbi planet e ukrainasve për të sulmuar gazsjellësin ‘Nord Stream’

Shtetet e Bashkuara mësuan për një plan ukrainas për të sulmuar tubacionet e gazit natyror ‘Nord Stream’, tre muaj përpara se ato të dëmtoheshin nga disa shpërthime nënujore, njoftoi të martën gazeta ‘Washington Post’, duke cituar informacione të rrjedhura, të postuara në internet.

Sipas gazetës, Agjencia amerikane e Zbulimit, CIA, mësoi qershorin e kaluar nga një agjenci evropiane spiunazhi, se një ekip prej gjashtë personash, i forcave të operacioneve speciale ukrainase, synonte të hidhte në erë projektin ruso-gjerman.

Dyshohet se informacionet e zbulimit u shpërndanë në platformën sociale ‘Discord’, nga punonjësi i Gardës Kombëtare Ajrore, Jack Teixeira, ndaj të cilit janë ngritur tashmë akuza për rrjedhje të dokumenteve sekrete amerikane. ‘Washington Post’ bëri të ditur se kishte marrë një kopje të informacioneve të zbulimit, nga një prej miqve online të zotit Teixeira.

Sipas ‘Washington Post-it’, plani ukrainas u mësua nga informacioni i marrë nga një individ në Ukrainë, duke shtuar se CIA e kishte ndarë atë me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane, që në qershor të vitit të shkuar.

Në artikull thuhet se zyrtarë të shumë vendeve kishin konfirmuar se përmbledhja e informacionit të zbulimit, postuar në ‘Discord’, përshkruante me saktësi atë që shërbimi evropian i kishte thënë CIA-s.

Sulmi rus ndaj Ukrainës tërhoqi vëmendjen ndaj çështjes së varësisë së Evropës nga gazi natyror rus. Dëmtimi i tubacioneve ‘Nord Stream’ përshpejtoi kalimin e rajonit, tek burime të tjera të furnizimit me hidrokarbure.

‘Nord Stream 1’ dhe ‘Nord Stream 2’, secili i përbërë nga dy tubacione, u ndërtuan nga kompania shtetërore ruse ‘Gazprom’, dhe pritej të transportonin 110 miliardë metra kub gaz natyror në vit, në Gjermani.

‘Washington Post” bëri të ditur, se kishte vendosur të mos e publikonte emrin e agjencisë evropiane të zbulimit, si dhe disa aspekte të planit të dyshuar, me kërkesë të zyrtarëve qeveritarë, për shkak të rrezikut që i kanosej burimeve dhe operacioneve të zbulimit.

CIA nuk i është përgjigjur ende një kërkese për koment.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të hënën se hetimet për sulmin ndaj ‘Nord Stream-t’ po vazhdojnë ende.

"Gjëja e fundit që ne do të duam të bëjmë nga ky podium është t'i paraprijmë hetimeve", tha zoti Kirby kur u pyet nga gazetarët lidhur me artikullin e ‘Washington Post-it’ për këtë çështje.

Agjencia ‘Reuters’ nuk ka mundur ta konfirmojë informacionin e zbulimit të cilit i është referuar ‘Washington Post-i’.

Në shtator të vitit 2022 disa shpërthime nënujore përfshinë gazsjellësit ‘Nord Stream 1’, si dhe tubacionin e sapondërtuar ‘Nord Stream 2’, të cilët lidhin Rusinë dhe Gjermaninë, përmes detit Baltik.

Shpërthimet ndodhën në zonat ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës. Të dy vendet thonë se shpërthimet ishin të qëllimshme, por ende nuk është përcaktuar se kush ishte përgjegjës mbi incidentin. Këto vende si dhe Gjermania, vazhdojnë ende me hetimet mbi këtë çështje.

Uashingtoni dhe NATO e kanë quajtur incidentin "një akt sabotazhi". Moska fajësoi Perëndimin, duke akuzuar për zvarritje të hetimeve si dhe përpjekje për të fshehur se kush qëndron pas sulmit. VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tata: 07/06/2023 06:01

    Akoma mendoni se opinioni nuk eshte i qarte ne aftesine zero te ukraines per nje lufte te tille,por qe po e perdorin amerikanet si mercenar per fobine qindravjecare qe kane ndaj rusise? Flisni hapur se daje semi ska cfar i ben mendimit te lire.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kush ka mbajtur qëndrimin më të saktë rreth situatës në veri të Kosovës?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari tregon momentet e tmerrit kur autobusi ra nga mbikalimi në Itali: Askush nuk më ndihmoi, nëse do ndodhte, të tjerë do të ishin shpëtuar

Shqiptari tregon momentet e tmerrit kur autobusi ra nga mbikalimi në Itali: Askush nuk më ndihmoi, nëse do ndodhte, të tjerë do të ishin shpëtuar