TIRANE - Kryeministri Edi Rama tha se puna për ndërtimin e Xhamisë së madhe në kryeqytet do të nisë brenda muajit nëntor të këtij viti, por pronarët e truallit pretendojnë se më parë duhet që prona e tyre të kompensohet me vlerë tregu. Pjesëtarët e familjes Kruja së bashku me Komunitetin Mysliman, u pajisën me lejen e ndërtimit për xhami e qendër tregtare nga kreu i Bashkisë Lulzim Basha, por pas rrëzimit të kësaj leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ata kërkojnë që qeveria Rama t’u shpronësojë tokën.
 
“Mësuam nga media se qeveria ka arritur një marrëveshje me ne për të lejuar ndërtimin e xhamisë. Kryeministri Rama deklaroi shpronësim, por me ne nga korriku 2014 s’ka komunikuar askush. Zyra e kryeministrit ka negociuar për blerjen e truallit me çmim tregu, dhe do bëjmë publike detajet. Ne dhe Komuniteti Mysliman kemi leje të përbashkët ndërtimi për dy objekte, shteti na pengon. Deklaratat e Ramës për shpronësim janë presion ndaj drejtësisë. Toka është e Jusuf Krujës që nga viti 1938”, shprehen pjesëtarët e familjes Kruja.
 
Lajmi për nisjen e punimeve brenda nëntorit u dha pak ditë më parë nga kryeministri Rama, por sipas pretendentëve të familjes Kruja më parë duhet që të arrihet marrëveshja me ta, paçka se palët ndodhen në një proces gjyqësor tashmë prej afro 1 viti me Avokaturën e Shtetit.

 PDF - Deklarata e paraqitur nga përfaqësuesi ligjo i familjes Kruja, Alban Bala

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)