Xhafaj dhe Nikolla nënshkruajnë marrëveshjen: Oficerë sigurie në gjithë gjimnazet e Shqipërisë 

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla nënshkruan marrëveshjen për shtrirjen e projektit të Oficerëve të Sigurisë, në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë që prej shtatorit të 2018. Ky projekt u pilotua në 15 shkolla në Tiranë dhe garantoi një mjedis të sigurt për nxënësit. Oficerët e Sigurisë do të shërbejnë për të garantuar më shumë siguri në mjediset shkollave, për parandalimin e konflikteve dhe akteve të dhunshme.

Brenda komunitetit të nxënësve dhe parandalimin e çdo lloj veprimtarie kriminale në mjedisin rreth territorit të shkollave apo tentativave për të përfshirë të rinjtë në këtë lloj veprimtarie. Marrëveshja u nënshkrua në gjimnazin ''Petro Nini Luarasi'', një prej shkollave të mesme të Tiranës ku nisi aplikimi i projektit pilot. Oficerët e Sigurisë do të trajnohen në Akademinë e Sigurisë, për një periudhe intensive 1 mujore. 

Ministri Xhafaj deklaroi se nisja e projektit, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Rama, synon ndërtimin e ambjenteve shkollore më të sigurta.

Ne nuk dëshirojmë, nuk kemi pasur dhe nuk kemi kurrë si qëllim që të vendosim një polic, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, por ne kemi si qëllim për të ofruar më shumë siguri që të vendosim këtu, edukatorë me frymën e ligjit, edukatorë për zbatimin e ligjit, edukatorë për të parandaluar së bashku me trupën pedagogjike, së bashku në mënyrë të veçantë me psikologët e shkollave për të parandaluar fenomene negative, akte të konflikteve apo të dhunës së brendshme.

Akte të konflikteve, apo të dhunë së brendshme, apo edhe përpjekje të jashtme, për të implikuar dhe tërhequr nxënës të veçantë në shkolla të veçanta në rrugën e krimit. E trajtuar në këtë mënyrë në këtë lloj qasje, Oficerët e Sigurisë në shkolla brenda territorit të shkollës janë edukatorë, jashtë territorit të shkollës ata shërbejnë si pika lidhëse ndërmjet policisë dhe shkollës. Në mënyrë që brenda territorit të shkollës të japin të gjithë edukimin e nevojshëm për ligjin, me frymën e rregullit dhe zbatimin e tyre dhe të kontribuojnë për ta bërë këtë gjë në bashkëpunim me psikologun dhe me trupën pedagogjike si dhe me komunitetin e prindërve, duke qenë në shërbim të tyre, në funksion të tyre dhe nga ana tjetër të mund të kontribuojnë që policia jashtë mureve rrethuese të shkollës të kryejë të gjithë veprimtarinë e vetë, në kufijtë e ligjit, në funksion të parandalimit të çdo lloj veprimtarie negative, çdo lloj veprimtarie kriminale që tenton t'i ofrohet, apo të tërheqë nxënës dhe nxënëse të shkollave tona. Ky është qëllimi i rolit të Oficerit të Sigurisë në shkolla.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm

Një tregues tjetër që unë do të doja ta evidentoja është jo vetëm përcjellja e informacionit që kam marrë nga drejtuesit e shkollave, nga mësuesit dhe nga prindërit, por edhe një trend zbritës në rrafshin e konflikteve. Nëse shikojmë raportimet shumë serioze që vijnë dhe nga shkollat dhe nga oficerët e sigurisë, në javët e para numri i konflikteve ka qenë shumë më i madh, gjë që ka ardhur çdo muaj në zbritje, duke treguar edhe njëherë besimin në rritje, por ajo që është objektivi kryesor i këtij projekti, shkollat janë më të sigurta.

Këto 15 modele na kanë shërbyer jo vetëm si modele për të treguar sesa i rëndësishëm ishte ky projekt midis dy ministrive tona, por patjetër janë modele që nevojshëm dhe mjaftueshëm garantojnë dhe kërkojnë që ne të vijojmë më tej duke i shtrirë edhe në shkolla të tjera në të gjithë vendin për të mësuar edukim sesi zgjidhen konfliktet, edukim sesi menaxhohen zëmëratat e vogla të adoleshentëve, edukim për mospërdorimin e lëndëve narkotike, edukim sesi komuniteti, prindërit dhe mësuesit të dinë të koordinojnë veprimin dhe punën për të ofruar më shumë siguri dhe më shumë arritje në shkolla. Janë të gjitha objektiva që në këto 10 muaj këta djem dhe vajza të shkëlqyer, të mirëtrajnuar edhe në Akademinë e Sigurisë, na kanë dhënë shembullin më të mirë, por edhe gjithë argumentet që ne të vijojmë më tej me këtë projekt.

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sporteve

Për drejtoreshën e Shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi" Teuta Bracaj, por edhe për nxënësit, Oficerët e Sigurisë kanë sjellë një impakt pozitiv.

"Të gjithë ne kemi ndjerë ndryshimin që ka ndodhur në shkollë që nga dita kur ka ardhur Oficerja e Sigurisë. Vërtet filloi si një projekt pilot vetëm në disa shkolla të Tiranës, por e ndjen veten të privilegjuar fillimisht që u caktuam një prej atyre shkollave. Por ndryshimin ne e kemi vënë re të gjithë, duke filluar nga ne mësuesit, nxënësit dhe prindërit", tha drejtoresha Bracaj.

"Në fillim kur Uksana erdhi në shkollën tonë menduam që një oficer policie..., dhe krijuam pak si frikë, por ajo është kthyer në një shoqe për ne. Ajo ka qenë aty për çfarëdolloj problemi që ne kemi pasur, sado i vogël", u shpreh një nxënëse. 

Uksana Lleshi, e cila është Oficere e Sigurisë në shkollën “Petro Nini Luarasi” tregoi eksperiencën e saj.

"Për mua ka qenë një eksperiencë ndryshe, pasi unë nuk kam shumë që jam futur në radhët e Policisë dhe nuk jam bërë police 100% akoma dhe ky ishte momenti i duhur për të qenë pranë gjimnazistëve dhe pranë kësaj moshe. Mendoj se qëllimi im kryesor ka qenë sheshimi i konflikteve, sesa largimi i tyre nga shkolla për t'i zhvendosur diku tjetër", tha oficerja Lleshi.

Duke u ndalur tek projekti i Policimit në Komunitet, ministri Xhafaj theksoi se e njëjta frymë bashkëpunimi që po ndërtohet mes nxënësve, mësuesve e prindërve dhe Policisë për sigurinë në shkolla, duhet të ndihet edhe në zonat e banuara.

"Unë shpresoj që oficerët dhe oficeret që kanë shërbyer të kenë mundësi që këtë përvojë pozitive të mund ta japin edhe te oficerët e rinj të sigurisë që do të trajnohen në Akademi, por pastaj edhe te të gjithë oficerët e policisë lidhur me një qasje të re, ndërmjet policisë dhe komunitetit një projekt, në mënyrë që ashtu si mësuesit dhe komuniteti i prindërve kanë një raport të ri midis policisë dhe shkollës, midis policisë dhe komunitetit të prindërve dhe komunitetit të mësuesve, ashtu edhe çdo qytetar në qendrat e tyre të banimit të ndjejnë të njëjtën marrëdhënie, të njëjtën ngrohtësi në komunikim me policinë dhe ky është thelbi i kësaj filozofie të re dhe kësaj fryme të re që po krijojmë në lidhje me policimin në komunitet. Pra të njëjtën siguri, të njëjtën marrëdhënie të mund ta kemi jo vetëm në mjediset e shkollave, por në çdo qendër banimi ku njerëzit kanë nevojë ta ndjejnë më afër policinë në shërbim të tyre".

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • INISIATIVA E PLEQVE TE LAPARDHASE: 01/06/2018 17:05

    Tashti gjimnazistat jane te sigurte nuk e han ma thate por kane mundesi ta lyejne me burofresko.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër