Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka zbritur në terren dhe ka inspektuar situatën e përmbytjeve në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën e Vorës, ku ndodhen dhjetëra automjete të dëmtuara nga uji niveli i të cilit arriti 1.5 m.  

"Policët që kemi i kemi të gjithë në dispozicion, e gjithë policia është në situatë të jashtëzakonshme që nga mbrëmje e djeshme. Së pari, të jemi shumë të kujdeshëm që mjeteve të dënmtuara nga natyra, të mos dëmtohen nga faktorë të tjerë të jashtëm, të jenë prezentë drejtuesit e automjeteve kur të largohen me karroatrec, policia do t'i sistemojë diku, për t'i ruajtur dhe për të normalizuar këtë situatë"

I pyetur se kur do të rinisë qarkullimi i automjeteve nga Durrësi në drejtim të Tiranës, Xhafaj tha se do jetë gati sapo të lirohet nga automjetet.  

Prononcimi i plotë i Xhafajt për mediat:

Pyetje: Z.Xhafaj, cilat janë masat që keni marrë për të përballuar këtë situatë?
Ministri Xhafaj:
Siç e shikoni dhe ju, policët i kemi të gjithë në dispozicion. Mund të them një fakt që e gjithë Policia është në situatë të jashtëzakonshme. Që nga mbrëmja e djeshme e gjithë Policia është në krye të detyrës.
 
Pyetje: Ka pika të nxehta z.Xhafaj aktualisht? 
Ministri Xhafaj:
Akset kryesore. Ju i keni ndjekur, i ka dhënë dhe televizioni juaj. Me këtë rast, kjo është shumë e rëndësishme, dua t’ju falënderoj edhe për të gjithë këtë sakrificë që keni bërë ju, sepse është shumë e rëndësishme në radhë të parë për qytetarët edhe për të krijuar ata situatën edhe për t’u përshtatur me këtë situatë, e për të ndjekur rregullat përkatëse. E dyta, është një ndihmë shumë e madhe dhe për ne që e menaxhojmë këtë situatë. 

Pyetje: Përsa i përket makinave të dëmtuara do merrni përsipër kostot?
Ministri Xhafaj: Ne, siç e shihni kemi vënë në dispozicion karoatrecët, ato mundësi që kemi, që t’i lëvizim. Kemi biseduar dhe me Drejtorin dhe shefin e qarkullimit që së pari njëherë të jemi shumë të kujdesshëm, që të paktën ato që i ka dëmtuar natyra, mos të dëmtohen nga faktorë të tjerë të jashtëm dhe të jenë në prezencë vetë drejtuesit e mjeteve mundësisht. Dhe nëse edhe kur nuk janë në prezencë, të ketë mundësi policia nëpërmjet karoatrecëve t’i sistemojë diku, për të vazhduar pastaj... Dhe dy gjëra, që mjeti të ruhet aq sa mund të ruhen në këtë situatë dhe, e dyta, që është shumë e rëndësishme, të normalizohet situata.

Pyetje: Z.Xhafaj, kur do të jetë e hapur kjo rrugë, sepse është aksi kryesor i shqiptarëve?
Ministri Xhafaj: Sapo të lirohet nga mjetet. S’mund ta them unë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com