TIRANE-N/ kryetari i grupit të PD, Edi Paloka në një deklaratë për mediat ftoj të gjithë shqiptarët pa dallime politike që të bashkohen në protestën e opozitës në datë 26 maj, ora 11:00 kundër qeverisë Rama. Paloka u shpreh se përmes protestës duan ti dërgojë një mesazh Europës se duan një qeveri të ndershme që të realizojë kushtet për hapjen e negociatave. Por, kujtojmë që protesta e opozitës vjen vetëm pak javë para vendimit të vendeve të BE nëse do i japin një shans Shqipërisë për hapjen e negociatave pas rekomandimit të KE në 17 Prill.

Rama i mashtroi shqiptarët duke u thënë se ka bërë një ekspertizë, por nuk tregoi agjencinë. Rama dhe Xhafaj nuk bënë transparencë, asnjë agjenci nuk do të mund ti thoshte të zezës të bardhë. Xhafaj e di se zëri në përgjime është i vëllait, prandaj e largoi me urgjencë vëllanë pa e nxjerrë me zë e me figurë. Rama është pjesë e skenarit për të mbuluar veprat kriminale. Pjesa e dytë e skenarit është imponoi i prokurorisë për rezultatin e paracaktuar nga Rama. Xhafaj vijon në detyrë për të shkatërruar dhe manipuluar provat në prokurori. Ftoj shqiptarët në protestë javën tjetër për të bashkuar shqiptarët në një zë. Iu ftoj të bashkohemi në protestën kombëtare për t'i dhënë mesazhin Europës, se duam një qeverisje të ndershme që do të realizojë kushtet për hapjen e negociatave.

Edi Paloka

PD audio-përgjimin dhe më pas intervistën me dëshmitarin 'X', Albert Veliu e ka kthyer në akuzë duke pretenduar se implikon vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj në trafik droge. Por kontradiktat dhe pikëpyetjet që ngrihen pas publikimit të audio-përgjimit, prononcimit të Veliut dhe intervistës së gazetarit Jetmir Olldashi janë të shumta.

Që kur shqiptarët u njohën me skandalin Xhafaj, Edi Rama po zbaton një skenar kriminal që synon mbylljen e hetimeve pa vënë para drejtësisë vëllain e ministrit të Brendshëm për trafik droge. 

Pjesë kryesore e këtij skenari është mohimi i zërit të Agron Xhafajt, që i siguroi Dëshmitarit X gjetjen dhe transportin e hashashit me garancinë se Policia nën varësinë e vëllait të tij Ministër i Brendshëm, do ti hapte rrugën.

Edi Rama i mashtroi shqiptarët duke thënë se ka bërë një ekspertizë të zërit në një agjensi të specializuar, por ai akoma nuk ka treguar se cila është kjo agjenci. 

Edhe Fatmir Xhafaj tha të njëjtën gjë po atë ditë, por as njëri, as tjetri nuk bëjnë publik emrin e agjencisë që na paska bërë ekspertizën. 

Rama dhe Xhafaj ministër nuk bënë transparencë para shqiptarëve, siç kanë detyrimin ta bëjnë, jo se e ashtuquajtura ekspertizë nuk përbën provë, por sepse asnjë agjenci e specializuar nuk do t’i thoshte të zezës të bardhë! 

Fatmir Xhafaj e di që zëri në përgjime është i të vëllait. E di që Dëshmitari X dhe gazetari Jetmir Olldashi thonë të vërtetën. Prandaj e largoi me urgjencë të vëllain trafikant pa ua nxjerrë më parë shqiptarëve me zë dhe me figurë që ta bënin vetë identifikimin dhe të gjykonin të vërtetën. 

Edhe Edi Rama e di që Agron Xhafaj është koka e trafiqeve në Vlorë, prandaj gënjeu për ekspertizën e zërit dhe nuk iu përgjigj gazetarëve për emrin e agjencisë. Për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij të inkriminuar, Edi Rama është bërë pjesë e skenarit për të mbuluar veprat kriminale të Fatmir dhe Agron Xhafajt. 

Pjesa e dytë e këtij skenari është imponimi ndaj Prokurorisë të pranojë si ekspertizë të zërit të Agron Xhafajt rezultatin e paracaktuar nga vetë Edi Rama. Prandaj Fatmir Xhafaj vazhdon të qëndrojë në detyrë: për të vazhduar manipulimin dhe shkatërrimin e provave, nëpërmjet kukullave të tij në Prokurori Arta Marku dhe Donika Prela. 

Ka ardhur koha që, të gjithë bashkë, t’i themi ndal pengmarrjes së shtetit nga krimi!

Partia Demokratike ka thirrur të shtunën tjetër më 26 Maj një protestë kombëtare për të bashkuar shqiptarët në një zë: Fatmir Xhafaj ik! 

Shqiptarët nuk mund të pranojnë më të qeverisen nga krimi!

Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur, duke parë sesi qeveria e tyre refuzohet nga Europa për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar, një herë me Saimir Tahirin dhe tani me Fatmir Xhafajn. 

Ju ftoj të gjithëve, të shtunën në orën 11.00, pa dallime partiake të bashkohemi në protestën kombëtare, për t’i dhënë mesazhin Europës se shqiptarët europianë refuzojnë një qeveri antieuropiane! 

Se duam një qeverisje të ndershme, e cila do të realizojë kushtet për hapjen e negociatave.

Se duam luftën dhe jo mbrojtjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, 

Se duam drejtësinë e barabartë për të gjithë dhe jo drejtësinë  e kapur. 

Ju ftoj të gjithë në protestën kombëtare, të shtunën me 26 maj në orën 11.00.

Deklaratë e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka