'Xhaviti më tha se arratisja e Panajot Plakut është akt i madh trimërie', përgjimet ndaj disidentit komunist që vuajti 32 vite burg

'Xhaviti më tha se arratisja e Panajot Plakut është akt i madh trimërie', përgjimet ndaj disidentit komunist që vuajti 32 vite burg

Pjesa e gjashtë

Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtar e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespondenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i nënkolonelit të Sigurimit të Shtetit, Shim Kolli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Parashtruesi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Xhavit Qeses

Para se Zhukovi të bënte vizitën e tij në Jugosllavi dhe Shqipëri qysh kur Xhavait ishte në Bashkimin Sovjetik, flitej se Bulganini do të hiqej dhe se vendin e tij do ta zinte Zhukovi. Zhukovin e paraqiste si mikun më të afërt të Jugosllavisë që mbante një nga medaljet më të mëdha të Jugosllavisë. Kur Zhukovi vizitonte Jugosllavinë, Xhavit më tha se ky është luftarak i mirë dhe se ky do të zgjidhë punë, ai është mik, don rrugë për Mesdhe në marrëdhëniet që ekzistojnë midis nesh dhe Jugosllavëve, Zhukovit i mbyllet rruga, prandaj ky do t’ju a mbledhë këtyre (udhëheqjes tonë), ky nuk din një e një bëjnë dy.

Kur Zhukovi u shkarkua nga funksioni i Ministrit të Mbrojtjes, Xhaviti më tha se: Radio Bari kishte thënë se alla Zhukovi i ka shfaqur Titos pakënaqësira dhe se Titoja paska njoftuar Hrushovin d.m.th., që kjo ishte kontribut i Titos. Kur Konievi ka shkruar mbi të metat e Zhukovit, të cilat u botuan në gazetë, Xhaviti dënojë qëndrimin e Konjevit, duke e cilësuar dallkauk dhe përse e bën tani dhe përse nuk e ka bërë më pare! Më vonë asnjë koment për Zhukovin.

Mbi arratisjen e Panajotit, Xhaviti paska vrenjtur se, mbasi u arratis Panajoti, ky qenka survejuar nga një oficer, arratisjen e Panajotit e konsideronte akt trimërie dhe vepër të rëndësishme politike, se Panajoti do të sqarojë nga Beogradi, Partinë Komuniste të Bshkimin Sovjetik dhe do të nxjerrë të palarat e Partisë tone, për të treguar se Panajoti ishte kokë, më tha se vet Enver Hoxha, e ka cilësuar si Komunistin që ka studiuar të gjitha veprat e Leninit, mbas arratisjes të Panajotit, më tha se në Jugosllavi qenka krijuar një radiostacion (‘Shqipëria Socialiste’), ky radiostacion korrigjonte politikën e Partisë.

Konkretisht më tha se: masat që u muarrën për festimin e 28 Nëntorit, qenë si rezultat i kritikës së ashpër të bërë nga ana e këtij radio-stacioni, në mbrëmjen e Kooperativës Konsumit, desh të gërzejë me një vajzë që ka emigruar nga Jugosllavia. I them për këtë të nesërmen Xhavitit, e sa budalla që je, më thotë ky, ç’po te duhet ty të gërxejsh me Jugosllavët, as po merr vesh se gjithë ç’ka po bëhet kundra Jugosllavëve, se tani nuk flitet për ballistët!

Një ditë Xhaviti më thotë: Këta janë sadista, unë po ecja i qetë, ai din se çdo me thënë Sadista? Jo i përgjigjem dhe filloj të më tregojë origjinën e kësaj fjale dhe se fundi më thotë: Sadista d.m.th., kriminel, shprehjen këta janë sadista ma ka thënë disa herë.

Ekzekutimin e Daliut dhe të Liri Gegës, nuk e ka konsideruar të rregullt. Ka thënë që ata nuk duheshin të pushkatoheshin, duhej të merresh para puna dhe lufta e tyre kundra fashizmit, këta nuk mundë të konsiderohen me më të ligë se agjentët Amerikan dhe që sot jetojnë. Përsëri tha këta janë sadista.

Xhaviti është dakord me qëndrimin që mbajti kohët e fundit delegacioni Jugosllav në konferencën e Moskës. Për mos marrjen pjesë të delegacionit Jugosllav, m’u shpreh me kënaqësi: “Ah, ja kanë luajtur pançin. Bënë shumë mirë që nuk, muarrën pjesë, ashtu po, së pari të ulen, ta bisedojnë të sheshojnë çështjet”.

Më kanë thënë se Sovjetikët i trajtojnë shumë keq femrat se burrat nuk kanë respekt për gratë, se aty gjen burra që në sy të gruas, çojnë në shtëpi grua tjetër, që të bëjnë qefe dhe këto m’i ka përmbledhur me fjalën që aty nuk ka familje.

Imperialistët propagandojnë se ju gjendën ilaçin krizave dhe papunësisë, por Xhaviti flet se papunësia ndihet në Bashkimin Sovjetik, ja si më ka thënë: nuk ma ka përcaktuar personin, kur Xhaviti ishte në Bashkimin Sovjetik, një njeri sovjetik ndalon një person dhe diçka i kërkon (cigare apo ndonjë send tjetër) bisedojnë dhe ky Sovjetiku, valla i ka thënë se nuk ka punë, ku të gjej punë, sapo të mos kishte ndërruara, thonë se nuk ka punë, ku të gjej punë, se po të mos kishte ndërruar emrin, nuk do të kishte gjetur punën që kishte punuar deri në të kohë, Xhaviti më tha se papunësia ka filluar të ndihet edhe në Bashkimin Sovjetik, se aty ke sa të duash të pa punë. Veç kësaj del se ndërrimi i emrit të personit, personifikon dallimet midis kombësive, më tha se po të jesh rus gjen punë.

Konievi i kishte dhënë një intervistë organit të Komitetit Qendror të Partisë Çekosllovake “Rude Pravo”, “Borba” kishte protestuar, sepse Konjevi nuk e kishte përmendur në këtë artikull rolin e partizanëve jugosllav. Konievi qenka detyruar t’i përgjigjet “Borbës”, si vijon: “Artikulli tem origjinal, përmbante mbi luftën e popujve Jugosllav, mbi luftën kundra Fashizmit, por shkurtimet janë bërë nga redaksia “Rude Pravos”, ja se si shkurtojnë!

Në mbledhjen e aktivit të Partisë Qarkut Elbasan, unë nuk isha kur referoj shoku Hysni Kapo. Mbas darke vajta në diskutimet dhe e pyes Xhavitin se çfarë u bë në mëngjes, më përgjigjet që e gjithë puna, qëndron në Jugosllavët. E pyes nëse shoku Hysni u takua me të, jo, më përgjigjet, por sikur të takojë dhe të të thotë: e more shoku Xhavit, ç’thua ti, a je dakord? Do ta them që je dakord, por do ta falenderoj që më ka vënë në survejimin e Shim Kollit. Një natë duke shëtitur, Xhavitin e paska ndaluar një polic dhe i ka kërkuar dokumentet, këtë Xhaviti e bëri çështje tek shoku Josif Pogaçe. Me këtë rast, nuk është hera e parë që survejohem nga Shima.

I paska dërguar një letër shokut Enver, ku i kërkon ta dërgojë në Bashkimin Sovjetik dhe se mund të ndiqte shkollat shtetërore në vend. Me gjithë mend, i them Xhavitit, përse të mos vazhdosh një institut? Ti bile, je dhe studjoz? E ç’më duhet mua shkolla, thotë, këtë e bëra vetëm për të parë se çfarë përgjigje do të më japin, tani e mora vesh që nuk vlej si njeri politik.

Kemi biseduar për t’u transferuar në Tiranë, i jap letrën për të lexuar, por ma kthen shpejt duke më thënë: Ere, budalla, akoma nuk po e merr vesh që je internuar në kampin e Elbasanit, vazhdimisht më thotë: Ku je more kryetar i Planit të Qarkut, (Rrethit) Elbasan, “me tallje”!

 

I kam thënë që t’i drejtohet shokut Enver dhe t’i bëjë autokritikë, m’u përgjigj që: nuk bëj letër unë, që nuk bëhem merak, qoftë sikur të më çojnë edhe në Gramsh, e kam vendosur nuk bëhem merak, as për zhdukjen fizike. Një ditë, më thotë se kishte vendosur, t’i shkruante letër shokut Enver, (mendoj se do ta kishte biseduar me gruan) dhe i shkruajti, kur ishte në kuvend, por më tha se nuk bëra autokritikë, por që ka kërkuar të transferohet në Tiranë dhe se nuk ishte trajtuar mirë.

Që në fillim, porsa u njoha me të, më ra në sy se Xhaviti si N/Kryetar, nuk tregonte interesim për punën, vija shpesh në zyrën e tijë, por i përcillte m’vartësit, firmoste shkresa pa i lexuar. I them që duhej të punonte më mire, përdora disa mënyra, e futa në sedër, i thashë që punonjësit tallen me të, që nuk paraqitet serioz në detyra dhe në fakte duke e parë që unë i flisja për të mirën e tijë, bëri kthesë në drejtim të punës.

Unë mendoj se Xhaviti me qëndrimin e tijë të butë, duke mos kërkuar llogari, duke shkuar në synetllëk, si tek Met Dylgjeri, ka dashur të fitojë simpati, më ka thënë se njerëz të ndryshëm e kanë përshëndetur dhe i kanë thënë që të mos mërzitet, i kanë shtrënguar dorën dhe i kanë thënë që të mos mërzitet, se kështu e kanë këto punë. Si mbas tijë, këta njerëz u pajtuakan me gjendjen e Xhavitit.

Në Nëntorin e vitit 1957, në dhomën time bëra një si mbrëmje, ishin Xhaviti, Mihal Dodbiba, Nazmi Batalli, Aleko Koleci, Mihali dërgoj Abedinin (burri Shpresës), që të thërriste Agim Bejten. Mbrëmja vazhdoi me raki, por në mënyrë të veçantë, Agim Bejtja porosiste orkestrën, që t’ekzekutonte këngë Jugosllave, ndërsa Xhaviti që nuk merr vesh nga muzika, ngrinte kokën dhe i dëgjonte me gaz dhe buzëqeshje. Lekua më thotë: more po çpo bëhet kështu?! Ç’ke ti, i them, këtu kemi kryetarin e Partisë të Rrethit, unë kam vënë re që Xhaviti shëtiste me Agim Bejten, që të dy kanë qenë në një shkollë në Moskë, kishin afinitet (mendoj deduksioni i jem), që të tilla biseda, Xhaviti duhet ti ketë zhvilluar dhe me Agimin.

Një mëngjes të Nëntorit-Dhjetorit, vija nga Tirana për në Elbasan me veturën e Kombinatit Drurit. Isha përpara me shoferin, ndërsa mbrapa ishin Xhaviti dhe Nazimi. Ndëgjova që Xhaviti i fliste Nazimit, lidhur me administrimin e S.M.T.-ve dhe sistemin e pagës lidhur me kualitetin e punës. Kam vënë re që Nazmi Batalli, është përpjekur të evitojë takimet me Xhavitin. Di që Xhaviti e ka marrë në telefon për të marrë auto veturën për në Tiranë, por Nazimi nuk ja ka dhënë, bile di një rast që i ka thanë se: nuk shkoj në Tiranë, bile ka shkuar, ka pasur vende dhe nuk e ka lajmëruar Xhavitin.

Xhaviti është përpjekur të zhvillojë biseda ku nuk ka njeri të tretë. Një ditë në shtëpinë e Agron Frashërti, pa një libër të Zini Sakos. ‘Sa shumë e urrej këtë dallkauk’, tha Xhaviti për Zini Sakon. Agroni i tha se: Ziniu dhe shkrimtarë të tjerë të vendit, kanë realizuar vepra të mira e të tjera. Por Xhaviti tha se: nuk e humbet kohën për të lexuar vepra si të Ziniut.

Në ora 5, kur treni kthehet nga Tirana për n’Elbasan, në stacionin e Durrësit del e pret një vajzë, e kam parë që janë takuar 4-5 herë. Unë kam menduar se mos ka qenë ndonjë e njohur e vjetër, sepse bisedat i bëjnë veç të tjerëve, ndërsa Xhaviti më tha se kjo qenka një shoqe e vjetër, është njohur me të në kohën e luftës, njihet me të ëmën e kësaj. Si mbas Xhavitit, kjo vajzë u kujdesoka për të, dhënka këshilla për të qëndruar mirë, një të diel kjo po e kërkon dhe paraqitej pak e shqetësuar, sepse nuk po e gjen Xhavitin. Kjo vajzë po këtë ditë kishte qenë n’Elbasan dhe nuk e kishte takuar Xhavitin. Kjo vajzë quhet………. qenkësha e revizjonare dhe jo shoqe, sikur më ka thënë mua Xhaviti.

Në Tiranë, në “Vollga”, Xhaviti takohet me Petro Lalanë (Rrallë) e kam pyetur në Janar të 1958-ës, se si e trajtojnë shokët e shkollës Partisë në Moskë, si Petrua e të tjerë, më ka thënë se e respektojnë dhe e shoqërojnë, një lloj si më parë. Një ditë në shëtitje po kalonte Njazi Jahoja, i them që ky më duket i shpëlarë, jo more më thotë Xhaviti, ky është burrë, a e din se çfarë ka thënë në aktivin e Tiranës, kur i kërkuan që të bëjë autokritikë? Dhe vazhdon se: Njaziu qenka përgjigjur, që nuk bën autokratik, sepse Partia nuk e ka mësuar që të përulet, por të jetë i qëndrueshëm në mendime.

Elbasan 16/IV/1958  “Parashtruesi”                                                          

Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Shim Kolli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Skëndi”, lidhur me ndjekjen dhe survejimin e Xhavit Qeses                                                                                                            

Marrë nga Shim Kolli

Dhënë nga B.p. “Skëndi”                                                                    

R A P O R T

Burimi njofton se me datë 17/5/1958, ai kishte shkue në Durrës për arsye pune. Këtu takoj me Sadik Sadedinin, me të cilin shkoi në kohën e drekës ora 1.30 për të ngrënë në restorantin që gatuhet peshk, karshi N.SH.M.I.-s. Sadiku i tha se kishte dhënë disa materiale, ai e pyeti se nga e njeh ti Xhavit Qesen dhe Sadiku i tha se: e kishte prezantuar i vëllait i Xhavitit, korrespondent i “Zërit të Popullit” në Durrës, të cilin Sadiku e ka shokë. Sadiku i tha pastaj, se i kishte ardhur keq për Xhavitin, që e kishin dërguar me ulje në Komunale.

Nga puna e Xhavitit u hap muhabeti për trajtimin e kuadrit dhe Sadiku vazhdoi: Puna qëndron keq, duhet të kesh ndonjë mik që të marrësh ndonjë punë, ose të sigurosh vendin që ke, se për gabimin më të vogël, njeriu pushohet dhe nuk ka asnjë sigurim. Element i vjetër nuk trajtohet mirë, unë shoh shumë të errët avenirin tim dhe të shumë shokëve të mi, që nuk kanë zanat se të pushojnë nga puna dhe mbetesh rrugëve. Ja këtu në ndërmarrjen time, ishte pranë drejtorit një shokë nga Gjirokastra, i cili punonte në Komitetin Ekzekutiv të Gjirokastrës.

Atje doli jashtë organikës dhe nuk pranoi të vinte në vendin që i caktuan. Ishte informuar se vend i drejtorit në N.SH.SH.M.I, ishte bosh, ndërhyri pranë Haki Toskës, të cilin e ka mik dhe ky ja rregulloi. Ndërsa në Durrës, ka plotë drejtora të zotë, që mund të ngriheshin me këtë rast, ndërsa ngrihet i biri botës nga Gjirokastra, ndërsa në Durrës, është problem dhe puna e strehimit. Ja çdo të thotë se po të kesh mik dhe ti thuaje se nuk është kështu! Pse kuadri i keq është Zihni Muça, mirë po nuk ka njeri ti japi dorën, e shikojnë me sy të keq dhe mbeti në vend numëro. Ai e kaloi muhabetin, duke e pyetur në se kishte ardhur në Durrës, Nesti Kerenxhi, të cilin nuk e kishte pare prej kohe, duke i thanë se: Nesti u sistemua mirë në Tiranë.

Nesti tha Sadiku, ka kohë që nuk ka qenë në Durrës, Nesti meriton më tepër, në vendin ku ka ardhur nuk është kënaqur, preferonte të ishte më mirë në Ndërmarrjen Ndërtesa në Elbasan. Duke kaluar nga një muhabet në tjetrin, ai i tha: Se ishte shumë keq, mbasi i ishte prishur radio dhe nuk kishte dëgjua fare lajme nga bota e jashtme, e sidomos mbi zhvillimin e Kongresit të 7-të të Lidhjes së Komunistëve Jugosllave, me përjashtime të lajmeve të shtypit tonë dhe i shfaqi mendimin se: nuk ishte dakord me qëndrimin e Jugosllavëve, nuk është ashtu siç thotë shtypi i jonë.

Jugosllavët kanë pikëpamjet e tyre që koha do t’i provoj, ata janë të guximshëm dhe të bindur në mendimet e tyre. Përse pranojmë neve si komunista ndryshimet që i bëri Lenini, Marksit, mos vallë u quajt Lenini revizionistë. Marksi thoshte se: revolucioni do të shpërthejë menjëherë në të gjithë botën, ndërsa Lenini, duke i përpunuar mendimet e Marksit, nxori se revolucioni mund të triumfojë dhe në një vend të vetëm dhe teza e tijë fitoi, duke i hapur njerëzimit perspektivat për fitoren e socializmit.

Përse të mos pranojmë që Jugosllavët dhe çdo njeri tjetër i zoti, mund të japi mendimet e tija për gjendjen aktuale, mos vallë çështja e teorisë marksiste është monopol vetëm i disa njerëzve? Kardeli është njeri i thellë teorik dhe marksist i madh dhe po i shtonte gjëra të reja marksizmit dhe lëvizjet revolucionare në botë. Neve nuk duhet të kemi frikë dhe duhet t’i shikojmë drejtë gjërat.

Të marrim për shembull organizimin ekonomik të ndërmarrjeve, atje me të vërtetë punëtori është sot në fabrikë, ku punëtori ka interes të prodhojë sa më shumë, sepse tepricat e fitimit i takojnë kolektivit, po kështu dhe drejtori i ndërmarrjes dhe jo si tek neve, që nuk pyet njeri fare për drejtorin. Këtu diskutimi u ndërpre dhe nuk vazhdojë më, sepse erdhi Llambi Sotiraj, përgjegjës i Sharrave Pukë, në Durrës, ai u nis për të ikur, mbasi dhe Sadiku do të shkonte në shtëpi, se kishte të shoqen të sëmurë.

Elbasan më 20/5/1948  “SKËNDI”          

DETYRË

Të gjesh prap rastin për të shkuar në Durrës dhe të takosh me Sadik Sadedinin.

Mos harro të takohesh me Xhavit Qesen simbas porosive që të kemi bamë. Memorie.al

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindje ’cowboy’! Beyoncé performon bashkë me vajzën e saj Blue Ivy

Krishtlindje ’cowboy’! Beyoncé performon bashkë me vajzën e saj Blue Ivy