Xhamia, replika ditën e Bajramit, Rama
e myslimanët vulosin xhaminë e re

Xhamia, replika ditën e Bajramit, Rama<br />e myslimanët vulosin xhaminë e re
TIRANE- Besimtarët Myslimanë kudo në botë kanë falur dje Kurban Bajramin. Edhe myslimanët shqiptarë kanë kryer ritin e faljes në mëngjes rreth orës 7:30 minuta, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kanë festuar nëpër shtëpitë e tyre.,  
 
Jo vetëm mesazhe urimi, por edhe replika politike. Kjo ka qenë atmosfera e festës së mylimanëve, Kurban Bajrami. Vendimi për anullimin e një pjesë të lejes për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, ka shërbyer dje që dy kampet politke në vend të shkëmbejnë replika. Kështu i pari që ka vizituar dje komunitetin Mysliman, ka qenë kryeministri i vendit Edi Rama, që ka deklaruar se xhamia do të ndërtohet, sigurisht me një projekt të ri, i cili jo vetëm s’ka më ndërtesën siameze, qendrën e biznesit, por nuk do të zërë as të gjithë sipërfaqen e lulishtes, ndërsa ka shtuar se ai familjarisht do të jetë ndër donatorët e parë të saj.

“Erdha këtu dhe i urova gëzuar këtë ditë kaq të shënuar mikut tim Selim Muça dhe gjithë përfaqësuesve të lartë të KMSH-së. Folëm për xhaminë e re dhe i sigurova edhe një herë që nga një pallat me xhami, do kemi një xhami pa pallat. Nga ana tjetër, familjarisht do të jemi dhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli ku jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi në qytet, pikë referimi e munguar për besimtarët myslimanë, pikë referimi që me ndryshimin e bërë do ta kthejmë në një vlerë të shtuar. Me ndryshimin e bërë nuk do të ndryshojë i gjithë parku”, - është shprehur dje kreu i qeverisë, Edi Rama.

Siç e do tradita, myslimanët janë vizituar edhe nga kreu i bashkisë, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili gjithashtu nuk i ka shpëtuar dot debatit për xhaminë. Ai ka deklaruar se bashkia e Tiranës e kaloi këtë sprovë, dhe ndërtimi i saj tani është një çështje mes komunitetit Mysliman dhe qeverisë së re, ndaj ai ka uruar që KMSH të mund të bëjë realitet këtë ëndërr të madhe të myslimanëve.

“Pa dyshim, ka qenë një sprovë e madhe, një sprovë të cilën Bashkia e Tiranës, pas dekadash harrese e kaloi me sukses. Xhamia nisi punimet. Siç e dini, pas kësaj ka pasur një vendim i cili ka ndaluar punimet. Tashmë, çështja është midis Komunitetit Mysliman dhe qeverisë dhe unë uroj me gjithë zemër që projekti i Xhamisë të ecë përpara” – ka deklaruar basha, i cili ka uruar besimatërt myslimanë dhe bektashinj, kudo që ndodhen.

FALEN NE SHI
Besimtarët myslimanë në mbarë botën kanë festuar dje Kurban Bajramin. Në Tiranë mijëra besimtarë myslimanë, kanë kryer ritin e faljes së namazit, në një ceremoni të shkurtër, nën shi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në faljen e namazit ishte kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muçai cili përcolli urimin e rastit. “Ju uroj të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Festën e Kurban Bajramit, me të mira, me gëzime, me familjarët dhe afërmit", - ka qenë ky urimi i kreut të KMSH-së, Selim Muça. Ndërsa myftiu i Tiranës, Ylli Gurra falenderoi të gjithë ata besimtarë, të cilët pavarësisht shiut, u mblodhën për të kryer faljen e Kurban Bajramit.

Ndërsa sa i përket xhamisë ai ka deklaruar se kjo gjë nuk ka më asnjë diskutim, pasi ka mbështetjen e të gjithë opinionit dhe politikës shqiptare. "Jam i bindur se besimtarët janë paralel me mendimin e Qeverisë për ta mbyllur këtë kapitull, për ndërtimin e xhamisë së re. Myslimanët jo vetëm kanë shpresë, por besojnë fuqishëm që tashmë kapitulli i xhamisë duhet të mbyllet. Nuk ka asnjë arsye, ka edhe një vullnet tepër pozitiv nga vetë Qeveria për ta mbyllur këtë kapitull, sigurisht në mënyrën më fisnike", - tha Myftiu.
 
ILIR META
Kreu i parlamentit, Ilir Meta ka bërë apel për më tepër solidaritet. “Uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar kurban Bajramin. Më shumë solidarit me njëri-tjetrin dhe sidomos me atë që jetojnë në kushte të vështira, më shumë përfshirje dhe më shumë bashkim”

IGLI TOTOZANI
“Avokatit i Popullit uron të gjithë besimtarët myslimanë, gëzuar festën e Kurban Bajramit. Le të na shërbejë, kjo festë për të treguar sa më shumë përkushtim ndaj familjes, shoqërisë dhe gjitha shtresave sociale që janë të dobëta dhe të pambrojtura”.
 
SALI BERISHA

“Gëzuar Bajramin, ditën e madhe të sakrificës së njeriut për zotin, për të mirën! Uroj që Zoti të pranojë e të shndërrojë sakrificën tonë në mirësi, shëndet, lumturi dhe suksese për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre!”
 
EDMOND BRAHIMAJ
“Në këtë Kurban Bajram njeriu tregon sakrificat që bën ai për nder të Perëndisë. Kjo është një ditë e madhërueshme të paqes, miqësisë dhe dashurisë mes njëri-tjetrit. Zoti na bekoftë të gjithëve", - uroi kryegjyshi Edmond Brahimaj.
 
Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Katër të vdekur pas fundosjes së një anijeje në Greqi

Katër të vdekur pas fundosjes së një anijeje në Greqi