Xhanfise Keko, një yll në qiellin
e Beratit

Xhanfise Keko, një yll në qiellin<br />e Beratit
TIRANE -  Heshtja kishte mbetur pezull në sallë…, mbushur plot me njerëz të të gjithë brezave, të këtej dhe andej viteve ‘90. Artistë, banorë të qytetit të gurtë, të Beratit, fëmijë të shkollave të këtij qyteti të UNESKO-s, “qëmtonin” në një ekran të madh Zonjën e Madhe të kinemasë shqiptare, Artisten e Popullit Xhanfise Keko. Ajo me një buzëqeshje të ngrohtë dukej sikur iu thoshte “Mirë se keni ardhur!“ I kishte mbledhur në këtë vjeshtë të tretë me diell, si për t’iu thënë me qetësinë e saj të përhershme dhe të bukur: “Unë ju mirëpres gjithnjë me artin dhe me dashurinë time njerëzore”.

Dhe në këtë nëntor u kthye një mbrëmje plot me yje në qytetin e “Një mbi një dritareve”, qytetit plot traditë dhe histori, të cilit Xhanfise Keko i dha sharmin dhe e jetësoi në filmin artistik për fëmijë “Tomka dhe shokët e tij“, një film i cili pas restaurimit në laboratorin e Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale, pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center), pas shfaqjes së tij në Britaninë e Madhe, në kuadër të një projekti botëror ku janë përfshirë 17 filmat më të mirë për fëmijë, në një mbrëmje nëntori mbërriti në Berat, aty ku lindi dhe u krijua 37 vite të shkuara.
Atëherë, kur u shfaq për herë të parë, ishte një natë nëntori me shi e vitit 1977.

Më pas filmi “Tomka dhe shokët e  tij”, u bë dashuria e fëmijëve të asaj kohe. Në vitet ’92-’99, siç tregon regjisori Ilir Keko, i biri i Xhanfise Kekos, u ngujua në rrëzë të Dajtit, në arkivat e Kinostudios, për t’u rikthyer sërish pas vitit ’99, në publik me të njëjtën dashuri.

Këtë natë, në një prag festash të identitetit kombëtar, filmi shfaqej me titra në gjuhën angleze, pikërisht në qytetin ku lindi dhe u krijua falë dashurisë së themelueses dhe mjeshtres së  madhe të filmit shqiptar për fëmijë, si për të vërtetuar edhe një herë forcën e madhe që ka vlera, e cila di t’i thotë kurdoherë, “unë gjithnjë do të jem me ju … !!!”

Ndaj edhe teta Xhano e të gjithëve, themeluesja e filmit shqiptar për fëmijë, e cila u la shqiptarëve një trashëgimi të vyer prej 11 filmash artistikë për fëmijë, ishte bashkë me ne në një natë plot yje nëntori.
Ishte ajo që kishte sjellë ne Berat, një vepër të realizuar aq bukur si, “Tomka dhe shokët e tij” tashmë plot vlerë e virtyt të ndërkombëtarizuar, ishte ajo që kishte sjellë ‘çunat e  saj’, Artan Puton, Genci Moshon,  por edhe  Enean,  Herionin, Fluransin, Selmën e vogël, te cilët me dashurinë e tyre të përhershme për regjisoren e madhe, ishin sërish bashkë me të gjithë miqtë dhe dashamirësit e artit të saj.

Por ishin bashkë në këtë natë, bashkëpunëtorët që realizuan këtë film, Prof. Nasho Jorgaqi, skenaristi i filmit, operatori Faruk Basha, miqtë e saj Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako. Të gjithë i kishte mbledhur Zonja e Madhe e filmit shqiptar. Unanimisht edhe në vitin e 85-të të lindjes së saj, e kishin nderuar falë kujdesit të kryetarit të Qendrës Kombëtare Kinematografike, Ilir Butka, dhe vëmendjes dhe dashamirësisë së kryetarit të Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi. Bashkia e qytetit i i dha titullin “Qytetare Nderi” e Beratit për kontributin e saj në prezantimin e vlerave unikale të këtij qyteti, si në planin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.

Titullin  e lartë ia dorëzoi Kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi, bashkëshortes së djalit të madh të regjisores së madhe, Teuta (Keçi)  Keko,  e cila u shpreh se “Jam e nderuar që po marr këtë titull në emër të familjes Keko, ku pata fatin të jetojë për shumë vite së bashku me artisten, e cila bëri epokë në kinematografinë shqiptare”. Por, si për t’i dhënë falënderime për dijen e saj në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve të saj, për t’i dhënë vlerë vlerës së ngritur prej saj, bashkë me Të …, ishin nderuar nga bashkia e Beratit edhe Prof. Nasho Jorgaqi , skenaristi i filmit, operatori i filmit Faruk Basha, kompozitori Aleksandër Lalo,  piktori Shyqyri Sako, aktorët Artan Puto, Genci Mosho, Herion Mustafaraj, Flurans Ilia, Enea Zheku, Selma Sotillari.

Nderim mbi nderim, ishte odiseja e kësaj nate, kur të gjithë heshtnin duke parë sekuencat e filmit të Xhanfise Kekos, një film tipik neorealist, të goditur në të gjitha elementët që ndërtojnë një film, i cili pavarësisht kohës që kalon, merr vlera më të shumta e më të vyera jashtë trojeve të Shqipërisë për nga realizimi artistik që mbart. Por ishte bukur kur qetësia e respektit shprishej nga një duartrokitje, nga një e qeshur zemre, nga pika e një loti të dhembshur nga e madhja  dashuri e njerëzishme që ju kishte dhënë Teta Xhano… !!!

Çdokush nga të ftuarit e kësaj nate, foli, nderoi, tregoi një histori, një copëz jete, një mësim apo mbresë profesionale, një histori suksesi, një histori dhimbjeje dhe dashurie. E të gjitha këto shënohen me një emërues të përbashkët; respektin për Zonjën e  Madhe të kinematografisë shqiptare, Xhanfise Keko, sepse vlera nuk di t’i ikë asnjëherë kohës. Ajo është e qenësishme bashkë me vrapimin marramendës të kohës që jetojmë, si teta Xhano, që mblodhi së bashku me qetësinë, dashurinë, artin e saj, një natë nëntori në Beratin e UNESCOS-s, miqtë e saj, artistë, breza të rinj dhe të vjetër, për t’i thënë buzagaz si përherë dinte të buzëqeshte ajo; “Unë do të jem gjithnjë me ju“....

tomka dhe shoket e tij


























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Këmbimi i të burgosurve: Faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi

Këmbimi i të burgosurve: Faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi