Xhanfise Keko rikthehet në
vëmendjen e të huajve

Xhanfise Keko rikthehet në<br />vëmendjen e të huajve
Sapo ka dalë në dritën e botimit në shqip e anglisht libri – album mbi filmin “Tomka dhe shokët e tij” ku lexuesi mund të gjejë foto, faximile, kujtime të regjisores dhe fëmijëve protagonistë të këtij filmi, filmografinë e plotë të regjisores së mirënjohur shqiptare si dhe vlerësimet profesionale të producentëve, kineastëve dhe kritikëve të huaj Ben Gibson, Regina Longo, Mark Cousins, Thomas Logoreci, etj, për individualitetin e regjisores Xhanfise Keko.

Ashtu si filmi, edhe ky botim mban titullin “Tomka dhe shokët e tij”, veç në ndryshim nga ai, në kopertinë ka një shënim sqarues në gjuhën shqipe dhe angleze: “një film artistik i realizuar në vitin 1977 në Shqipërinë komuniste”. Më pas, duke e shfletuar, vetvetiu të lindin pyetjet: Pse duhej të botohej 37 vjet pas realizimit të filmit “Tomka dhe shokët e tij”?... Çfarë i shtyu iniciatorët e botimit të këtij libri të mendojnë për ta shoqëruar distribucionin filmik të “Tomkës...” nëpër botë?... Pse zgjodhën pikërisht regjisoren shqiptare Xhanfise Keko?...

Cila ishte magjia që zbuluan tek filmi shqiptar dhe talenti i një regjisoreje të madhe shqiptare?... Çfarë mesazhe japin edhe sot filmat e regjisores Xhanfise Keko, jo vetëm për spektatorët shqiptarë?... Në fund, pasi e kemi mbyllur, kuptojmë që, ky botim i iniciuar nga amerikania Regina Longo, përveç përgjigjeve të pyetjeve të mësipërme, na prezanton si asnjëherë më parë, profilin artistik të regjisores Xhanfise Keko. Ndërkohë që, vetvetiu na lindin pyetjet llogjike: a do të kishim në Shqipëri kinema për fëmijë po të mos ishte regjisorja Xhanfise Keko?... Pse sot nuk bëhen dot filma të tillë?... Si punoi ajo dhe si e sfidoi komercialitetin e metodës së realizmit socialist?... I kuruar me kujdes dhe shije, botimi mbetet ndër më të mirët në këtë fushë dhe me mjaft interes, veçanërisht për studiuesit e kinemasë shqiptare.

Dhe tani, të kthehemi tek filmi “Tomka dhe shokët e tij” i restauruar në USA dhe që nga muaji prill i këtij viti ka nisur të shfaqet në Britaninë e Madhe.
I përzgjedhur nga Mark Cousins për të qenë pjesë e dokumentarit të gjatë “A Story of Children and Film” bashkë me filmin “Qyteti më i ri në botë ” dhe të shfaqur e vlerësuar prej më shumë se dy vitesh në fëstivalet më prestigjioze të botës, filmi “Tomka dhe shokët e tij” do të kishte një fat të veçantë në raport me filmat e tjerë të regjisores Xhafise Keko. Fillimisht, ai do të përzgjidhej nga Regina Longo, drejtore themeluese e Projektit të Kinemasë Shqiptare të restaurohej në USA në Laboratorin Audivizual të Librarisë së Kongresit Amerikan. Ndërsa më pas, Marc Cousins e përzgjodhi të ishte pjesë e projektit “The Cinema of Childhood” mes 17 filmave nga e gjithë  bota.

Për hir të së vërtetës, emri i regjisores Xhanfise Keko ka qenë i njohur jashtë  Shqipërisë edhe më parë, për shkak të prezantimeve në festivale ndërkombëtare filmi. I përmendur për herë të parë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Giffoni (Itali) në vitin 1976 nga Claudio Gubitosi, drejtor artistik i këtij festivali, emri i saj në fund të viteve ’90 do të ishte një nga më të njohurit ndërkombëtarisht të kinemasë shqiptare për shkak të prezantimeve e vlerësimeve në kompeticione ndërkombëtare filmi. Më pas, koha bëri të vetën. Por, jo përfundimisht.

