Në pasditen e së martës, Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, ka zhvilluar një takim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit.

Xhafaj ka folur rreth prioriteteve të punës së efektivëve të policisë, dhe theksin e ka vendosur në sigurinë publike gjatë procesit zgjedhor si dhe për luftën kundër narkotikëve.

Në këtë takim ministri Xhafaj ishte i shoqëruar dhe nga Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako.

Ministri ka kërkuar nga punonjësit e policisë që të rrisin angazhimin për të plotësuar detyrat specifike sipas sektorëve të caktuar, duke theksuar në paanshmërinë që duhet të karakterizojë Policinë e Shtetit gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se nuk do të tolerohet përfshirja e strukturave të saj në fushata paraelektorale apo elektorale, të kujtdo force politike qofshin ato dhe në rast se konstatohen implikime të tilla, masat që do të merren do të jenë ekstreme, deri në largimin nga detyra.

Gjithashtu Xhafaj foli për luftën kundët trafikimit të drogës dhe punën e policisë në lidhje me këtë shqetësim dhe kërkoi nga çdo strukturë e policisë që të zhvillojnë një luftë të vazhdueshme e të pandërprerë për kontrollin, evidentimin, raportimin dhe goditjen e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike.

Ministri tha se çdo efektiv policie që do të implikohet në këtë aktivitet të paligjshëm do të ketë përgjegjësi penale.

Kreu i Ministrisë së Brendëshme foli dhe për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe tha se efektivët e Policisë duhet të zbatojnë me rigorozitet masat e posaçme, me qëllim sigurimin e një mjedisi sa më të qetë dhe të sigurt për turistët.

Xhafaj deklaroi se kusht thelbësor për përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit dhe veprimtarisë së saj  është integriteti moral e profesional i efektivëve në radhët e saj.

Në luftën ndaj kriminalitetit, ministri tha se duhet punë e vazhdueshme dhe e përditshme, në funksion të  parandalimit të kriminalitetit.

Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com