Weber kritikon propozimin evropian si një 'marrëveshje të ndërmjetme'

Weber kritikon propozimin evropian si një 'marrëveshje të ndërmjetme'

Bodo Weber

Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të mos jetë një zgjidhje afatgjate për problemet mes dy vendeve. Kështu ka shtjelluar Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin në një analizë të publikuar të hënën, më 27 shkurt.

Kjo analizë është publikuar disa orë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Weber e ka kritikuar propozimin e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë që është iniciuar nga Franca dhe Gjermania. Ky propozim u është dorëzuar palëve vitin e kaluar dhe është pranuar nga Kurti dhe Vuçiq. Megjithatë, ai nuk është bërë publik.

Weber ka kritikuar faktin se ky propozim, në formën e tanishme, nuk ka synim përfundimtar arritjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se “propozimi aktual përfaqëson një marrëveshje të ndërmjetme që është e dizajnuar keq dhe është vështirë e definueshme”. Sipas kësaj analize, nëse marrëveshja nënshkruhet dhe zbatohet do të ketë disa rezultate të shpejta për Kosovën që përfshin pranimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL), e të tjera.

Megjithatë, sipas Weber, kjo “do të dështonte në perspektivën afatgjatë, për shkak të mungesës të një masterplani strategjik dhe një udhërrëfyesi që definon qartë hapat e mbetur deri në rezultatin përfundimtar - njohjen e Kosovës nga Serbia”.

“Propozimi i Brukselit nuk ofron zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme për integrimin e serbëve të Kosovës në Republikën e Kosovës. Kjo do të forconte kontrollin e Beogradit mbi serbët e Kosovës”, u tha në analizë.

Në Bruksel, të hënën pasdite kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të ketë takime të ndara me dy liderët, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për këtë proces, Mirosllav Lajçak. Më vonë do të zhvillohet takimi i përbashkët. Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes Kurtit dhe Vuçiqit si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve. Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Kosova insiston që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke. Por, Serbia – që ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është vijë e kuqe për të – kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./ REL

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda