Watergate në Pekin, skandali
që po trondit politikën kineze

Watergate në Pekin, skandali <br />që po trondit politikën kineze
PEKIN – Skandali politik që për herë të parë në 20 vjet po shkund ekuilibrat politike në Pekin po ngjan si një Watergate kinez. Ashtu si 40 vjet më parë Presidenti amerikan Richard Nixon, lideri karizmatik komunist i metropolit të Chongqing, Bo Xilai (foto), ka rënë nga pushteti jo për një vrasje por sepse ka përgjuar komunikimet e të gjithë liderëve kryesorë kinezë, mes të cilëve edhe “numri një”, presidenti dhe sekretari i Partisë Komuniste, Hu Jintao.

Lajmi është bërë i ditur nga New York Times që pohon se ka mbledhur “dhjetëra dëshmi” që konfirmojnë lajmet që qarkulluan ditët e kaluara e që i atribuoheshin burimeve anonime, të filtruara në shtypin e Hong Kong-ut. Sipas të përditshmes, rënia e Bo nga pushteti nuk erdhi si pasojë e çështjes së Neil Heywood, këshilltari i mistershëm britanik që mendohet se është vrarë me urdhër të Gu Kailai, gruaja ambicioze e Bo Xilai, siç u tha fillimisht. Shkaku i vërtetë është zbulimi i një rrjeti të gjerë spiunazhi të brendshëm krijuar nga Bo.

Ne qendër të ngjarjeve – dhe s’ka si të ndodhte ndryshe – vazhdon të qëndrojë Wang Lijun, ish-shefi i pushtetshëm 52-vjeçar i Chongqing që 6 shkurtin e kaluar u prezantua në Konsullatën amerikane të Chengdu duke kërkuar më kot azil politik pasi do t’u tregonte “diçka të madhe” diplomatëve amerikanë. Pasi kërkesa e tij u refuzua, Wang u mor në dorëzim nga autoritetet kineze sipas të cilave po “bashkëpunon” me hetuesit. Dyshohet se ka qenë pikërisht Wang – që ishte i lidhur ngushtë me Bo Xilai, të cilit i ka borxh karrierën e tij – personi që ka krijuar një rrjet të gjerë spiunazhi elektronik me justifikimin e luftës ndaj kriminalitetit.

Li Jun, një biznesmen nga Chongqing i arratisur jashtë shtetit vitin e kaluar, ka deklaruar se “në telefon askush nuk guxonte të shqiptonte emrin e Bo Xilai dhe Wang Lijun”. Bo, sipas një tjetër dëshmitari, “donte të dinte me saktësi gjithçka thuhej mbi të nga liderët e tjerë”. Në janar, bashkëpunëtorët e Hu Jintao të dërguar në Chongqing për të hetuar mbi metodat e Bo, kanë zbuluar se bisedat e tyre me “numrin një” dëgjoheshin nga Wang dhe nga njerëzit e tij.

Kur e kuptuan se ishin zbuluar, Bo dhe Wang janë përpjekur të dalin nga situata duke ja hedhur fajin njëri-tjetrit, një seri në rritje akuzash e kërcënimesh që përfundoi me arratisjen e Wang në Konsullatën amerikane.

Cilado qoftë e vërteta, ngjarja ka vënë në pah ndarjet dhe mungesën e besimit reciprok që ekziston mes drejtuesve kinezë, të cilët kanë treguar shumë kujdes në shfaqjen ndaj publikut si një grup i bashkuar fort në ndjekjen e objektivave për modernizimin e vendit. Deri në shpërthimin e skandalit Bo, 62 vjeç, konsiderohej si një anëtarët e ardhshëm të Komitetit të ri të Zyrës Politike Komuniste që do të zgjidhet në kongresin e ardhshëm të partisë, të parashikuar për në vjeshtë. Një kongres tepër i rëndësishëm në të cilin duhet të zgjidhet lidershipi i ri që do të drejtojë Kinën për dhjetë vitet e ardhshme.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi