Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka pohuar se çdo problem midis tij dhe sulmuesit Vinicius Junior është zgjidhur pasi braziliani kërkoi falje publikisht dhe privatisht për 'shpërthimin' e tij gjatë El Clasicos, fituar 2-1 nga Real Madridi. Vinicius reagoi keq ndaj vendimit të Alonsos për ta nxjerrë jashtë loje për 20 minutat e fundit, duke thënë "Po largohem nga klubi", teksa iu drejtua dhomave të zhveshjes, për t'u rikthyer më pas në stol pas disa minutave.
Të mërkurën, Vinicius e trajtoi çështjen publikisht, duke kërkuar falje në një deklaratë në rrjetet sociale drejtuar klubit, tifozëve, presidentit dhe shokëve të tij të ekipit. Privatisht, ai u kërkoi falje stafit të trajnerëve dhe shokëve të tij të ekipit përpara stërvitjes.
Tanimë trajneri Xabi Alonso është shprehur qartë se braziliani nuk do të marrë ndonjë masë disiplinore. “Vinicius Jr nuk do të dënohet. Çështja është mbyllur”, ka thënë trajneri spanjoll.
“Ai ka qenë i përsosur në mënyrën se si sqaroi situatën përpara të gjithëve. Nuk ka asnjë rast të hapur lidhur me të, gjithçka është e qartë dhe e sqaruar”. Alonso vlerësoi transparencën dhe sinqeritetin e sulmuesit brazilian.
Komente