Prej disa vitesh, studiues dhe kritikë të kinemasë nga vende të ndryshme të botës, i janë rikthyer krijimtarisë së regjisores shqiptare që, edhe pse nuk jeton prej shtatë vitesh, duket është me interes për ta. Regina Longo – drejtore themeluese e projektit të kinemasë shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thomas Logoreci – regjisor dhe kritik filmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mark Cousins – regjisor dhe kritik filmi nga Britania e Madhe, Ben Gibson – producent, drejtor i “London Film Schol” nga Britania e Madhe… janë  vetëm disa nga emrat që mund të përmenden me këtë rast… Të veçantë, interesantë, të thjeshtë, mbresëlënës, jashtë kornizave të kohës, sfidues të kohës, pikëhyrje për në këtë botë, origjinalë, të shkëlqyer… janë vetëm disa nga përcaktimet e tyre për filmat e regjisores Xhanfise Keko.

Bruce Williams vlerëson përpjekjen e Xhanfise Kekos për të dalë përtej kornizave të propagandës dhe ideologjisë në kinemanë e censuruar të Shqipërisë në studimin e tij “Dy gradë ndarjeje: Xhanfise Keko dhe Filmi Shqiptar për Fëmijë”, botuar në “Revista e Kinemasë dhe Medias” të Universitetit Shtetëror “Ëayne” të Miçiganit, 2013, kur shkruan se... “konsiderimi i filmave për fëmijë të Xhanfise Kekos si propagandë e pastër do të thotë që t’i keqkuptoje krejtësisht ato. Edhe pse filmat përmbajnë tekste hermetike në sipërfaqe, ato janë të mbushura me risi të habitshme të cilat inkurajojnë shikuesin për ta hedhur vështrimin përtej dogmës së dukshme të periudhës së pas Revolucionit Kulturor”.

Në një tjetër këndvështrim, Thomas Logoreci përqaset me argumentin e Bruce Ëilliams kur shkruan në këtë libër se “Në një intervistë kur fliste për Amerikën e viteve 50, Martin Skorceze gjen një emër për regjisorët si Xhanfise Keko që ju rrëshqisnin rregullave dhe i quante “kontrabandistë” pasi me mënyrën e tyre në veprat e tyre ata fusnin kontrabandë gjëra që i rrëshqisnin sistemit. Edhe Xhanfise Keko, falë atyre fëmijëve futi shqetësimet e veta në film dhe u mor me çështje me të cilat regjisorët e tjerë nuk ishin në gjendje të merreshin. Kështu pra, parimet morale të Amerikës së viteve 50 ishin njëlloj me ato të Shqipërisë së viteve 70 dhe regjisorëve u duhej të mësonin si t’i kapërcenin këto parime”.

Pas analizës së gjatë të të gjithë krijimtarisë së saj, botuar në revistën “The Journal of Cinema and Media” (Volume 54 / Issue 1 / Article 3 / Spring 2013) me titull “Të ndarë në dy nivele: Xhanfise Keko dhe Filmi Shqiptar për fëmijë”, shkruar nga studiuesi amerikan i filmit, Bruce Williams, ndër të tjera, një njohës mjaft i thellë edhe i kinemasë shqiptare dhe shkrimit vlerësues të kritikut irlandez të filmit Mark Cousins me titull “Terra Incognita”, botuar në revistën prestigjioze britanike “Sight & Sound” (Volume 23 / Issue 1 / January 2013), është radha e filmit “Tomka dhe shokët e tij” të marrë vlerësimet maksimale të kritikës së huaj.

Londra është e para që ofroi prezantimin e filmit “Tomka dhe shokët e tij” pas restaurimit, nën kujdesin e kompanisë britanike “Filmhouse”. Fillimisht në BFI (Instituti Britanik i Filmit), prezantuar nga drejtori i London Film School, Ben Gibson. Më pas, nga muaji prill e deri më sot, filmi “Tomka dhe shokët e tij” është shfaqur në 19 qytete të  Britanisë së Madhe ku është pritur mjaft mirë nga spektatorët dhe kritika për nivelin artistik. Vitin e ardhshëm, ky film, përveç prezantimeve në Europë, do të nisë udhëtimin edhe përtej oqeanit, fillimisht në USA e më pas në Kanada. Po ashtu, parashikohet që filmi të ketë një shfaqje nderi dhe në “Berlinale 2014”, një nga festivalet ndërkombëtare më prestigjiozë të filmit si dhe premiera në disa kryeqytete të Europës, këtë herë nën kujdesin e zonjës Regina Longo, drejtore themeluese e Projektit të Kinemasë Shqiptare.
 

Faqja II
 
XHANFISE KEKO E MERITON ME TE MADHE KETE VEMENDJE
 
BEN GIBSON*
 
Në qershor të vitit 2014, pata mundësinë e jashtëzakonshme të moderoja si shfaqjen edhe diskutimin e versionit të restauruar të filmit “Tomka dhe shokët e tij” tek Instituti Britanik i Filmit në bregun perëndimor. Një ndër aktorët kryesorë, Herion Mustafaraj (vetëm 8 vjeç në kohën e realizimit të filmit, në vitin 1977, tani 43) ishte i pranishëm gjatë shfaqjes së këtij filmi, duke patur rastin të shohë në ekranin e madh veten e tij më të ri, për herë të parë pas këtyre tri dekadave. Eshtë një histori e jashtëzakonshme dhe e thjeshtë, treguar në mënyrë të çlirët dhe me një stil neo-realist, për një grup fëmijësh të cilëve nga pushtimi nazist i Shqipërisë u kërcënohej vendi ku luajnin futboll - aq i shenjtë për ta - si dhe e tërë mënyra e tyre e jetës. Topat që ata gjuanin përfundonin në kampin gjerman. Por fëmijët ia dolën të fitonin ndaj pushtuesve - dhe në mënyrë origjinale.
 
Natyrisht që unë kam qenë në dijeni të ekzistencës së këtyre filmave shqiptarë për fëmijë. Kisha parë t’i citonte Mark Cousins​​ dhe Kujtim Çashku më kishte folur për një regjisore të jashtëzakonshme, e vetmja regjisore femër e qendrës së industrisë shqiptare të filmit, Xhanfise Keko, e njohur nga gjithkush thjesht si “Auntie” (teta). Shfaqja e këtij filmi të shkëlqyer përpara një audience aq entuziaste solli, për mua, një prezantim sa jetësor të historisë moderne të Shqipërisë dhe të rrymave të nëndheshme, aq dhe të famshme e të papërmbajtura, të kinemasë “zyrtare” shqiptare.
 
Më kujtohet edhe një përvojë tjetër e jashtëzakonshme në vitet ‘80-të, në Pesaro, gjatë një retrospektive të filmave nga republikat sovjetike aziatike. Aty u shfaqën shumë filma që kishin në qendër të tyre fëmijë, heronj dhe heroina zhelane, të hedhur me gjasa si lajmëtarë të një të ardhmeje plot shpresë të periudhës së pas luftës. Kjo më bëri të mendoj për fëmijërinë dhe besimin tim politik - dhe faktin se si çdo brez është lindur në botë me një ndjenjë shumë të veçantë për të ardhmen globale. Si i lindur në vitin 1958, mua më kishin mësuar se e ardhmja do të ishte e lehtë për t’u shijuar. Mendoj se do të duhet më shumë punë e mund për të bindur fëmijët e mi për këtë.
 
Miti i fëmijërisë së “pionierit” sovjetik - dhe nuk po e përdor fjalën mit në sensin negativ - ishte se si një shoqëri mund të mësohet të vlerësojë instinktet e vrazhda dhe të dështuara të fëmijëve (për drejtësi sociale, respekt, dashuri, bashkëpunim, madje edhe për strategji ushtarake), të cilët e kishin humbur tashmë inoçencën e tyre duke i hedhur në një luftë të tmerrshme dhe më pas duke i shtyrë të mos bëjnë gjë tjetër veçse të gjejnë rrugën e tyre deri në shkollë. Ashtu si bëjnë edhe “foshnjat e luftës”, këta fëmijë nuk janë aty me qëllim që t’u ofrohet një e ardhme e sigurt. Ata kujdesen për “foshnjet e luftës”, vëllezërit e motrat e tyre më të vegjël. Këta fëmijë të luftës ofrojnë një shembull të fortë moral, një grupim apo ideologji të qartë dhe të skajshme. Me një buzëqeshje të sforcuar, ata gjejnë mënyrën se si kombi të lerë pas ndarjen dhe anarkinë dhe të gjejë rrugën drejt një njerëzimi dashamirës.
 
Në një farë mënyre këta fëmijë të kinemasë dhe sjelljet e tyre të çuditshme u shpikën mbi të njejtin terren të lëkundshëm mes shtetit propagandistik dhe progresit të tij social. Tamam si jetimët e shpërgulur të çdo historie të Ëalt Disney-it, ata që kanë një nevojë të posaçme të kompesojnë çrregullimet e origjinës së vet duke themeluar dinasti të reja e të dyshimta. Kjo mund të përdoret njëlloj, për të dhënë argumenta pro ose kundër status quo-së, në varësi të pyetjes. Të gjithë bien dakord në lidhje me fëmijët. Ose pretendojnë të jenë dakord.
 
Në rastin e filmit të Xhanfise Kekos “Tomka dhe shokët e tij”, problemet e vitit 1977 në regjimin e Enver Hoxhës janë bërë të duken më të shpjegueshme dhe në të njëjtën kohë relativisht më të vogla, sepse kinostudio e Tiranës kishte vendosur realizimin e një filmi në kujtim të luftës së vendit kundër Rajhut të tretë (shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë luftuar edhe kundër osmanëve, grekëve dhe italianëve). Ajo që arritën ishte një film tërheqës, ndonëse bardhë e zi, i bërë shpejt dhe me buxhet të vogël. Një lloj filmi eksperimental i shkruar nga disa bashkëpunëtorë së bashku dhe ku konflikti i hapur nga ana e fëmijëve është baza ku krijohen të gjitha idetë e mira që pasojnë. Fëmijët mendojnë të venë në skenë një shfaqje që satirizon nazistët dhe sjelljen e tyre në kohën e pushtimit. Kjo do t’i poshtërojë ata, le t’i futim në një shfaqje. Si arriti shkrimtarja-regjisore në këtë ide “t’i futim në një shfaqje”? Na thuhet se idea ishte sugjeruar nga një prej fëmijëve - me të cilin kishin punuar së bashku për shumë vite në disa filma të tjerë - dhe ajo e ktheu menjëherë atë në një pikë kthese të skenarit të saj.
 
Unë mbetem në pritje të restaurimeve të punëve të tjera të Xhanfise Kekos në të ardhmen. Në një farë mënyre të gjithë filmat për fëmijë e thjeshtojnë botën deri në ekzistencë. Filmat e saj krijojnë një estetikë të tërë, vetëm për faktin se i trajtojnë fëmijët me seriozitet. Së fundi, origjinaliteti i pamatshëm i veprës së saj do të bëhet i njohur edhe jashtë Shqipërisë dhe Xhanfise Keko e meriton me të madhe këtë vëmendje.

xhanfise keko




















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje